Bamirësi duke mashtruar, arrestohet i treti i grupit të “kameleonëve” ! Përfituan shuma të ndryshme monetare

Apr 8, 2021 | 10:29
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit vijon operacionin e koduar “Kameleonët 2”, duke vënë në pranga një nga personat e shpallur në kërkim.

policia

Operacioni është kryer nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Si rezultat është vënë në pranga një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, shtetasi Arsen Memaj, 34 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”. Disa ditë më parë është vënë në pranga shtetasja A. H., 24 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila në bashkëpunim me këtë shtetas dhe shtetasin S. N., 37 vjeç, i cili është ende në kërkim, kanë kryer veprime për ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik, me qëllim përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.

Një operacion i ngjashëm u zhvillua edhe në Pogradec pak ditë më parë. Më 2 prill Policia vuri në pranga 6 shtetas dhe shpalli në kërkim 1 tjetër. Në kuadër të një procedimi penal në ndjekje, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, kanë kryer hetime gjithëpërfshirëse në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit ndaj shtetasve: Klajdi Likaj, 23 vjeç, Dionis Daka, 29 vjeç, Genci Roko, 41 vjeç, Elis Molla, 37 vjeç, të katërt banues në Pogradec; Kledi Hamati, 27 vjeç dhe Leonard Kalaja, 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Klinti Cani, 23 vjeç, banues në Pogradec.

Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore. Për këtë arsye, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare.

Tërheqja bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura