“Balluku, unazën e ka me diamant”- Banorët e Bërxullës në protestë: Vetëm prej ministres në këtë kryqëzim janë vrarë 24 persona! I kemi kërkuar takim, por…

Mar 28, 2023 | 10:35
SHPËRNDAJE

Banorët e Bërxullës të cilët preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar  kanë dalë sërish sot në protestë, ku kërkojnë shpronësim sipas vlerës së tregut.

Ata thonë se kanë kërkuar takim edhe me ministrin e Infrastrukturës, Belinda Balluku, por siç u shpreh njëri prej tyre “ajo nuk pranon të takohet me fshatarët”, duke shtuar se vetëm unazën mund ta kete me gur diamanti.

Ata shprehen se mosreagimi i institucioneve po i çon drejt vetëgjyqësisë.

“Ne po rrimë në këtë gjendje sepse jemi njerëz me arsye dhe nuk duam të shkojmë në akte dhune. Kur paligjshmëria kërkon të bëhet ligj, vetëgjyqësia bëhet detyrim. Ne po na çojnë drejt vetëgjyqësisë me këto mënyra si po sillen, pastaj pasojat janë fatale”, tha një banor i zonës.

“Qeveria nuk shkon dot në Evrope duke shtypur të varfrin. Ti thërrasë mendja edhe Këshilli i Evropës.  Ne nuk po kërkojmë as dash të pjekur as bakllava, kërkojmë të na shpronësojnë. Të bëhen kalime e mbikalime, sepse vetëm prej ministres së infrastrukturës janë 24 viktima në këtë kryqëzim ku jemi ne.  A ka turp më të madh. Këta janë mësuar të vjedhin.

Nuk vjen ajo sepse e  ka për turp të takojë punëtorët dhe fshatarët e varfër. Vetëm unazën mund ta ketë me diamant. Asaj i vjen turp të vijë tek populli i vet. Ne i kemi bërë thirrje për ta takuar, por ajo nuk vjen”, tha një tjetër banor.

“Ne jemi prej 6 muajsh në protestë, duam çmimin e pronës. Është e paimagjinueshëm si shteti nuk zbret në terren.

Balluku të sjellë përfaqësues, sepse vetë nuk vjen. Ne nuk dalim prej qejfit. Ne nuk kërkojmë diçka që nuk është e ligjshme.

Ata qëndrojnë në kolltuk për interesat e veta dhe na shtypin ne me sa fuqi kanë”, u shpreh banorja e Bërxullës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura