Ballkani Perëndimor: Të rinjtë dhe të talentuarit largohen

Sep 15, 2017 | 11:00
SHPËRNDAJE

Valbona Zeneli

VALBONA ZENELI

Politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor shpesh  ankohen se mendjet e tyre më të mira po largohen. Por ankohen pa ofruar ndonjë zgjidhje si ta rregullojnë këtë çështje. Ankesa, por jo ide të reja. Çështjet që duhet të zgjidhen janë më se të qarta. Problemet janë të lidhura me trajtimin e deficiteve të mëdha për qeverisjen e duhur dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Që është ekzaktësisht se si “të brendshmit”, domethënë ata në pushtet, u intereson që gjendja të vazhdojë. Në fund të fundit, janë ata që shpesh përfitojnë nga kjo situatë.

Ideja se është vetë këmbëngulja e tyre për të ruajtur strukturat antidemokratike dhe të korruptuara të pushtetit, që zvogëlon shanset për një të ardhme më të mirë dhe nxit largimin e të talentuarve (dhe atyre pa lidhjet e duhura politike), është e pakundërshtueshme, megjithëse shumë e vështirë për t’u besuar.

SHPRESA TAKON REALITETIN

Lëvizja e lirë e njerëzve, një shtyllë e rëndësishme e Bashkimit Europian për ata që jetojnë brenda unionit, është gjithashtu një element kyç tërheqjeje për njerëzit që jetojnë në Ballkanin Perëndimor. Një përqindje mahnitëse e popullsisë në rajon, 43%, mendojnë të lëvizin jashtë vendit në të ardhmen. Në anën tjetër të ekuacionit, emigrimi po kthehet në një vijë të kuqe për shumë vende të BE-së. Për njerëzit që jetojnë atje, kjo është një përgjigje racionale për shkak të krizës europiane të emigracionit të parregullt dhe krizës së refugjatëve.

Megjithëse profili demografik i vendeve të BE-së tregon një nevojë në të ardhmen për punëtorë të huaj, në mbështetje të një force pune gjithnjë e në plakje, shkalla aktuale e papunësisë agregate është rreth 10%, dhe është më shumë se dyfishi i atij niveli për papunësinë te të rinjtë. Kjo do të thotë se tregu i punës në BE është larg të qenët gati për t’u zgjeruar për të përthithur imigrantë të rinj.

KUFIZIM I TË RINJVE?

Në vend që të përmirësojnë gjendjen e përgjithshme, një ide e diskutueshme është që të kufizohet lëvizshmëria e njerëzve më të talentuar. Megjithatë, jashtë rindërtimit të strukturave totalitare, kjo është thjesht e pamundur (fatmirësisht) në botën e sotme. Prova më bindëse vjen në formën e një eksperimenti: imagjinoni sikur lëvizja e të rinjve të kufizohet. Edhe sikur të ndodhte kjo, Ballkani Perëndimor nuk do të bëhej më i kualifikuar.

Nëse njerëzit ndalohen që të largohen, këta nuk do të fitonin aftësitë shtesë që do të duheshin për të avancuar ekonomitë e vendeve të tyre. Për më tepër, horizontet mendore të të rinjve tashmë janë zgjeruar dhe ata janë të etur të kërkojnë mundësi për të realizuar potencialin e tyre të plotë. Mungesa e mundë- sive në vend, i bën ata të largohen. Studimet sugjerojnë se sa më i varfër vendi, aq më i lartë numri i shkencëtarëve (shpikësve) që shtyhen të largohen jashtë vendit.

Një studim i fundit i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale tregon se përqindja e patentave teknologjike të prezantuara nga emigrantet është 98% në rastin e Shqipërisë (pra shqiptarët që kanë marrë patenta teknologjike, 98% e tyre janë emigrantë që jetojnë jashtë vendit). Këto shifra janë 75% për Bosnjë dhe Hercegovinën dhe 71% për Serbinë.

“RRJEDHJA E TRURIT” SI NJË MUNDËSI

Nga kjo perspektivë, rrjedhja e trurit mund të shihet edhe si një mundësi për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Sipas kësaj perspektive, emigracioni i kualifikuar shikohet si një investim, për t’u rieksportuar në periudhën afatgjatë në vendin e origjinës, me aftësi dhe njohuri të reja. Megjithatë, në vend të ankimit me trishtim vetëm për “ikjen e trurit”, iniciativat për “thithjen e trurit” janë gjithnjë e më shumë të domosdoshme. Hapësirat e mundshme të emigracionit qarkullues cilësor mund të kenë një rëndësi vërtet transformuese për zhvillimin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor.

Por, për fat të keq, ky debat nuk zhvillohet mjaftueshëm në rajon. Ndoshta emigracioni nuk do duhej të konsiderohej si një problem për qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Por do duhej të shihej si një mundësi, apo edhe një nxitje më e madhe për të reformuar qeveritë, strukturat politike, si edhe ato ekonomike. Në të vërtetë, duke pasur parasysh normat e larta të papunësisë dhe mungesën e kapaciteteve të brendshme për të absorbuar fuqinë punëtore në rritje, liderët politikë të rajonit nuk kanë zgjidhje tjetër, përveçse të jenë “mirënjohës” për emigrimin.

Aq më keq, ata më cinikët midis udhëheqësve të rajonit po e përdorin dhe keqpërdorin çështjen e emigrimit të popullsisë. Në fund të fundit, ata parapëlqejnë largimin e njerëzve të arsimuar. Për ata liderë jovizionarë, kjo përkthehet në përfitime afatshkurta, dhe në reduktimin e rrezikut të opozitës politike dhe të shoqërisë civile në vend, duke eksportuar kështu jashtë vendit kërkesat për transparencë dhe llogaridhënie.

EMIGRACIONI SI MBROJTJE POLITIKE

Me fjale të tjera, një shpërngulje e tillë jashtë vendit e të rinjve të arsimuar mund t’u duket liderëve të rajonit si çelësi për t’i mbajtur gjërat siç janë, dhe ruajtur status-quo. Më e keqja është se kjo gjë zvogëlon konkurrencën e ndershme në sektorin publik, si sektori më i madh i punësimit në vendet e rajonit. Në vend që pozicionet në administratën publike t’u shkojnë njerëzve më të talentuar, atyre që vërtet mund të çojnë përpara vendin e tyre, këto pozicione të lakmuara shpërndahen në baza patronazhi, politik apo ekonomik.

Si rezultat, nuk është ai që është më i kualifikuari që i merr këto vende, por ai më mirë i ndërlidhuri. Dhe në afatgjatë, humbja e aftësive është duke e privuar rajonin nga faktorët e tij më të rëndësishëm për transformimin e tij demokratik dhe socialo-ekonomik.

NJË ZGJIDHJE ME DY HAPA

Në rrjedhën e diskutimit të mësipërm, për të arritur një progres domethënës, qeveritë e Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme të përqendrohen te:

1. Forcimi i institucioneve dhe politikave ekonomike për të krijuar mjedisin që i inkurajon qytetarët të qëndrojnë në vendin e tyre.

2. Promovimi i kthimit të emigranteve dhe thithjes së trurit, përmes politikave dhe strategjive të fokusuara, e jo thjesht me “thirrje”. Kjo është e vetmja mënyrë me anë të së cilës të mund të shmangen rreziku i qartë dhe i pranishëm i emigrimit të të rinjve, dhe konvergjenca shumë e ngadaltë e të ardhurave të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor me vendet perëndimore, dy koncepte që përforcojnë reciprocikisht njëri-tjetrin.

Artikulli është marrë nga “The Globalist”. Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës “Marshall” dhe të Qeverive të SHBA dhe Gjermanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura