Ballkani Perëndimor: Mini-Shengeni dhe tregtia e lirë

Dec 11, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

ENGJËLL PERE Engjell=PEre

Pa dyshim, çdo mar rëveshje bashkëpunimi rajonal mbështetet në një situatë të caktuar të bashkëpunimit politik midis vendeve, të fqinjësisë së mirë dhe respektit reciprok. Në Ballkanin Perëndimor, dy nga 6 vendet e rajonit, Kosova dhe Serbia, aktualisht janë mjaft larg këtij niveli bashkëpunimi. Mjafton të përmendim këtu politikë obstruksioniste të Serbisë për mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Sado që të jetë interesi ekonomik, ai është “asgjë” përballë marrëdhënieve aktuale politike midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe kjo ndoshta jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Serbinë, e cila mendoj se kërkon të fitojë më shumë kapital politik dhe dominim në rajon, sesa të përfitojë nga bashkëpunimi reciprok i dyanshëm. Në këtë kuptim, analizat kritike apo të paktën mosbesuese, të idesë së një mini-Shengeni midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë plotësisht realiste, pavarësisht nga përmbajtja e përfitimeve ekonomike apo të lehtësirave që mund t’u krijojë qytetarëve të rajonit.

Duke theksuar kufizimin politik dhe mjaft të debatueshëm të idesë së mini-Shengenit Ballkanik, këtu dëshiroj të paraqes disa opinione në këndvështrimin kryesisht ekonomik të kësaj çështjeje.

Fillimisht, duhet thënë se ideja e një bashkëpunimi ndërrajonal në Ballkan, në një nivel më të lartë, nuk është hera e parë që diskutohet. Sigurisht, nuk është fjala për idenë e Federatës Ballkanike të Josip Broz Titos në vitin 1947, por për 20 shkurtin e vitit 2017, kur Kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Vuçiç, hodhi idenë e një bashkimi doganor midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në atë kohë, Vuçiç theksoi se këtë ide e kishte diskutuar edhe me Kryeministrin e Bosnjë Hercegovinës, Zvizdiç, Kryeministrin Edi Rama dhe kishte marrë miratimin edhe të Kancelarit austriak, Kern. Pra, dy vjet e gjysmë më parë, ideja ishte ajo e një bashkimi doganor, ndërsa sot diskutohet një marrëveshje Shengen në Ballkanin Perëndimor. Në dallim nga ideja e mësipërme e bashkimit doganor (e shkurtit 2017), mini-Shengeni sikurse dihet u dakordësua fillimisht midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Vetëm këto dy fakte mjaftojnë për të krijuar pështjellim dhe mosbesim për atë që diskutohet. Në këtë këndvështrim, mendoj se fillimisht është e nevojshme të saktësohen dallimet midis marrëveshjeve tregtare mes vendeve dhe atyre, të cilat lidhen me lëvizjen e lirë të individëve.

Marrëveshjet tregtare multilaterale njohin në përgjithësi tri nivele të caktuara zhvillimi. Niveli i parë i tyre është ai i marrëveshjeve të tregtisë së lirë midis vendeve, (MTL), të cilat supozojnë eliminimin apo reduktimin në minimum të tarifave të importeve dhe eksporteve midis vendeve, si dhe eliminimin e barrierave, (quotave), tregtare midis tyre. Sikurse dihet, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje të tilla në kuadrin e marrëveshjes CEFTA, (ku është përfshirë në fakt edhe Moldavia). Niveli i dytë i bashkëpunimit tregtar është ai i bashkimit doganor, i cili presupozon heqjen e barrierave doganore, (edhe administrativisht), duke zbatuar tarifa të përbashkëta dhe unike ndaj importeve të vendeve të treta (jashtë rajonit). Në këtë rast, nëse një mall i importuar kalon kufirin doganor të një shteti, ai lëviz “lirshëm” midis të gjitha vendeve të rajonit. Niveli i tretë dhe më i lartë i bashkëpunimit është ai i krijimit të një tregu të përbashkët, i cili presupozon më tej edhe lëvizjen e lirë të kapitaleve dhe fuqisë punëtore. Sikurse dihet, një marrëveshje e tillë është ajo 27 vendeve e Bashkimit Europian (pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar), e cila në kuadrin e një marrëveshjeje të gjerë të bashkimit politik dhe ekonomik, presupozon edhe krijimin e një tregu të përbashkët midis vendeve.

Diçka tjetër është marrëveshja e Shengenit, ku shtetet pjesëmarrëse kanë rënë dakord të ndjekin të njëjtën politikë vizash ndaj lëvizjes së qytetarëve të vendeve të tjera, që do të thotë se nëse një qytetar i një vendi jashtë rajonit hyn në një shtet në rajon, ai mund të lëvizë lirisht pa kontrolle kufitare në të gjitha vendet e tjera të tij.

Në kuptimin e mësipërm, është e qartë se disa vende mund të nënshkruajnë një marrëveshje tregtare, por mund të mos kenë një marrëveshje edhe për lëvizjen e lirë të njerëzve, apo edhe e kundërta. Kështu, në vendet e BE-së ka vende, të cilat nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen Shengen (sikurse është Irlanda, Qipro, etj., apo siç ishte Mbretëria e Bashkuar); ashtu sikurse ka vende të tjera, të cilat janë në Shengen, por jo në BE (për shembull, Norvegjia, Zvicra etj.).

Duke u kthyer te mini-Shengeni Ballkanik, pyetja është: Çfarë do të presupozojë kjo marrëveshje? Thuhet se në të do të konsiderohen të katër liritë e lëvizjes: të mallrave, të fuqisë punëtore, të kapitalit dhe njerëzve. Emërtimi i saj si mini-Shengen, përtej “goditjes” mediatike, krijon më shumë përshtypjen e një marrëveshjeje mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në fakt, ajo duhet të presupozojë lëvizjen e lirë jo vetëm të qytetarëve të rajonit, por edhe atyre të vendeve të treta, të cilat, nëse kalojnë kufirin e një vendi, mund të lëvizin lirshëm, pa asnjë kontroll, në secilin vend tjetër. Kjo do të kërkonte sigurisht miratimin e një politike unike vizash me vendet e treta për të eliminuar diferencat, të cilat aktualisht ekzistojnë midis vendeve të ndryshme. Për shembull, për qytetarët rusë, të cilët udhëtojnë në Serbi, sot nuk nevojitet viza, por nëse ata duan të udhëtojnë në Shqipëri, atëherë viza është e nevojshme. Gjithnjë kjo, nëse do të bëhej fjala për një marrëveshje të tipit Shengen, pasi për lëvizjen e lirë brenda rajonit, të paktën për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, aktualisht nuk kërkohet viza.

Në takimet në Novi Sad dhe Ohër, miniShengeni ka supozuar edhe lëvizjen e lirë të mallrave, kapitaleve dhe të punës. Parimisht, çdo përpjekje për të lehtësuar tregtinë midis vendeve konsiderohet pozitive si për zhvillimin ekonomik, ashtu edhe për afrimin e popujve. Por praktikisht, realizimi i tyre kërkon kapërcimin e një sërë kufizimesh dhe analiza konkrete ekonomike. Fillimisht është e nevojshme të qartësohet nëse bëhet fjalë për tregtinë midis vendeve të rajonit, apo marrëveshje të një bashkimi doganor, apo tregu të përbashkët? Në rastin e parë, shërbejnë në fakt marrëveshjet e tregtisë së lirë (MTL), tashmë të nënshkruara. Ndërsa nëse flitet për një treg të përbashkët, në kuptimin real të këtij nocioni, duhen marrë parasysh disa çështje.

Së pari, sikurse theksuam, tregu i përbashkët midis vendeve presupozon një politikë tregtare unike ndaj vendeve të treta. Kjo do të thotë se krijimi i një tregu të tillë kërkon domosdoshmërisht harmonizimin dhe unifikimin e marrëdhënieve tregtare me vendet e treta. Këtu nënvizojmë se disa vende të Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Serbia dhe Bosnja Hercegovina, nuk janë ende anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO), gjë që do të thotë se këto vende mund të kenë tarifa tregtare mjaft të ndryshme në krahasim me vendet e tjera. Nga ana tjetër, vendet e rajonit aktualisht kanë marrëveshje tregtare specifike, qoftë edhe të tregtisë së lirë, me vende të treta, të cilat nuk mund të lihen jashtë konsideratës. Edhe këto marrëveshje duhet të unifikohen dhe kjo sigurisht mund të shoqërohet me humbje për shfuqizimin e tyre. Marrëveshje të tilla kanë, për shembull, vende e rajonit me Turqinë, të cilat mund të jenë të ndryshme dhe është e nevojshme të unifikohen. Serbia gjithashtu ka një marrëveshje specifike tregtare me Rusinë, të cilën, nëse krijohet tregu i përbashkët në rajon, duhet ta shfuqizojë(ose e njëjta marrëveshje duhet të nënshkruhet midis Rusisë dhe vendet e tjera). Më tej, megjithëse sot integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor duket më i largët, përparimi i tyre drejt BE-së është i ndryshëm dhe në rastin e bashkimit të njërit prej këtyre vendeve me BE-në, ato duhet të rishikojnë marrëveshjet me vendet e tjera të rajonit.

Së dyti, përveç nevojës së unifikimit të tarifave me vendet e treta, krijimi i një tregu të përbashkët domosdoshmërisht do të kërkonte një analizë ekonomike të profilit të strukturës prodhuese të secilit vend.

Në aspektin e nënshkrimit të një marrëveshjeje tregtare, bujqësia konsiderohet si sektori më i vështirë. Mjafton të përmendim këtu BE-në, ku megjithëse bujqësia ka një peshë mjaft të vogël (1.5-2% të PBB), kjo çështje është zgjidhur vetëm nëpërmjet politikave të përbashkëta dhe subvencionimeve të sektorit. Vendi ynë është i vetmi vend në rajon, ku bujqësia zë ende një peshë të konsiderueshme, mbi 22% të PBB-së (më pas vjen Kosova me 12-13%). Në këtë këndvështrim, në kuadrin e një tregu unik rajonal, ne jo domosdoshmërisht mund të kërkonim tarifa të larta ndaj produkteve bujqësore të importuara. Në të kundërtën, Mali i Zi apo Bosnja Hercegovina, si vende importuese kryesisht të produkteve bujqësore, për të mbrojtur bujqësinë e tyre mund të kërkonin tarifa më të larta ndaj importeve të këtyre produkteve. Nga ana tjetër, Serbia në krahasim me vendet e tjera në rajon, konsiderohet më e zhvilluar në industri, e cila jep (mbi 30% të PBB-së), ku peshë të veçantë ka sidomos industria automobilistike. Në kuadrin e një tregu të përbashkët rajonal, mendohet se kjo degë do të ishte e avantazhuar, pasi do të tërhiqte më shumë investime të huaja si rezultat i një tregu rajonal më të madh. Nga ana tjetër, vendosja e tarifave unike për rajonin mund të mbronte industrinë dhe manifakturën relativisht më të zhvilluar serbe nga ndërhyrjet e degëve të reja. Për sa i takon Malit të Zi, në aspektin e profilit ekonomik vendi është më i zhvilluar në turizëm, i cili zë rreth 75% të PBB-së së vendit; por ky sektor është realisht më indiferent ndaj tarifave tregtare të importit. Ndoshta, edhe për këtë arsye Mali i Zi nuk ishte shumë i interesuar për mini-Shengenin Ballkanik në takimin e fundit në nëntor në Ohër. Duke trajtuar aparatin prodhues të vendeve të veçanta të Ballkanit Perëndimor, problemet mund të jenë të shumta, por në përgjithësi mund të mendohet se një treg i përbashkët normalisht do të mund të fuqizojë profilet përkatëse të çdo vendi.

Përtej situatës politike, të gjitha këto përshtatje, si në aspektin e unifikimit të politikave me vendet e tjera, ashtu edhe me harmonizimin e interesave ekonomike midis vetë vendeve ballkanike, duken mjaft të vështira të realizohen brenda vitit 2021. Qoftë kjo edhe për tri vendet iniciuese, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

E gjitha kjo, nëse do të do t’i përmbaheshim rigorozisht kuptimit të marrëveshjeve tregtare bilaterale, apo marrëveshjes së Shengenit. Në të kundërtën, nëse mini-Shengeni Ballkanik do të nënkuptonte një zhvillim të mëtejshëm dhe në tërësi të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, kjo do të ishte gjë tjetër. Në këtë rast, bazë do të ishin gjithsesi marrëveshjet e tregtisë së lirë apo marrëdhëniet midis vendeve, të cilat sigurisht mund të përparonin dhe zhvilloheshin më tej.

* Universiteti “Luarasi”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura