Ballkani im i lëndueshëm

Oct 8, 2017 | 13:00
SHPËRNDAJE

LINDITA ARAPI

lindita arapi

Jemi mësuar të lëvizim nëpër botë bashkë me imazhet tona të parapërgatitura për vende e popuj, deri sa realiteti na i vë në sprovë.

Sapo kisha mbërritur në Split, për të qenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Poligon” në Split e Mostar, kur imazhi im për qytetin bregdetar kroat iu nënshtrua realitetit. Split: Shoferi kroat, që do të duhej të më çonte nga aeroporti në hotel, më përshëndeti e kur iu afruam automjetit, ai hapi derën dhe u fut i pari në anën, që, në fakt duhej të ngjitesha unë.

“Dera nga ana ime nuk hapet”, u justifikua si në faj ai. Ulur në makinë, pashë derën gjysmë të shkatërruar të mbuluar nga brenda me plastmasë. “Ne këtej përpiqemi të mbijetojmë”, ishin fjalët e para të tij, sapo u nisëm. Diell për turistët. Nga dritarja, në anën time të rrugës pashë si buzëqeshte Heidi Klum nga një poster gjigand, me mbishkrimin: “Let’s make wow!” Por në këtë moment ,Gjermania m’u duk si një planet i largët, i përkëdhelur nga fati. Jam në Kroaci, anëtaren më të re të BE-së, me njerëz të pashpresë, që grinden me vete gjithë ditën e zotit për “gabimin e vetëm në jetë, që nuk ikën jashtë shtetit”, siç më tha edhe shoferi kroat.

“Por Spliti është i bukur, diell, det, kafenetë plot, shëtitorja Riva”, i thashë unë. “Jobs, jobs”, përsëriste shoferi kroat, e unë kuptova se ajo ndjesia e dielltë e jugut ngroh më shumë zemrat e turistëve se të vendalinjve.

Po marrëdhëniet me fqinjët, doja të dija unë më shumë. Shoferi tundi kokën i menduar e tha, “E dini, politika nuk ka interes për këtë, ata i bëjnë të tjerët të këqij, herë janë serbët, herë boshnjakët, pala tjetër kundërpërgjigjet…e kështu vazhdon kjo te ne”. Shoferi kroat do t’i kishte fshirë vrullshëm me forcën e realitetit të tij të përditshëm, fjalitë e bukurmenduara të shkrimtarëve nga Europa në takimin e Splitit…, por ai më la mua para hotelit e vazhdoi rrugën e tij. Atë darkë, fjalët e mia m’u dukën fraza boshe.

Mostar: Ndihem disi fajtore, sa më shumë i afrohem këtij qyteti…ndoshta sepse unë jetoja e sigurt, kur këtu dergjeshin kufoma në rrugë, kur u shkatërrua ura e Mostarit, kur banorët e këtij qyteti, me ëndrra, ashtu si edhe unë, panë se si ato iu zhdavaritën para syve. Në një rrugë anësore renditen varreza djemsh, të gjithë të rinj, të shuar në vitin 1992. Ka qenë viti kur unë studioja, si do të kishte qenë jeta ime, sikur unë thjesht të kisha lindur në CHRISTOPH STRACK këtë qytet?

Për fat, luftë nuk ka më, qyteti është rinovuar, turistët shëtisin lart e poshtë urës së Mostarit, tani breshëri aparatesh fotografikë, ndërtesat e shkatërruara, të lëna si në kohën e luftës, janë sot një motiv i preferuar fotosh…me sa duket edhe lufta mund të kthehet në atraksion turistik. Veçse plagët, jo.

Nga kaq shumë turistë para syve, fillimisht nuk të shkon mendja te to, por ato ekzistojnë, bëjnë jetën e tyre, disa janë shëruar ndoshta, disa janë vulosur në emër të së ardhmes, të tjerat trajtohen enkas me merak për të mos ndalur kurrë së dhemburi, që të mos shuhet kujtimi i armikut në anën tjetër. Kështu rrodhi koha e Mostari, thirret sot qyteti i ndarë mes boshnjakëve e kroatëve. Trauma e luftës e përjetësuar në aktualitet. Konkurrencë viktimash.

“Ne jetojmë në një atmosferë të keqardhjes e mëshirimit, njëri është më shumë viktimë se tjetri, madje kemi të bëjmë edhe me një komercializim të vuajtjes”, thotë Mirko Bozic, shkrimtar që jeton në Mostar. “Ky reduktim vetëm në vetëdijen e viktimës, ul viktimat e luftës”, është i mendimit shkrimtari. Ballkani im, je ende kaq i lëndueshëm! Edhe kjo, sigurisht, një traumë e luftës. Problematike është, kur lëndueshmëria instrumentalizohet duke penguar kështu të ardhmen, si në Mostarin e ndarë. …e në një farë mënyre të gjithë janë në Ballkan të lëndueshëm, kaq shpejt të lëndueshëm, saqë mjafton edhe një provokim i vogël që emocionet të ziejnë, një provokim mund të kthehet në aferë shtetërore, si në rastin e flamujve shqiptarë të hedhur në stadiumin e Beogradit, para pak vitesh.

Sepse ende Ballkani është i ndarë në llogoren-ana ime është vetëm viktimë, fajtorë janë të tjerët. E ngrirë në një reduktim të tillë e pa vetëreflektim, e shkuara bllokon të ardhmen, e këtu në Mostar, vetiu pyet veten: Ballkani im, po kur do të trokasë më në fund e ardhmja jote?

*** Në kthim, nga Mostari më çoi në aeroport një djalë i ri mysliman, që nuk kishte asnjë mik kroat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura