Ballafaqohet raporti konfidencial/ Ç’ndodhi në mbledhjen e Ramës me krerët e qarqeve, ja porositë që u dha: Mos neglizhoni as …

Sep 15, 2020 | 14:28
SHPËRNDAJE

Kryeministri dëgjoi dje drejtuesit politikë të PS-së në qarqe lidhur me punën e bërë nga drejtuesit e institucioneve kryesore në qarqe.edi-rama-elbasan-grupi-parlamentar

Në mbledhjen e përjavshme të tij me njerëzit e emëruar prej tij për të monitoruar dhe organizuar partinë në çdo qark, Kryeministri u ka kërkuar të vetëve që të kenë një sy dhe nga kundërshtari politik dhe përgatitjet që ata po bëjnë për zgjedhjet e 2021.

“Mos neglizhoni organizimin e kundërshtarëve tanë politikë, edhe pse ata janë larg ofertës sonë qeverisëse dhe të bërjes politikë”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri Rama në këtë takim. Me radhë, sipas qarqeve, drejtuesit politikë raportuan para Kryeministrit mbi situatën dhe problematikat në zonat që ata mbulojnë. Burimet bëjnë me dije se në mbledhje janë bërë projektime të të dhënave nga drejtuesit politikë mbi ecurinë e punës, por edhe ato çështje të cilat hasin vështirësi.

Qarqet me ecurinë e punës më të mirë dhe nga ku pritshmëritë për mbështetje në zgjedhje janë më pozitive. Vlerësim pozitiv është dhënë edhe nga qarqet e Jugut, ndërsa problematikat gjatë raportimit janë vërejtur më shumë në qarqet e Veriut. Kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithë drejtuesve politikë. Ai ka kërkuar që të tregohet kujdes në shërbimet për qytetarët, si për shembull në hipoteka apo kudo tjetër që ofrohen shërbime për qytetarët.

ANALIZA

Partia Socialiste do të “pastrojë” krerët e drejtorive në qarqe, puna e të cilëve nuk gjen mbështetje te qytetarët. Në takimin e një jave më parë në selinë rozë, me 12 drejtuesit politikë të PS në qarqe, Kryeministri Rama ka kërkuar nga krerët e qarqeve që objektivi i PSsë në këto zgjedhje duhet të jenë 74 mandatet ose rreth 800 mijë votat, të cilat do t’i japin mandatin e tretë qeverisës me një siguri në qeverisje pa pasur nevojë për mandate të tjera në Parlament.

Mësohet se Kryeministri e ka vënë theksin në dhënien përgjigje të shqetësimeve të qytetarëve ndaj shërbimeve që ata marrin nga zyrat e shtetit. Duket se kryesocialisti ka vendosur që pastrimin ta nisë nga qarqet, aty ku funksionojnë drejtoritë e rëndësishme rajonale, siç janë ato të tatimeve, doganave, arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.

Mësohet se Kryeministri ka marrë një raport konfidencial nga kryebashkiakët, të kërkuar prej tij për performancën e drejtorive rajonale që funksionojnë në bashkitë e tyre. “Për të marrë të paktën 74 mandate në zgjedhje, duhet të masim performancën e drejtuesve dhe deputetëve në çdo qark”, mësohet të jetë shprehur kryesocialisti në mbledhjen e djeshme.

Sipas Ramës, përmirësimi i qeverisjes dhe mesazhi që duhet t’u japin qytetarëve duhet të fillojë nga zyrat e shërbimeve në çdo qark. Kreu socialist u ka kërkuar drejtuesve të tij politikë në qarqe që të përgatisin për mbledhjen e ardhshme një raport mbi problematikat që kanë qarqet dhe çdo bashki, përmes të cilave qytetarët nuk kanë gjetur zgjidhje dhe se cili në gjykimin e tyre ka qenë shkaku që ato nuk kanë gjetur zgjidhje, kur PS-ja drejton pushtetin qendror dhe atë vendor në të gjithë vendin.

Dhjetë ditë më parë, kryesocialisti bëri disa ndryshime në drejtimin politik në qarqe, duke marrë vetë drejtimin e Qarkut të Durrësit, ndërsa në Tiranë caktoi kryebashkiakun Erion Veliaj. Po ashtu, në Shkodër Rama caktoi Ilir Beqajn pas largimit të Ditmir Bushatit dhe dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Në Kukës, kryesocialisti caktoi Safet Gjicin, kreun e Bashkisë Kukës, ndërsa riktheu në Lezhë ish-ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura