Ballafaqimi/ Shullazi kërcënon prokuroren: Kam incizime, do dalin emra…

Dec 14, 2017 | 15:32
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ylvi Beqja, biznesmeni që ka kallëzuar Emiljano Shullazin për gjobëvënie, u ballafaqua për të dytën herë me të në gjyq. Seanca u zhvillua ditën e djeshme te Krimet e Rënda, në të cilën pati sërish debate mes palëve.

shullazi-beqja

Bëhet fjalë për çështjen e ish-hotel “Vollgës”, ku biznesmeni Ylvi Beqja ka kallëzuar Shullazin se e ka kërcënuar që t’i kalojë pronësinë e godinës.

Po kështu, për ballafaqim ishin thirrur edhe noterja Aida Spahiu, në zyrën e së cilës u krye akti i dhurimit të ishhotel “Vollgës”, ish-truproja i biznesmenit Beqja dhe një dëshmitar tjetër, Besnik Musai.

Seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ku Beqja dhe Musai u shoqëruan në seancë nga tre efektivë të maskuar të Forcave Speciale. Në këtë seancë pati edhe përplasje mes Emiljano Shullazit dhe prokurores Elisabeta Imeraj.

Ky i fundit iu kthye prokurores për të disatën herë, duke thënë se kishte incizime që tregojnë se si janë mësuar dëshmitarët të dëshmojnë kundër tij nga Prokuroria.

“Këta kanë tabulatet, ne kemi incizime se si i mësoni dëshmitarët dhe mos kujtoni se nuk ju ka shpëtuar edhe juve ndonjë fjalë. Kemi edhe ne dëshmitarët tanë që do të tregojnë emra prokurorësh”, tha Shullazi në seancë, duke iu drejtuar prokurores. Po kështu, në sallë pati edhe debate mes Ylvi Beqes dhe ish-truprojës së tij.

Ky i fundit ka deklaruar se Beqja dhe Shullazi shkonin mirë me njëri-tjetrin dhe se nuk kishte pasur kërcënime, por biznesmeni e akuzoi se i ka marrë një shumë prej 26 mijë eurosh dhe e ka kaluar në emrin e familjarëve të vet, si edhe që është kërcënuar nga Shullazi për të mos dëshmuar kundër tij. Po kështu, edhe noterja Aida Spahiu tha në seancë se nuk ka pasur tensione mes Beqes dhe Shullazit kur është bërë akti i dhurimit të ish-hotel “Vollgës” dhe se ajo nuk është kërcënuar asnjëherë, ndryshe nga sa pretendon Ylvi Beqja.

Nga ana tjetër, dëshmitari Besnik Musai deklaroi se ka parë Endri Qyqen duke ngritur qepenin e zyrës së noteres në momentin që firmosej akti i dhurimit të ish-hotel “Vollgës”.

Dëshmitë e tij u kundërshtuan nga avokatët mbrojtës, të cilët kërkuan që të ndryshohen masat e sigurisë ndaj klientëve të tyre. Por kërkesa u rrëzua nga trupi gjykues i kryesuar nga Fran Prendi. “Panorama” sjell të gjitha debatet e ditës së djeshme në seancën gjyqësore.

BALLAFAQIMI MES YLVI BEQES DHE NOTERES

Aida Spahiu (noterja): Nuk ndryshoj asnjë thënie që kam deklaruar më parë në Prokurori. Sa i përket takimit tim në Rinas me Ylvi Beqen, i cili ka thënë se unë isha e trembur dhe isha kërcënuar, dua të deklaroj se ai takim ishte thjesht rastësor dhe nuk i shpreha asnjë shqetësim zotit Beqja. Nuk kam çfarë të shtoj tjetër. Të dyja palët ishin në kushte normale kur firmosën aktin e dhurimit të ish-hotel “Vollgës” dhe nuk ka pasur konflikt në zyrën time.

Ylvi Beqja: Unë shpreh bindjen e plotë, zoti gjyqtar, se zonja e nderuar nuk tregon të vërtetën. Unë kam argumente dhe fakte për këtë. Sa u përket atyre që kam deklaruar, se jam kërcënuar nga i pandehuri në Durrës, u qëndroj deklarimeve të mia në Prokurori, pa u hequr asnjë presje. Fakte për mua janë tabulatet telefonike, kamerat e bizneseve aty pranë dhe njerëzit që kanë hyrë dhe kanë dalë që më kanë parë duke u kërcënuar.

Avokati i Shullazit: Këto që thoni ju, nuk dimë nëse janë hipotetizma apo romantizma me Prokurorinë…

Ylvi Beqja: Nuk e di a e dini ju, por unë atë avokatin atje (Vladimir Meçe) e kam kallëzuar penalisht.

Avokati i Shullazit pyet noteren: Janë përmendur shuma parash gjatë përpilimit të kontratës për ish-hotel “Vollgën”?

Aida Spahiu: Ajo ishte kontratë dhurimi, nuk bëhet me para.

Emiljano Shullazi: A janë përmendur apo jo lekët?

Aida Spahiu: Jo, s’janë përmendur shuma parash.

Emilajno Shullazi: Dhe sa u përket tabulateve që thotë ky zotëria, le t’i gjejë ato Prokuroria.

Ylvi Beqja: I kam unë tabulatet dhe e kam parë noteren të shqetësuar në Rinas.

BALLAFAQIMI MES YLVI BEQES DHE ISH-TRUPROJËS

Ish-truproja: Zoti gjyqtar, unë i qëndroj dëshmisë sime të parë që kam dhënë përpara këtij trupi gjykues, se nuk jam vënë për asnjë moment në dijeni të kërcënimeve të të pandehurve ndaj ish-punëdhënësit tim, Ylvi Beqja. Për asnjë moment ai nuk më ka përcjellë ndonjë shqetësim lidhur me këta shtetas. Sa kohë unë kam qenë në detyrë, ai nuk është kërcënuar asnjëherë. Po të ishte kërcënuar, unë do t’i kisha marrë të gjitha masat, për të, për familjen e tij dhe për veten time. Unë nuk ndryshoj asnjë gjë nga dëshmia ime e mëparshme.

Ylvi Beqja: Zotëria, pasi u largua nga unë, nisi punë te Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Më pas e mori një biznesmen që e largoi për arsyet e veta dhe unë e punësova përsëri. Ka marrë 26 mijë euro që do t’ia jepja Gilmando Danit dhe i ka futur në llogarinë e babait të tij. Unë kërkoj të verifikohet kjo gjë nga hetuesit.

Ish-truproja: Unë kam thyer vetëm një çek në bankë. Kam qenë me Ylviun dhe paratë ia kam dhënë atij. Nuk jam porositur t’ia jap tjetërkujt. Ai ka shkuar shumë mirë me Gilmando Danin. Janë takuar disa herë bashkë. Unë marrëdhëniet me Ylvi Beqen i kam pasur të mira deri sa u largova.

Prokurorja pyet Ylvi Beqen: Sa kohë ka punuar me ju shtetasi, truproja R.T.? Ylvi Beqja: Ai ka nisur punë në vitin 1999. Ka punuar katër vjet me mua fillimisht dhe më pas është larguar, duke nisur punë te Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Nga aty e mori një biznesmen dhe…

Prokurorja: Kur është larguar përfundimisht?

Ylvi Beqja: Në vitin 2014, iku përfundimisht nga frika, se ai është kërcënuar.

Avokati i Shullazit pyet Ylvi Beqen: Sa i përket atij çekut që thoni, a janë bërë veprimet në X bankë?

Ylvi Beqja: Po aty janë bërë, dhe zotërisë (ish-truprojës) i kam dhënë vetëm një çek…

Gilmando Dani pyet ish-truprojën: Pasi u largove, a i ke thënë ndonjëherë në telefon Ylvi Beqes “ik përplas kokën”?

Ish-truproja: Jo, asnjëherë.

Gilmando Dani: Jemi takuar ne të tre ndonjëherë bashkë?

Ish-truproja: Po, jemi takuar.

Gilmando Dani: Po Besnik Musai (dëshmitari), ka qenë me ne?

Ish-truproja: Jo, ai nuk ka qenë asnjëherë.

BALLAFAQIMI MES NOTERES DHE DËSHMITARIT MUSAI

Besnik Musai: Unë u qëndroj deklaratave të mia të më- parshme, zoti gjyqtar, se ditën që është bërë akti i dhurimit të ish-hotel “Vollgës” kam parë në zyrën e noteres Endrit Qyqen, duke hapur dhe mbyllur qepenin.

Aida Spahiu: Edhe unë zoti gjyqtar u qëndroj deklarimeve të mia të mëparshme se s’ka pasur asnjë gjë të pazakontë në aktin e dhurimit.

Avokati i Shullazit pyet noteren: Dua të saktësoj një detaj. Atë ditë është mbyllur dhe hapur qepeni i zyrës dy herë, apo jo?

Aida Spahiu: As nuk është hapur dhe as nuk është mbyllur. Dhe këtë zotërinë (Besnik Musain) nuk e njoh fare.

Avokati i Shullazit: A dolën ndonjëherë jashtë zyrës Emiljano Shullazi dhe Ylvi Beqja përpara se të firmosnin kontratën?

Aida Spahiu: Jo, nuk kanë dalë.

Endrit Qyqja pyet Besnik Musain: Kur më ke parë mua?

Besnik Musai: Të kam parë duke hapur dhe mbyllur qepenin e zyrës dhe më pas të kam parë në televizor, siç kam thënë në Prokurori.

Endrit Qyqja: Unë jam arrestuar në tetor, ti ke thënë që më ke parë në TV në shtator, si ka mundësi?

Emiljano Shullazi: Ku e pa ky Endritin, kur ky është arrestuar në tetor?

Prokurorja pyet dëshmitarin: Kur e keni parë për herë të parë Qyqen?

Besnik Musai: Te noterja, kur firmosej akti i dhurimit. Pastaj e kam parë edhe në TV dhe ma shpjegoi dhe Ylviu.

Avokati i Shullazit: Po ç’punë ka Ylviu me dëshmitarin. Kjo shpjegon se këtë e kanë mësuar të dëshmojë në këtë mënyrë…

Emiljano Shullazi: Se këta kanë tabulate dhe ne kemi incizime…Mos kujtoni se nuk ju ka shpëtuar ndonjë fjalë. Do të vijnë dhe dëshmitarët tanë të tregojnë emra prokurorësh…

Prokurorja: Po çoji në prokurori incizimet…

Emiljano Shullazi: S’kam besim te Prokuroria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura