Balla: Ja çfarë Grida Duma duhet t’u sqarojë durrsakëve. Vetshpallja akademike, nuk e bën të pafajshme

Apr 28, 2015 | 18:11
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist Taulant Balla ka reaguar sot pas deklaratave të kandidates së PD-së për Bashkinës e Durrësit Grida Duma, duke i kërkuar kësaj të fundit se si sipas tij, ka shitur apartamente nga dy herë.

‘Dëgjova shqetësimin e zonjës Duma e cila duke vetkonsideruar veten akademike, përjashton mundësinë që të jetë dhe e inkriminuar. Në të vërtet para se të na tregoj historinë e saj si akademike, zonja Duma të dëshmoj para shqiptarëve historinë e mashtrimit të saj dhe ortakut të saj në biznes ndaj qytetarëve, që u kanë shitur nga dy herë apartamente. Mashtrim për të cilin prokuroria i ka konsideruar fajtorë, duke vuajtur dënimin me burg partneri i saj, i cili është në cilësinë e administratorit të kompanisë”,- thekson Balla.

Taulant Balla

Balla vijon edhe më tej kur i kërkon Dumës që të jetë transparente dhe t’u shpjegojë durrsakëve “historinë e futjes së saj në biznesin e ndërtimit si ortake, pa pasur as kapital dhe as njohuri në fushën e ndërtimit. Ne ende nuk dimë cilat janë asetet e Gridës që kanë detyruar një biznesmen ta bëj ortake në biznesin e ndërtimit dhe që në fund e çoi drejt dyerve të burgut. Për më tepër një biznesmene ndërtimi e akuzuar për mashtrim, tani kërkon të bëhet kryetare bashkie, duke u lavdëruar me biografinë e saj si ndërtuese mashtruese”,- vijon deklarata e Ballës.

“Po ashtu nëse ka dëshirë të jetë transparente zonja Duma mund të flas se si u përfshi në një operacion financiar me një bankë tjetër për të shlyer problemin e mashtrimit me kompaninë e saj, çfarë pasurish ka vënë si barrë hipotekore dhe nëse është nën hetim për këtë çështje apo jo”,- vijon të kërkojë sqarime nga Duma, deputeti socialist.

“Fakti që është vetshpallur akademike, nuk e bën të pafajshme. Edhe Xhelal Mziu është vetshpallur akademik, bile dhe Doktor Shkencash, por është në një listë me zonjën Duma, si i dënuar nga drejtësia”,- ironizon Balla.

“Zonja Duma nuk ka problem me Partinë Socialiste, por me drejtësinë. Nuk e ka çuar në prokurori dhe gjykatë PS, por ish ortak të saj, të cilëve u ka hyrë në pjesë në bizneset e tyre familjare dhe tani është duke pastruar historitë e saj. Kur të mbaroj të na njoftoj, por deri atëherë bën mirë të hesht!”,- mbyllet reagimi i Ballës për mediat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura