DIALOGU I PLOTE/ Balla batuta me Bregun në komision: E ke inat Gridën. Përgjigjet ish-ministrja: S’je elegant në TV

Apr 22, 2015 | 11:44
SHPËRNDAJE

Prezantimi i kandidatëve kryesorë për bashkitë e vendit duket se ka lënë pas dore punën e deputetëve në komisionet parlamentare. Komisioni i Ligjeve ka shtyrë shqyrtimin e projektligjit të qeverisë “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Komisioni i Integrimit

Edhe pse ishte caktuar në axhendë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, njoftoi shtyrjen për shkak se relatori i projektligjit, kandidati për Bashkinë e Fierit, Armando Subashi, ishte i zënë me fushatën në zonën e tij. Ndërkohë që replikat dhe batutat për fushatën nuk kanë munguar edhe në Komisionin e Integrimit.

Kryetarja e Komisionit, demokratja Majlinda Bregu, në disa raste ka kërkuar vëmendjen e deputetëve dhe angazhimin e tyre për diskutuar rreth projektligjit “Për Postën shqiptare”, dhe jo të mendonin si të iknin sa më parë nga mbledhja. “Keni ndonjë koment apo ndonjë vërejtje, përveçse e keni mendjen të gjithë për të ikur dhe për t’u marrë me fushatë?”, ironizoi Bregu me kolegët.

BATUTAT
Edhe në këtë mbledhje nuk kanë munguar batutat për kandidaten e Partisë Demokratike në qytetin e Durrësit, Grida Duma.

Në këtë mbledhje ishte i pranishëm ish-zëvendësministri i Integrimit, Majlind Lazimi, aktualisht drejtor i Postës, por sipas kryetares së Komisionit ky i fundit nuk ishte i ftuar zyrtarisht të ishte i pranishëm. “Je i paftuar me shkresë? Ke të drejtë në fakt, se unë nuk e ngrita kokën as që të të shihja fare që ishe këtu Majlind, të kërkoj ndjesë. E di që je drejtori i Përgjithshëm i Postës, kështu që mirëserdhe, megjithëse i paftuar”, tha Bregu.

Ndërkohë që socialisti Taulant Balla ka ironizuar me Bregun, duke thënë se ka inat me të gjithë zëvendësministrat e Integrimit, duke i përmendur rastin e Grida Dumës. “Ish zëvendësministrat e Integrimit i ka inat Majlinda… Ka lidhje me Gridën(Duma)”, ironizoi Balla.

Ndërkohë që Bregu e ka quajtur socialistin si jo elegant edhe në përballjet e fundit televizive me kandidaten e Durrësit. “Ka të bëjë me inatin që ke ti me të gjithë ata të qeverisë që ishte. E ka problemin shumë të madh, që kur ka filluar të mos jetë më elegant nëpër emisionet televizive”, iu përgjigj ajo. FATION BINJAKU

BATUTAT TEK INTEGRIMI

Majlinda Bregu: A ua keni dërguar shkresat ministrave? T’ia kishit çuar se nuk do i presim më 21 qershor, por s’i presim ministrat më 21 qershor në komision. Zonja ministre (Milena Harito), na bëni një prezantim të ligjit për Postën!

Arben Imami: Mos duhet ta bëjë drejtori i Postës?

Majlind Lazimi(drejtori i Postës): Kam ardhur i paftuar ndoshta. Kam ardhur me ftesë të ministres dhe ndaj pranova të vij…

Majlinda Bregu: Je i paftuar me shkresë? Ke të drejtë, në fakt, se unë nuk e ngrita kokën as që të të shihja fare që ishe këtu Majlind, të kërkoj ndjesë. E di që je drejtori i Përgjithëm i Postës, kështu që mirëserdhe, megjithëse i paftuar…

Taulant Balla: Ish-zëvendësministrat e Integrimit i ka inat Majlinda…

Majlinda Bregu: Jo, ministrat dhe zv.ministrat qe kam punuar. Kjo është batutë koti, që s’ka lidhje me mua.

Taulant Balla: Jo, jo ka lidhje me Gridën(Duma)…

Majlinda Bregu: Ka të bëjë me inatin që ke ti me të gjithë ata të qeverisë që ishte…

Bujar Derveni: S’e ka me të gjithë…

Majlinda Bregu: E ka problemin shumë të madh, që kur ka filluar të mos jetë më elegant nëpër emisionet televizive. Zonja ministre, mos u habisni është mëngjisi i ditës së hënë, debat sa për nxehje.

(Ministrja Milena Harito prezanton relacionin e projektligjit)

Majlinda Bregu: A ka pyetje, komente? Po vëmendje ka?

Bujar Derveni: Vëmendje maksimale.

Majlinda Bregu: Keni ndonjë koment apo ndonjë vërejtje, përveçse e keni mendjen të gjithë për të ikur dhe për t’u marrë me fushatë?

Taulant Balla: Mos u nxito, mos u nxito!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura