‘Escobari’/ Balili shpallet në kërkim policor, nuk ka kaluar kufirin

May 16, 2016 | 8:07
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit shpall në kërkim policor ish-drejtorin e Shërbimit të Transportit Rrugor të Sarandës, Klement Balili. Shpallja në kërkim është bërë me iniciativën e Policisë, me qëllim shoqërimin e tij, edhe pse ende nuk ka një urdhër ndalimi.

klement-balili-2

Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se emri i Balilit është përfshirë në listën e të kërkuarve brendapërbrenda vendit dhe jo ndërkombëtarisht, pasi të paktën në rrugë zyrtare ai rezulton të jetë ende në Shqipëri.

Nga verifikimet në sistemin TIMS, nuk rezulton që ai të ketë kaluar kufirin, edhe pse nuk përjashtohet si mundësi, pasi mund të ketë përdorur ndonjë pasaportë me identitet tjetër, apo edhe kufirin e gjelbër. Gjithashtu, në sistemin TIMS është lënë edhe një shënim për Balilin, si i kërkuar me kartelë të verdhë, për rastet kur kërkohet shoqërimi i një personi, për objekt të një hetimi të nisur ndaj tij, apo kur përmendet emri i tij.

Të njëjtat burime konfirmuan se, përveç pikave të kalimit kufitar, edhe të gjitha komisariatet dhe njësitë policore kanë të dhënat e tij si person në kërkim nga ana e Policisë.

Edhe pse nuk specifikohet qartësisht arsyeja e shpalljes në kërkim, burimet thanë se bëhet fjalë për kërkim policor ndaj Balilit, ndërsa nga Prokuroria nuk ka ende një urdhër ndalimi për të. Kjo edhe për arsyen se Policia dhe Prokuroria greke nuk kanë nxjerrë ende një urdhër arresti ndërkombëtar për të. Nga ana tjetër, as aktet hetimore të administruara nuk janë shkëmbyer apo nuk janë përkthyer për t’iu dorëzuar organeve shqiptare, Policisë apo Prokurorisë.

VERIFIKIMET

Nga kontrollet e kryera në sistemin e Policisë Kufitare TIMS, rezulton se Klement Balili nuk ka dalë nga Shqipëria. Por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar me pasaportë false, apo nga kufiri i gjelbër. Ish-drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor të Sarandës, nga fshati Stjar i Delvinës, është identifikuar si një nga krerët e grupit të trafikut të drogës, të goditur nga policia greke e ajo shqiptare në një operacion të drejtuar nga DEA amerikane dhe Europol.

Pjesë e këtij grupi janë edhe dy vëllezërit Dhimitër dhe Xhevahir Poti, rezidentë në Holandë. Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se për llogari të këtij hetimi, në çdo rast, nëse do të identifikohet një tentativë e mundshme e kalimit të kufirit nga ana e Balilit, ai do të ndalohet me qëllim për t’u marrë në pyetje.

Po kështu burimet thonë se u janë lënë detyra Policive Vendore me qëllim identifikimin e mundshëm të vendndodhjes së tij me qëllim ndalimin dhe marrjen në pyetje. Policia e Sarandës ka kryer një kontroll në banesën e Klement Balilit dhe nuk e ka gjetur aty. Ish-drejtori i Transporteve të Sarandës, i dyshuar si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, dyshohet se është larguar për t’iu shmangur hetimeve.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura