Balilajt “ruajnë” shtetin, si u dhanë 9.2 milionë lekë për kompaninë e familjes

Dec 17, 2017 | 17:50
SHPËRNDAJE

Kompania e familjes së Klement Balilit, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” dhe një ndër personat më të kërkuar nga Policia shqiptare, ka marrë në ruajtje institucionet kryesore të vendit, përfshirë këtu edhe prokuroritë që duhet ta hetojnë atë. Në emër të kompanisë “Balili-KO” vazhdojnë të lëvrohen miliona lekë nga thesari i shtetit.

baliliiii

Të dhënat janë publikuar nga “Open Data”, sipas së cilës rezulton se Shoqëria e Sigurimit dhe Ruajtjes Fizike “Balili-KO”, në pronësi të Bashkim Balilit (vëllai i madh i Klement Balilit), për vitin 2016 ka përfituar 94.236.818 lekë (të rinj), transaksione nga buxheti i shtetit. Ajo që bie në sy është se institucionet që ruhen nga Balilajt janë Prokuroria e Sarandës, Prokuroria e Gjirokastrës, Prefektura e Qarkut Vlorë, Universiteti Politeknik, spitalet e disa rretheve, shtëpia e fëmijëve në Sarandë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bashkia Sarandë etj.

Gjithashtu, kjo kompani rezulton fituese e një kontrate në Parkun Kombëtar të Butrintit, një zonë kjo në patronazhin e UNESCO-s. Kontrata fituese ka si qëllim ruajtjen me anë të policisë private të Parkut dhe tenderi është fituar më 1 prill 2017. Edhe Prokuroria e Sarandës rezulton se ka likuiduar fatura te Balilajt më datë 07.12.2017, pra vetëm rreth një javë më parë.

bal

Të gjitha këto transaksione dhe kontrata të rivendosura me Balilajt janë kryer edhe në periudhën kur Klement Balili rezulton si një ndër personat më të kërkuar në vend. Duket ironike, por Prokuroria e Rrethit Gjirokastër dhe Prokuroria e Rrethit Sarandë kanë lidhur kontratë me kompaninë e Balilajve që të ruajnë godinat e këtyre institucioneve që në fakt i kanë nën hetim ata.

Rezulton se transaksioni i fundit i kompanisë “Balili-KO”, është bërë më 14 dhjetor të këtij viti, pra dy ditë më parë dhe fatura prej 1.4 milionë lekësh të vjetër iu likuidua Balilajve nga Bashkia e Sarandës. Në total, “BaliliKO” ka kryer 297 transaksione me institucionet e shtetit, me një vlerë prej 94.2 milionë lekësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura