Balerinët e TKOABAP kthehen me trofe, vlerësohen dhe nga Carla Fracci

Jun 28, 2016 | 18:21
SHPËRNDAJE

Balerinët e trupës së baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor u kthyen dje në Tiranë me trofeun “Arrëthyesit e artë”. Ata morën pjesë në Festival Internazionale della Danza e delle Danze, që u zhvillua në Nepi të Italisë.

carla fracci ilir kerniAta u nderuan për kontributin e veçantë dhënë në fushën e baletit. Gjatë ditëve të festivalit, balerinët shqiptarë kanë marrë vlerësimet më të mira edhe nga ikona e baletit botëror, Carla Fracci, e cila një vit më parë u nderua me të njëjtin çmim për karrierën e saj të shkëlqyer.

Po ashtu, balerinët shqiptarë patën mundësi t’i prezantohen publikut me dy performanca, një pjesë baleti modern, shkëputur nga vepra “No Commeco”, me koreografi të Daniel Cardoso dhe një pjesë baleti klasik, të shkëputur nga “La Sylphide”.

“Kombëtarja e vërtetë kthehet në shtëpi si fituese e çmimit ‘Lo Schiaccianoci d’Oro’. Kaluam dy mbrëmje fantastike dhe të papërsëritshme me legjendën e baletit botëror Carla Fracci. Fjalë dhe nderim shumë prekës nga ana e saj në adresën tonë. Ndihemi mirë, vërtet mirë, protagonistë të një kohe tjetër”, shprehet drejtori i TKOBAP, Ilir Kerni, i cili një falënderim të veçantë ia dërgon ambasadores shqiptare në Romë, Anila Bitri, për mbështetjen në këtë aktivitet.

Ndërkohë ka nisur puna për edicionin e katërt të projektit “Koreolabos”. Ky projekt, që e mbyll sezonin artistik në TKOBAP, këtë vit ngjit në skenë 5 koreografë të rinj dhe 5 pjesë koreografike, kryesisht moderne. Bëhet fjalë për veprat “NoBody’s Land” nga Blenard Azizaj, “Power of the chair” nga Eltion Merja, “To be continued…” nga Elton Cefa, “Rituali i pasqyrës” me koreografi nga Jera Çurçija dhe “Fanaticum” nga Julind Dervishi.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura