“Balena që ishte nëndetëse”, 25 shqiptarë në muzeun hungarez

Jul 12, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Pas ekspozitës së hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, shqiptarët u kthejnë vizitën miqve. Një skuadër prej 25 artistësh shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës do të prezantojnë artin bashkëkohor në Ludwig Museum – Muzeu i Artit Bashkëkohor në Budapest.

Nga “Trilogjia shqiptare” e Armando Lulajt
Nga “Trilogjia shqiptare” e Armando Lulajt

Janë disa nga emrat më në zë të artit bashkëkohor shqiptar, tashmë me një karrierë të shtruar jashtë vendit, si Anri Sala, i cili së fundmi nuk mungon në asnjë aktivitet që zhvillohet qoftë në Tiranë apo në aktivitete ndërkombëtare, ku përfaqësohet Shqipëria, për të vijuar me Adrian Paci, Helidon Gjergji, Sislej Xhafa, Alban Muja, Armando Lulaj, e më tej emra si Edi Hila, Ardian Isufi, Alban Hajdinaj, Gentian Shkurti etj.

Ekspozita është kornizuar brenda një titulli, që të kujton “Luftën e ftohtë”. Balena e famshme, e goditur për nëndetëse, vijon të jetë një eko e fortë e përplasjeve të mëdha politike.

Me një vepër që e kishte zanafillën dhe tërheqjen e saj pikërisht te skeleti i kësaj balene, artisti Armando Lulaj përfaqësoi Shqipërinë, një vit më parë, në Bienalen e Venecias.

Jehona e kësaj balene shkon tashmë edhe në Hungari. Ajo i ka dhënë emrin ekspozitës së artistëve bashkëkohorë, që do të hapet në 15 korrik dhe do të qëndrojë e hapur deri në 11 shtator. “Balena që ishte nëndetëse”, kështu titullohet ekspozita, e kuruar nga Krisztina Szipõcs.

Sipas Galerisë Kombëtare të Arteve që është edhe nismëtare e këtij aktiviteti, programi i ekspozitës së Ludwig Museum Budapest-Museum of Contemporary Art, “vendos një theks të fortë mbi aspiratat e reja artistike brenda rajonit, fenomenet përcaktuese dhe mediumet e reja të artit”.

Kjo ekspozitë është si rezultat i dialogut mes Galerisë Kombëtare të Arteve, Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Ludwig Museum-Museum of Contemporary Arts, nisur dy vjet më parë, për të përfunduar në 2016-n, në sallën e ekspozitave në Ludwig Museum, ku do të prezantohen qëndrime artistike të artistëve shqiptarë.

“Dy skena artistike, kulturore, sociale dhe politike në kontekstin e Ballkanit, që vijnë përmes punëve të 25 artistëve. Një ekspozitë që hapet për herë të parë në Hungari me fokus në prodhimtarinë dhe qëndrimet artistike të 10-15 viteve të fundit në Kosovë dhe Shqipëri.

Një dialogim mes skenave artistike të dy vendeve që flasin të njëjtën gjuhë, që shpesh konvergojnë në pika të përbashkëta, por jo rrallë kanë pikëpamje të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

EKSPOZITA NË TIRANË

Ekspozita “Balena që ishte nëndetëse” pason ekspozitën e hapur në GKA, dy javë më parë, “Ideale dhe vepra arti”, me vepra nga koleksioni ndërkombëtar i Muzeut Ludwig – Muzeu i Artit Bashkëkohor, të cilat pasqyrojnë të kaluarën e afërt dhe artin bashkëkohor të Hungarisë nëpërmjet veprave kryesisht në fotografi dhe multimedia, e që shpesh përfshijnë figurën e artistit.

Sipas kuratores Krisztina Szipõcs, veprat nga ky koleksion i themeluar në vitin 1989, viti i ndryshimit të regjimit, janë dokumente të një epoke, gjurmë të idealeve dhe vlerave që përshkojnë jetën e përditshme dhe artin – ashtu si u konceptua nga themeluesi i koleksionit, Peter Ludwig.

Për këtë prezantim janë përzgjedhur vepra nga artistët më të njohur bashkëkohorë hungarezë, të tillë si László Fehér, László Lakner, Dóra Maurer, Sándor Pinczehelyi etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura