Bakshishet në bingo “djegin” shefin e Ankesave. Problemet me pasurinë, çfarë nuk justifikoi dot

Nov 9, 2019 | 8:34
SHPËRNDAJE

Procesi i vetingut në Policinë e Shtetit ka nisur me shkarkime. I pari që nuk e kaloi përballjen me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, ishte edhe i pari që hapi procesin që u zvarrit për disa muaj.

Oltion Shehu
Oltion Shehu

Oltion Shehu, shefi i Sektorit të Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nuk arriti të konfirmohej në detyrë.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, pasi shqyrtoi raportet, vendosi dje shkarkimin e tij nga detyra. Shehu rezultoi i pastër sa i përket integritetit moral dhe që nuk kishte pasur kontakte me persona të papërshtatshëm.

Por nga ana tjetër, Komisioni konstatoi probleme me pasurinë e tij. Trupa e Vlerësimit, që përbëhej nga Marjeta Gjelaj, Ela Kerka dhe Ana Kapaj, konstatoi se Oltion Shehu nuk justifikonte të ardhurat për ndërtimin e një banesë 2-katëshe.

Edhe nga ana profesionale, sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, Shehu rezultoi me probleme, pasi ndaj tij kishte dy herë masë administrative të vërejtje nga eprorët.

Vetë Shehu e justifikoi pasurinë e tij me punën e mëparshme që ka bërë në një bingo, duke thënë se këtë profesion e ka ushtruar prej vitit 1996 deri në vitin 2003, pa e ditur se aty kishte qenë i pasiguruar, por sipas tij kishte fitime të mëdha për shkak të bakshisheve. Në ndryshim nga procesi i vetingut për prokurorët dhe gjyqtarët, që ankimimi bëhet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për Policinë e Shtetit, SHÇBA dhe Gardën e Republikës, apelimi i vendimit bëhet në Gjykatën Administrative.

Në ndryshim nga seanca e parë, që u mbyll me përjashtim nga detyra, i dyti që doli para Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit duket se është drejt konfirmimit në detyrë. Bëhet fjalë për zv.drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Adriatik Ago. Trupa e vlerësimit, që përbëhej nga Ana Kapaj, Elvira Daberdaku dhe Elida Liko, nuk konstatoi probleme gjatë seancës dëgjimore të Agos.

Trupa e Komisionit theksoi se nga të dhënat që janë mbledhur nga verifikimi i dosjes, Ago ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka burime që e justifikojnë atë. Gjatë seancës dëgjimore u tha se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të saktë për 2 apartamente që zotëron. Po ashtu, ka bërë deklarim të sakte për automjetin tip “Fiat Croma”, me vlerë 2500 euro, si dhe deklarim të saktë për apartamentin e dhuruar nga prindërit si pjesë takuese. Deklarim të saktë të burimeve të ligjshme për llogari bankare, ku ka një vlerë prej 1.5 milionë lekë.

Gjithashtu, u konstatua se Adriatik Ago ka burime të ligjshme dhe nuk ka fshehje të ardhurash. Nuk ka asnjë çrregullim psikologjik që do të cenonte veprimtarinë e punës. Ka formim në Shkollën e Policisë dhe atë të Drejtësisë, të nisur prej vitit ’70 deri në vitin 1990.

Gradat deri në nivelin drejtues i ka fituar në mënyrë të ligjshme. Nuk ka asnjë masë disiplinore. Në lidhje me figurën nuk ka të dhëna për procedime penale ndaj subjektit apo të dhëna për kontakte me të inkriminuar. Gjithashtu, nuk ka denoncime as nga publiku në ngarkim të tij.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura