Bajraktari humb gjyqin, Gjykata: Urdhërarresti i Frrokut, u përcoll tej afatit ligjor

Nov 22, 2015 | 12:21
SHPËRNDAJE

Ish-shefi i Interpolit, Artan Bajraktari, ka humbur betejën ligjore me prokurorinë, në lidhje me çështjen e urdhërarrestit për deputetin Mark Frroku. Gjykata e Tiranës ka rrë- zuar një padi që Bajraktari kishte bërë ndaj Prokurorisë së Tiranës. Padia e Bajraktarit u bë kohë, pasi ai u arrestua bashkë me një vartëse të vetën.

Artan Bajraktari
Artan Bajraktari

Pas arrestimit nga Ministria e Brendshme, Bajraktari u la i lirë nga gjykata, kurse prangosja e tij u cilësua e paligjshme. Më pas, prokuroria e pushoi çështjen penale ndaj dy zyrtarëve të Interpolit. Sipas vendimit të togave të zeza, vendimi i prokurorisë për pushimin e hetimeve me argumentin se “ka pasur shkelje administrative që nuk janë objekt procedimi penal” është i drejtë.

Ish-shefi i Interpol Tiranës, Artan Bajraktari, kishte ngritur padi kundër prokurorisë, duke kundërshtuar pretendimin e akuzës se ka pasur shkelje në trajtimin e urdhërarrestit të Interpolit për deputetin Mark Frroku.

Deputeti Mark Frroku
Deputeti Mark Frroku

“Ndaj vendimit të pushimit të çështjes nga prokuroria, shtetasi Artan Bajraktari, me cilësinë e personit në hetim, ka bërë ankim brenda afatit ligjor, duke pretenduar se baza ligjore e vendimmarrjes së organit të akuzës nuk duhet të jetë Neni 328/1 germa b, sipas së cilës, fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale, por pika “a’ e këtij neni, që parashikon se fakti del qartë se nuk ekziston. Mirë- po, në vendimin e Gjykatës së Tiranës, lidhur me padinë e Bajraktarit, thuhet se Interpol Tirana ka vonuar urdhërarrestin në fjalë. Sipas Gjykatës, Interpoli shqiptar ua ka përcjellë institucioneve të tjera urdhërarrestin jashtë afatit.

VONESA E URDHËRARRESTIT

“Gjykata, pasi dëgjoi palët në proces, del me konkluzionin se: hetimet e bëra nga prokuroria janë të plota e të gjithanshme dhe se fakti ekziston, dhe konkretisht bëhet fjalë për dy punonjësit e zyrës qendrore të Interpol Tirana, shtetasja Loreta A., me detyrë specialiste, si dhe ankuesi Artan Bajraktari, me detyrë shef sektori, gjatë detyrës së tyre funksionale kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, të cilat normojnë punën e tyre”.

Konkretisht, sipas Gjykatës së Tiranës, dy punonjësit e kanë kryer faktin duke mosvepruar brenda afatit ligjor, menjëherë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni, në kryerjen e procedurave për vënien në dispozicion të praktikës së ekzekutimit të urdhrit ndërkombëtar të arrestit të shtetasit Mark Frroku, organeve kompetente, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim vazhdimin e mëtejshëm të procedurave ligjore për ekzekutimin e masës shtrënguese të kërkuar nga autoriteti i huaj i drejtësisë belge.

Gjykata e Tiranës verën se kjo praktikë është bërë e mundur të përcillet katër ditë jashtë afatit ligjor, pikërisht në datë 27.03.2015, një ditë pas dhënies së autorizimit për arrestimin nga Kuvendi i Shqipërisë për shtetasin Mark Frroku, si i dyshuar për vepra penale të kryera brenda territorit shqiptar.

“Në vendimin e pushimit të çështjes është parashikuar shprehimisht se shkeljet e kryera nga dy punonjësit e policisë, organi i akuzës i ka konsideruar shkelje të karakterit administrativ dhe jo shkelje të ligjit në kuptimin material penal”, vlerëson gjykata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura