Bajerni dërgon “spiunë” për Hysajn, vëzhgues specialë për shkodranin ndaj Juventusit

Apr 18, 2018 | 18:58
SHPËRNDAJE

Juventus-Napoli nuk është thjesht “finalja” e titullit kampion në kampionatin italian. Për Elseid Hysajn, kjo është një ndeshje speciale, pasi për të do të ketë disa vëzhgues specialë të Bajernit të Mynihut. Mbrojtësi i djathtë i Kombëtares shqiptare ka provën e jetës, jo vetëm për të mbajtur gjallë ëndrrat dhe shpresat e skuadrës së Napolit për titullin, por mbi të gjitha për të kënaqur të dërguarit e gjigantit gjerman. Kjo nuk është hera e parë që Bajerni dhe skuadrat e mëdha shfaqin interesim të hapur për Hysajn, pasi shkodrani edhe më përpara është përfolur si një zëvendësues ideal i Rafinjës.

hysaj juve

Ai ka përparësinë që mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes dhe kjo është një nga avantazhet pse duhet t’i bindë drejtuesit e Bajernit. Këta të fundit sigurisht që kanë mbetur të kënaqur nga vëzhgimet që kanë bërë në largësi dhe tani kanë marrë hapin për të parë nga afër performancën e 24-vjeçarit në “Allianz Stadium”. Shqiptari do të rikthehet në krahun e djathtë të mbrojtjes për këtë ndeshje, ndërsa mendohet se sot në sfidën kundër Udinezes Sarri t’i japë pushim, në mënyrë që të jetë në 100% të formës së tij kundër “Zonjës së Vjetër”.

Për mbrojtësin shkodran edhe Arsenali është duke treguar interes të vazhdueshëm, por bavarezët duken më të avantazhuar dhe e kanë seriozisht transferimin e tij. Klauzola e tij është 50 milionë euro dhe skuadrat që duan të përfitojnë shërbimet e Hysajt duhet ta paguajnë atë brenda muajit korrik. Edhe Juventusi ka dashur ta transferojë Hysajn, por vetë lojtari dhe presidenti De Laurentis nuk kanë preferuar të futen në bisedime me bardhezinjtë, skuadër me të cilën po rivalizojnë për titullin kampion.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura