“Baca Behgjet qesh me të madhe kur dëgjon injorantët që thonë…”-Rama zbulon projektin për Akademinë e Aviacionit, do dalin pilotë shqiptarë në Vlorë

Apr 20, 2021 | 11:27
SHPËRNDAJE

Në fjalën e mbajtur sot gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës kryeministri Rama tha se aeroportet dhe portet janë fabrikat më të mëdha të bukës në vend.

Po ashtu kreu i qeverisë zbuloi se ka folur me Behgjet Pacollin që Shqipëria të investojë në krijimin e Akademisë së Aviacionit, nga ku tha ai do të dalin jo vetëm ekspertë por dhe pilotë shqiptarë.

Baca Behgjet qesh me të madhe kur dëgjon injorantët që thonë Shqipëria nuk ka nevojë për aeroporte, për porte por kanë nevojë për bukë. Ndërkohë që shqiptarët nuk kanë vuajtur për bukë që nga koha e Skënderbeut.

Aeroportet dhe portet janë fabrikat më të mëdha të bukës për një vend, në kuptimin metaforik. Kroacia ka 4 milionë banorë dhe ka 9 aeroporte. Është fuqia e 7 turistike e botës. Zoti Shqipërinë duket sikur e ka bërë ditën e diel kur e ka pushim. E ka qëndisur. Të gjitha këto porta do të bëjnë të mundur që ekonomia shqiptare të punojë me më shumë kuaj fuqi.

Në Aeroportin e Vlorës do të duhen njerëz që do njohin shumë zanate, do duhen njerëz të trajnuar, me një krahë shumë të kualifikuar pune. Ne kemi folur me Bacën Behgjet ne do të investohemi si shtet për të ndërtuar në Vlorë Akademinë e Aviacionit, që do të prodhojë ekspertët shqiptarë dhe deri te pilotët shqiptarë. I kemi ndërtuar programet së bashku me partnerët dhe do kemi Akademi Aviacioni. Jemi në një moment kur pas vuajtjes vjen lehtësimi.

Jam shumë i lumtur sot bac që të shoh përballë si investitor dhe ndërtues në vendin tënd, dhe jam i bindur që ti do ta bësh shumë më të bukur se 3D. Jam i bindur që kur të zbresin në këtë aeroport, vlonjatët do të ndihen më krenar, shqiptarët do të ndihen më krenar, edhe të huajit do ndihen të mrekulluar. Sot është koha që ne ta bëjmë Shqipërinë që të mos ta ulë më kokën, por ta ngrejë lart”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura