“Babëzia në pandemi është edhe më kriminale”/ Presidenti thirrje urgjente për qeverinë: Të rimbursohen ilaçet, të bëhet transparent plani i vaksinimit

Feb 26, 2021 | 13:49
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që në mënyrë urgjente të rimbursojë ilaçet për pacientët me Covid, të cilët janë trajtuar në shtëpi.

Ilir Meta-konferenca gazetaret-ligji-Aeroporti i Rinasit (2)

Në një reagim në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se shumë pacientë kanë humur kursimet e tyre për të përballuar koston e lartë të barnave.

Një tjetër thirrje që kreu i shtetit i bëri qeverisë ishte që të bëjë transparent planin e vaksinimit masiv dhe jo klasor, siç thotë Presidenti Meta.

“Babëzia” në pandemi është edhe më kriminale”, mbyll postimin Ilir Meta.

“Dëshmitë e pacientëve të infektuar me COVID-19 dhe të afërmve të tyre tregojnë se me mijëra familje kanë humbur kursimet apo po hyjnë në borxhe në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme për të përballuar koston e lartë të barnave dhe analizave të shumta.

Qeveria duhet urgjentisht të RIMBURSOJË pa asnjë vonesë të gjithë qytetarët, të cilët janë kuruar në shtëpi dhe t’u garantojë ILAÇET FALAS të gjithë të infektuarve.

Dokrrat me “shëndetësinë falas” dhe çdo demagogji tjetër duhet të marrin fund!

Qytetarët nuk mund të lihen më në mëshirë të fatit përballë një virusi kaq të rrezikshëm, që vetëm dje mori 21 jetë, shifër rekord për numrin ditor të viktimave.

Urgjentisht të bëhet transparent plani i vaksinimit masiv dhe jo “klasor” i popullatës dhe të ndryshohet rrënjësisht strategjia antiCOVID, mbështetur mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda e jashtë vendit.

“Babëzia” në pandemi është edhe më kriminale! I vetmi prioritet dhe preokupim duhet të jetë: Mbrojta e shëndetit dhe jetës së qytetarëve“, shkruan Presidenti Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura