“Babalja”, Salianji në Prokurori: Të thirren Rama dhe Xhafaj, çmontova të pavërtetat

Oct 6, 2018 | 10:48
SHPËRNDAJE

salianj-prokuroriJUXHIN MUSTAFARAJ/Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka dëshmuar dje për mbi dy orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen e audiopërgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Kërkesa e Prokurorisë për pyetjen e deputetit demokrat erdhi pas mbërritjes së ekspertizës për audio-përgjimin, ku dyshohet se është i përfshirë vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj. Në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, Salianji shpjegoi përpara prokurorëve mënyrën se si u njoh me materialin, e publikuar më pas në Partinë Demokratike. Deputeti demokrat dorëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda edhe fakte të tjera, të cilat sipas tij vërtetojnë se ministri Xhafaj ka pasur dijeni për atë që bënte vëllai i tij.

“Në Prokurori me procesverbal kam dorëzuar një material, të cilin e kam dhe do ta bëj publik edhe më vonë, për personat që kanë dijeni për rrethanat e çështjes. Siç isha edhe unë në Prokurori me këtë cilësi, qëndrova gjatë për t’i dhënë përgjigje dhe për t’i shkuar deri në fund së vërtetës dhe për të mos i lënë asnjë alibi Prokurorisë për të shmangur apo për të mos çuar deri në fund hetimin për Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili drejtonte trafikun e drogës në Vlorë.

Është e qartë që Fatmir Xhafaj nuk mund ta hetoj vetë veten, ai sot drejton hetimet për vëllain e vet të kapur në trafik droge dhe bashkë me Ramën po përdorin të gjithë infrastrukturën shtetërore dhe pushtetin politik për të varrosur çështjen e Fatmir Xhafajt”, tha Salianji.

salianj-prokurori1PROKURORIA
Deputeti i PD-së pohoi se nuk ka asnjë besim tek organi i akuzës për shkak se sipas tij, ata bënë gjithçka që çështja të mbyllej. “Unë nuk kam besim te Prokuroria dhe kam arsye të forta për këtë. Së pari, ka pesë muaj që zvarritet çështja nga ana e Prokurorisë, kjo bëhet për t’i dhënë mundësi Ramës dhe Xhafajt si ministër i Brendshëm për të sajuar prova, për të shantazhuar dhe blerë dëshmitarë apo për të kërcënuar personat e përfshirë në këtë çështje.

Së dyti, duhet theksuar se Prokuroria, qeveria dhe ministri i Brendshëm lejuan që personi kryesor i përfshirë në këtë çështje, Agron Xhafaj, të largohet në Itali për të vuajtur një dënim të vjetër dhe për të mos u dënuar për veprën penale të re, që ishte “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të cilën e bënte përmes ndihmës së vëllait të vet ministër të Brendshëm.

Së treti, Prokuroria nuk ka thirrur si persona që kanë dijeni për çështjen Kryeministrin Edi Rama që thotë se ka ekspertizën, Fatmir Xhafajn që thotë se ka prova dhe Taulant Ballën, që është gjithashtu i përfshirë dhe flet për dëshmitarë. Kemi paraqitur provat konkrete. Kam çmontuar për dy orë provat e pavërteta. Kam prova për personat që kanë dijeni për këtë çështje për të treguar dy standarde që ka Ministria e Brendshme”, sqaroi deputeti i PD-së.
ARRESTIMI
Salianji është i bindur se asnjë nga deputetët e PD-së dhe personat që denoncuan skandalin e vëllait të ministrit të Brendshëm nuk kanë kryer vepra penale, ndaj edhe i cilësoi broçkulla pretendimet për një arrestim të mundshëm të tij. “Këto janë broçkulla që thuhen nga Fatmiri te media të kontrolluara prej tij. Nuk ka asnjë element të veprave penale të kryera nga asnjë prej nesh.

Personat që duhet të kenë frikë duhet të jenë Edi Rama, Fatmir Xhafaj për shkak të lidhjes me vëllain e tij dhe për ofrimin e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për të ushtruar veprimtarinë e vet kriminale në qytetin e Vlorës. Sot Agron Xhafaj është në burg, vëllai i tij vazhdon të jetë ministër për turp të vet”, tha Salianji.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura