“Babalja”/ Gazetari tregon si u krye përgjimi

SHPËRNDAJE

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të lërë në burg Fredi Alizotin ditën e djeshme dhe në detyrim paraqitjeje gazetarin Jetmir Olldashi, të cilët janë nën hetim për kallëzim të rremë për audio-përgjimin e supozuar ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Jetmirolldashi-933x445

Seanca u zhvillua me praninë e mediave dhe pati shumë diskutime. Avokati i Fredi Alizotit, i cili ka thënë se ka qenë ai që ka dubluar në audio-përgjim vëllain e ministrit, shtetasin Agron Xhafaj, kërkoi një masë më të lehtë për klientin e tij, pasi ai ka qenë bashkëpunues me drejtësinë për zbardhjen e çështjes.

Të njëjtën gjë kërkuan edhe avokatët e Fredi Alizotit, por Gjykata në fund vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që përfaqësohet në këtë çështje nga prokurorët Gentjan Osmani dhe Përparim Kulluri. Që në fillim, avokatët kërkuan veçimin e çështjes për akuzat e “kallëzimit të rremë” që, sipas tyre, nuk janë kompetencë lëndore e Krimeve të Rënda.

Mirëpo, Prokuroria argumentoi se pjesë e procedimit penal është edhe “trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike”, hetimet për të cilën vazhdojnë ende. Pas këtij momenti, avokati i Jetmir Olldashit shprehu pretendimet e klientit të tij, duke thënë se ai nuk ka bërë asnjë kallëzim të rremë. Sipas tij, është e provuar edhe nga tabulatet se Veliu komunikoi në telefon me Xhafajn.

Ai ka shpjeguar se pajisjet regjistruese i ka marrë në redaksinë e emisionit “Të Paekspozuarit” dhe ia ka dhënë Albert Veliut, i cili pretendonte se do të takonte Agron Xhafajn. Takimi i përgjuar ambientalisht ka zgjatur vetëm 5 minuta dhe Olldashi mohon të ketë parë nëse Veliu ka takuar ose jo Agron Xhafajn. Kur është kthyer në redaksi, moderatori i emisionit i ka thënë se nuk mund të publikohej audio-përgjimi, pasi mungonte elementi video dhe nuk mund të ishin të sigurt që Veliu kishte takuar Agron Xhafajn. Kështu, sipas avokatit të Olldashit, ai e ka ruajtur më pas një kopje të materialit deri sa e ka dorëzuar atë në Partinë Demokratike, ku edhe u publikua.

Gjatë relatimit, avokati ngriti disa pyetje, duke hedhur dyshime te hetimi i bërë nga ana e Prokurorisë.

“Pse nuk u mor masë për Alizotin, kur e kishte pranuar që në qershor se kishte luajtur rolin e Geron Xhafajt? Pse nuk ka administruar Prokuroria materialin në CD-në origjinale, por ka çuar për ekspertim atë material që ka dalë në media?”, tha avokati.

Prokuroria tha se audio-përgjimi bruto nuk është vënë asnjëherë në dispozicion nga gazetari dhe se materiali i ekspertuar në Britani është ai i transmetuar nga Partia Demokratike.

PANORAMA

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.