“Babai im, kuronte të bijën e Enverit dhe Spiro Kolekën nga një sëmundje infektive që…”/ Dëshmia e të birit, për mjekun e njohur infeksionist

Mar 15, 2020 | 16:40
SHPËRNDAJE

Mejku kura infektiviDashnor Kaloçi/
Spartak Topollaj

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Prof. Dr. Nikolla Dushnikut, mjekut të njohur infeksionist me origjinë nga Berati i cili pasi u shkollua në një kolegj italian në ishullin e Korfuzit në fundin e viteve ’20-të, ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Athinës, ku u diplomua me rezultate të larta në vitin 1940-të Kthimi i Dr. Dushnikut në Shqipëri dhe angazhimi i tij me Lëvizjen Antifashiste në rradhët partizane në rrethin e Skraparit, ku dhe u caktua si mjek pas mbarimit të Luftës, për t ‘u transferuar më pas si drejtor i spitalit në qytetin e Fierit dhe pranë Kryqit të Kuq në Tiranë, ku ai shërbeu deri në vitin 1949-të që u emërua si kryetar i Degës së Epidemiologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Emërimi i Dr. Dushnikut në vitin 1957-të si shef i Katedrës së Sëmundjeve Infektive dhe të Epidemiologjisë pranë Fakultetit të Tiranës, ku ai shërbeu për vite me rradhë me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe kontributi i tij i madh si në përgatitjen e studentëve të rinj të atij fakulteti, ashtu dhe ndikimin e tij për ndërtimin e godinës së Spitalit të Sëmundjeve Infektive, i cili pas viteve ’90-të mban emrin e tij.

Dëshmia e të birit, Mikelit për karrierën  profesionale të Dr. Dushnikut, i cili edhe pse nuk konsiderohej si një nga mjekët e besuar të udhëheqjes së asaj kohe, (për shkak të vëllait që kishte në Itali), ai thirrej shpesh në Klinikën e Udhëheqjes për të vizituar dhe diagnostikuar personalitete të larta të udhëheqjes së asaj kohe, si Manush Myftiun, Spiro Kolekën, e deri tek familja e Enver Hoxhës, ku ai vizitoi dhe mjekoi të bijën e tij, Pranverën nga një sëmundje infektive.  Bisedat e fshehta të Dr. Dushnikut me kolegët e tij, mjekët e famshëm: Kristidhi, Zyma, Kërçiku e Cani, kur morri vesh sëmundjen e syve të Enverit dhe gëzimi e shpresa e tyre se ai mund të tërhiqej nga skena politike e drejtimi i vëndit për shkak të asaj sëmundje të rëndë.

“Babai im, Prof. Dr. Nikolla Dushniku, i cili ishte diplomuar në fakultetin e Mjekisë së Universitetit të Athinës  që në vitin 1940-të, dhe konsiderohej si një nga mjekët më të mirë infeksionist që kishte Shqipëria e asaj kohe, aty nga fundi i viteve ’50-të, filluan ta thërrisnin edhe në Klinikën e Udhëheqjes. Ndonëse ai nuk ishte dhe nuk hynte tek mjekët e besuar të Partisë, asokohe atë e thirrën për të vizituar dhe diagnostikuar edhe disa nga personalitetet e larta të nomenklaturës komuniste, duke filluar nga anëtarët e Byrosë Politike e familjarët e tyre. Më kujtohet shumë mirë se aty nga viti 1964, babai u muarr shumë me kurimin e Manush Myftiut dhe Spiro Kolekës, duke ndjekur në mënyrë intensive gjëndjen shëndetësore të tyre. Duke qenë se babai kishte bërë një emër të madh si mjek infeskionist, aty nga viti 1970-të, atë e thirrën në shtëpinë e Enver Hoxhës, për të vizituar dhe kuruar të bijën e tij, Pranverën, e cila ishte prekur nga një sëmundje infektive. Por edhe pse imatë, iu bëri gjithë ato shërbime udhëhehqjes së lartë, ai jo vetëm që nuk kishte asnjë lloj simpatie për regjimin komunist të Enver Hoxhës, por përkundrazi, në koshiencën e tij, ai ishte një kundërshtar i vendosur i atij sistemi dhe gjithçka që e bënte, lidhej me profesionin e tij si mjek humanitar”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al është 69 vjeçari, Mikel Dushniku, (i diplomuar për Kimi Industriale), i cili na rrëfen rreth historisë së panjohur të babait të tij, Prof. Dr. Nikolla Dushnikut, njërit prej mjkekëve më të famshëm infeksionist të Shqipërisë, emrin e të cilit pas viteve ’90-të, e mban Spitali Infektiv i Tiranës.

 

Kush ishte Dr. Dushniku?

Mjeku i njohur infeksionist, Prof. Dr. Nikolla Dushniku, u lind më 6 dhjetor të vitit 1912-të në qytetin e Beratit, ku banonte asokohe familja e babait të tij, Thanas Dushnikut. Pas mbarimit të shkoillës fillore në qytetin e tij të lindjes, Nikolla u dërgua për të vazhduar mësimet e shkollës së mesme në ishullin e Korfuzit, ku ai u regjistrua në një nga kolegjet që kishin hapur italianët  prej vitesh. Në atë kolegj, Nikolla ndoqi rregullisht mësimet nga viti 1926 deri në 1931-in dhe sapo i mbaroi, ai u kthye në Shqipëri, duke përfunduar maturën në Gjimnazin Klasik të qytetit të Shkodrës. Pasi qëndroi rreth tre vjet pranë familjes së tij në qytetin e Beratit, në shtatorin e vitit 1934, ai fitoi një bursë për të ndjekur studimet e larta pranë fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Athinës, të cilin e përfundoi me rezultate të larta në vitin 1940-të. Pas diplomimit, ai u kthye në vendlindjen e tij në qytetin e Beratit dhe nisur nga fakti se periudha e ardhjes së tij në Shqipëri përkoi me pushtimin fashist të vendit, ai u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke mjekuar në shtëpinë e tij disa të rinj komuniste pjestarë të njësiteve guerile të atij qyteti.

Ai e vazhdoi atë gjë deri aty nga viti 1943 dhe në atë kohë ai u detyrua që të dilte në mal  të bashkohej me forcat partizane që vepronin në zonën e Skraparit, pasi kishte rënë në sy të autoriteteve italiane, që tentuan ta arrestonin. Deri në mbarimin e Luftës, Dr. Dushniku qëndroi në rradhët partizane, duke shërbyer si mjek i tyre dhe në fillimin e vitit 1945, ai u caktua që të punonte në zonën e thellë të Skraparit, ku kishte qenë me formacionet partizane. Në ato dy vite që Dr. Dushniku shërbeu si mjek në zonën e thellë të Skraparit, ai punoi me një përkushtim të madh duke shkelur me këmbë të gjithë fshatrat, deri tek ato më të largëtat në kufi me rrethin e Korçës, Beratit e Përmetit, Nisur nga ky fakt, në atë kohë, nga banorët e atyre fshatrave emri i tij përmendej e tregohej si në legjenda për shkak të punës plot pasion e zell që ai bënte, duke iu gjendur pranë të sëmurëve kudo dhe në çdo kohë që ata e kërkonin.

Në vitin 1947, atë e transferuan nga Skrapari, duke e emëruar si drejtor të Spitalit Shtetëror të rrethit të Fierit dhe pas një viti atë e sollën pranë Kryqit të Kuq në Tiranë. Krahas punës që bënte në atë institucion bamirësie, Nikolla Dushniku punonte paralelisht edhe në spitalet e Tiranë dhe në vitin 1949 ai u emërua si kryetar i degës së Epidemiologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, duke u aktivizuar dhe ushtruar profesionin e tij si specialist edhe në Dispancerinë Antiturbekulare të Tiranës. Në ato vite ai bëri një punë shumë të madhe në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, që asokohe ishin shumë të përhapura në të gjithë vendin. Nga viti 1952, Nikolla Dushniku së bashku me bashkëshorten e tij, Olimbi Shytin (të bijën e një tregtari nga qyteti i Vlorës), me të cilën ishte martuar që në vitin 1948-të, dhe tre djemtë, (Edmondin, Mikelin dhe Vangon), u vendosën me banim tek një shtëpi fare pranë Pazarit të Ri në Tiranë.

Shefi i Epidemioligjisë në Universitetin e Tiranës

Në shtatorin e vitit 1957-të, Nikolla u emërua me detyrën e Shëfit të Katedrës së Sëmundjeve Infektive dhe të Epidemiologjisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë asaj kohe ai i kushtoi një vëmendje të madhe punës kërkimore-shkencore dhe në prillin e vitit 1961, ai mbrojti dizertacionin me temë: “Karakteristikat e Epidemisë së Fruthit në Shqipëri gjatë viteve 1954-1958”, me të cilën fitoi gradën Shkencore, Kandidat i Shkencave Mjeksore. Katër vite më vonë, në marsin e vitit 1965, atij iu akordua titulli “Profesor”. Detyrën e Shefit të Katedrës së Sëmundjeve Infetktive. Prof. Dr. Nikolla Dushniku e ushtroi deri në vitin 1973. Lidhur me këtë periudhë kohe, i biri i tij, Mikeli, tregon: “Duke qenë njëkohësisht edhe si shef i pavioneve infektive ne Spitalin Civil të Tiranës, im atë, Nikolla, argumentoi nevojën e ngritjes së një godine të veçantë që duhej t’i përgjigjej nevojave të kohës dhe sfidave të së ardhmes, të cilat kishin të bënin me kurimin e pacientëve të sëmundjeve ngjitëse. Profesionalizmi dhe këmbëngulja e tij, si dhe e kolegëve të tjerë infeksionistë në Tiranë dhe në të gjithë vëndin, të cilët e mbështetën atë pa asnjë rezervë, bënë të mundur ndërtimin e Spitalit Infektiv, që për kushtet dhe rrethanat e asaj kohe, konsiderohej mjaft i mirë. Po ashtu pas miratimit të vendimit për ndërtimin të atij spitali, që nga fillimi i punimeve dhe deri në përfundimin e tij, im atë, punoi që në hapat e para të projektit me specialistët përkatës, duke u dhënë atyre sygjerimet që kishin të bënin me kontestimin e projektit që ai të ishte sa më funksional dhe me përmasa më të mëdha. Nga viti 1973 e deri në vitin 1977, që im atë punoi si profesor pranë Fakultetit të Mjeksisë në Tiranë, ai u përpoq me të gjitha mënyrat, që: përvojën e tij të pasur t’ua kalonte studentëve dhe në këtë drejtim ai ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e kuadrove të reja mjeksore. Edhe pse ishte pedagog në atë fakultet, vazhdimisht ai gjendje pranë Spitalit Civil të Sëmundjeve Infektive, duke qëndruar me orë të zgjatura pranë shtratit të sëmurëve, me vizita dhe konsulta për pacientët që i vinin nga e gjithë Shqipëria. Po kështu, ai u kushtoi një vëmndje të veçantë hartimit të teksteve shkollore dhe pasurimit të literaturës shkencore mjeksore të vëndit tonë”, kujton Mikeli, për babanë e tij, mjekun e njohur infeksionist, i cili dha një kontribut të veçantë jo vetëm në ndërtimin e Spitalit Infektiv në Tiranë, por edhe duke marrë pjesë aktive në luftimin me sukses të sëmundjeve infektive në vëndin tonë.

Kuron të bijën e Enver Hoxhës

Ndonëse mjeku i njohur, Prof. Dr. Dushniku, kishte bërë një emër të madh, duke u konsideruar si infeksionisti më i mirë në Shqipëri, regjimi komunist i asaj kohe, nuk e quante njeri të besuar dhe nuk e nxorri asnjëherë jashtë shtetit, për ndonjë specializim në fushën e tij, siç ndodhte me mjekët e tjerë kolegë të tij të specialiteteve të ndryshme.

Lidhur me këtë, i biri, Mikeli, tregon: “Ndonëse aty nga fundi i viteve ’50-të, babanë tonë filluan ta thërrisnin edhe në Klinikën e Udhëheqjes për të vizituar e diagnostiokuar disa nga personalitete e larta të nomenklaturës komuniste të asaj kohe, përsëri ai nuk konsiderohej si njeri i besuar i tyre. Kjo vinte, pasi im atë kishte një vëlla që ishte diplomuar në Itali nga periudha e Luftës dhe kishte mbetur atje pa mundur të kthehej dot në Shqipëri. “Pesha e fajit” që vinte prej tij, pasi herë herë  ia konsideronin si të arratisur, e dërrmoi tim atë gjatë gjithë jetës.

Po kështu, i gjithë rrethi shoqëror i tij, ku bënin pjesë edhe mjekë të cilët ishin të diplomuar në Perëndim si: Dr. Kristidhi, Dr. Zyma, Dr. Kërçiku, Dr. Petro Cani, e ndonjë tjetër, nuk shiheshin me sy të mirë nga regjimi i asaj kohe, por babanë tim e merrnin në Klinikën e Udheheqjes për të vetmin fakt, se atij ja kishin nevojën. Më kujtohet shumë mirë se aty nga viti 1964, babai u muarr shumë me kurimin e Manush Myftiut dhe Spiro Kolekës, duke ndjekur në mënyrë intensive gjëndjen shëndetësore të tyre. Duke qenë se babai kishte bërë një emër të madh si mjek infeskionist, aty nga viti 1970-të, atë e thirrën në shtëpinë e Enver Hoxhës, për të vizituar dhe kuruar të bijën e tij, Pranverën, e cila ishte prekur nga një sëmundje infektive.

Por edhe pse babai iu bëri gjithë ato shërbime udhëhehqjes së lartë, ai jo vetëm që nuk kishte asnjë lloj simpatie për regjimin komunist të Enver Hoxhës, por përkundrazi, në koshiencën e tij, ai ishte një kundërshtar i vendosur i atij sistemi dhe gjithçka që e bënte, lidhej me profesionin e tij si mjek humanitar. Babai ishte kundër luftës së klasave dhe atë ai e bënte konkretisht duke sjellë në shtëpinë tone, disa ish-të burgosurit dhe të dënuar politik, si p.sh., Gjergji Gjeço (me origjinë nga Korça) i cili na mësonte anglisht ne të tre vëllezërve. Më kujtohet fare mirë në fillimin e viteve ’70-të, kur Enverin e kishte vizituar Dr. Kristidhi dhe ai kishte kosntatuar dëmtimin e syve që ishin pa shpëtim, babai me rrethin e miqëve të ngushtë, u gëzuan dhe diskutuan gjatë në mes tyre. Kjo vinte jo për faktin se ata donin ta shihnin të vdekur Enver Hoxhën, por se ata shpresonin që ai të tërhiqej nga jeta politike dhe t’i hapej rruga vëndit, për ndryshime në kursin politik, që po ndiqte asokohe udhëheqja e lartë komuniste ”, kujton i biri, Mikeli për babanë e tij, i cili edhe pse kuronte personalitetet e larta të udhëheqes komuniste të asaj kohe, shikohej me dyshim prej tyre.

Aty nga fillimi i viteve ’70-të, Dr. Dushniku u sëmur rëndë nga zëmra dhe me ndërhyrjen e Hysni Kapos, ai u dërgua për kurime në një kilinikë speciale në Austri, gjë e cila bëri që ai të jetonte edhe disa vite të tjera deri sa u nda nga jeta më 3 prill të vitit 1977. Regjimi komunist i asaj kohe nuk i bëri asnjë ceremoni zyrtare dhe në varrimin e tij nuk morri pjesë asnjë nga personalitet e larta që ai u kishte shërbyer për vite me rradhë, me përjashtim të Vito Kapos, e cila shkoi në shënjë mirënjohje për atë që kishte bërë Dr. Dushniku për familjen e saj. Emri dhe vepra e Dr. Dushnikut u vlerësuan vetëm pas viteve ’90-të, ku mes të tjerash, Spitali Infektiv në Tiranë mban emrin e tij. Në vitin 2003 në ceremoninë e rastit për vënien e emërit të Prof. Dr. Nikolla Dushniku, Spitalit Infektiv fjalën e rastit e mbajti ministri i Shëndetësië së asaj kohe Prof. Dr. Mustafa Xhani. Në mes të tjerash në fjalën e tij ai përmendi kontributin e dy ish studentëve të profesor Dushnikut, mjekëve të njohur Prof.Dr. Kozma Tavanxhi (drejtor i atij spitali) dhe dekanit të Fakultetit të Mjeksië prof. Dr. Kristo Pano për propozimin e kontributin që Spitali Infektiv të mbante këtë emër.

Thanas Dushniku, plaku i urtë që nuk i tregoi Kodikët e Beratit

Familja e mjekut të njohur infeskionist, Prof. Dr. Nikolla Dushniku, është me origjinë nga fshati i Beratit prej nga ata kanë trashëguar mbiemrin dhe të parët e tyre kishin banuar aty prej shekujsh. Aty nga vitet e fundit të shekullit të XVIII-të, Dushnik-ët u shpërngulën dhe u vendosn në lagjen Kala të qytetit të Beratit. Asokohe në atë lagje që ishte e vendosur brenda mureve të gurta të kalasë, banonin shumë familje të dëgjuara të Beratit, si: Doga, Haxhistasa, etj., që njiheshin si aristokracia e Prefekturës së Beratit. Babai i Nikollës, Thanasai, i cili njihej si një nga burrat me kulturë të atij qyteti, kishte mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin “Zosimea” të Janinës.

Thanasi ka qenë i njohur në të gjithë qytetin si një nga të moshuarit e lagjes Kala, i cili nuk e tregonte vendin se ku ishin fshehur Kodikët e Lashtë të Beratit. Ai e dinte shumë mirë se ku ishin fshehur ato libra të vjetër që konsideroheshin si thesarët më të çmuara, por nuk e tregonte vendin e tyre, duke ruajtur e zbatuar atë “kod” të vjetër si shumë të moçëm para tij, të cilët kishin shkuar në botën tjetër pa nxjerrë asnjë fjalë se ku ndodheshin ato. Në moshë të re, Thanasi u morr me tregti duke sjellë mallrat ë ndryshme nga Italia, Turqia dhe Austria dhe me fitimet që nxirrte, ai hapi disa dyqane në qytetin e Beratit, Roskovecit dhe Fierit. Thanasi, plaku i urtë dhe i forte, i cili jetoi shumë gjatë duke i kaluar të ’90-at, në rininë e tij ishte martuar me një vajzë të re të quajtur, Aspasi, e cila ishte nga fshati Paftal i Beratit dhe nga kjo martesë, atyre u lindën gjashtë fëmijë, ku Nikolla ishte më i madhi./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura