Babai i Taulant Xhakës tregon nëse ai do të largohet nga Kombëtarja

Jun 24, 2016 | 23:17
SHPËRNDAJE

Gjatë një prononcimi për Gazetën Express, babai i Taulant Xhakës, Ragip Xhaka, ka mohuar spekulimet se djali i tij është përleshur me trajnerin Gianni de Biasi dhe se do ta braktisë Kombëtaren shqiptare.

Screenshot_3-32Ai i ka thënë Gazetës Express se këto janë vetëm thashetheme dhe se Xhaka do të vazhdojë të luajë për Shqipërinë.

“Gjithçka që është shkruar është e pavërtetë. Taulanti nuk është përleshur me De Biasin, derisa për Gashin nuk mund të them asgjë sepse nuk e di”, ka thënë Ragip Xhaka për Gazetën Express.

“Taulanti është nervozuar kur trajneri ka vendosur që ta heq atë nga loja në ndeshjen ndaj Zvicrës – diçka që pasoi me gjuajtjen e shishes së ujit. Ai dëshironte që të luajë gjithë ndeshjen kundër vëllait të tij, Granitit dhe nervozizmi ishte normale aty”, shtoi babai i Xhakës.

“Unë mendoj se Taulanti është lojtari kyç në mesfushën e Kombëtares dhe është i vetmi që ka dhënë gjithçka për këtë ekip. Kuptohet se nuk e ka pritur aspak mirë atë vendim, por nuk është e vërtetë se do të largohet nga Kombëtarja dhe se është përleshur me trajnerin. Nuk do ta braktisë kombëtaren”, theksoi më tej Xhaka.

“Taulanti nuk luajti në ndeshjen e fundit pasi ishte i sëmurë. Ai qëndroi i shtrirë për tre ditë duke mos u stërvitur fare. Unë ende nuk e kamë parë Taulantin. Ai gjatë ditës së shtune do të vij në Zvicër dhe do të qartësohet kjo që shkruhet, por unë e përsëris sërish se asgjë nuk është e vërtetë”, përfundoi Ragip Xhaka në prononcimin për Gazetën Express.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura