Babai i Emirjon Gjutës: Djali im i pafajshëm, s’ka asnjë lidhje me të arrestuarit e tjerë për shpërthimet

Feb 28, 2015 | 20:53
SHPËRNDAJE

Babai i të dyshuarit Emirjon Gjuta tha dje se djali i tij nuk ka asnjë lidhje me shpërthimet e tritolit në Tiranë. Në një intervistë për gazetën, Ramiz Gjuta shpjegoi se kontaktet e djalit të tij me Ernest Gjutën ishin vetëm për takime miqësore.

Emirjon Gjuta

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi një masë sigurie “arrest në burg” për djalin tuaj. Çfarë komenti keni për vendimin e gjykatës?

Jam i tronditur nga ky vendim. Djali im është i pafajshëm. Gjithçka do të zbardhet dhe do të dalë në dritë pafajësia e djalit tim. Drejtësia duhet të punojë. Djali im vetëm ka shitur një celular. Atë e ka bërë për të siguruar një copë bukë për familjen. Ai ka qenë në dispozicion të drejtësisë në çdo moment dhe ka treguar gjithë çfarë ka pasur dijeni.

Prokuroria pretendon se djali juaj ka komunikime telefonike me Ernest Gjutën, i arrestuar si pjesë e një grupi të akuzuar për akte terroriste. Si qëndron e vërteta?

Është e vërtetë që ka folur me Ernestin. Ata kanë qenë shokë shkolle bashkë dhe njihen prej kohësh. Nuk ka asgjë të paligjshme në këtë mes. Janë takuar vetëm për të pirë ndonjë kafe, siç mund të takohen dy veta që kanë qenë në të njëjtën klasë bashkë.

Çfarë marrëdhënie ka djali juaj me personat e tjerë të dyshuar nga Prokuroria si pjesë e këtij grupi kriminal?

Nuk ka asnjë lidhje me asnjë prej tyre. Djali im shikonte vetëm punën. A keni besim te drejtësia? Kam besim se do të zbardhet e vërteta. Unë ia kam lënë në dorë drejtësisë këtë punë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura