Babai i Anës, turistes së vrarë në Prekal: Edhe në Çeki të vrasin për 20 koruna

Jul 6, 2015 | 8:17
SHPËRNDAJE

Babai i Ana Kosinovës, turistes çeke e cila u vra mbrëmjen e 3 korrikut në Dukagjin, thotë se e ka takuar atë dy ditë para krimit. Pavel Kosinova u shpreh për televizionin “A1 Report” se gjëra të tilla ndodhin, madje në Çeki të vrasin për 20 koruna (monedha çeke).

Babai i Ana Kosinovës

Anna Kosinova 36 vjeçe, e cila u vra në makinë së bashku me të dashurin e saj, Michael Svatos, ka një vajzë 17 vjeçe. Çifti i turistëve u qëlluan nga brenda makinës së tyre nga 20- vjeçari Sokol Mjacaj në fshatin Prekal të Dukagjinit, ndërsa kishin lënë kampin në Theth dhe shkonin drejt Shkodrës. “Nuk di pothuajse asgjë, di vetëm që janë qëlluar dhe ku ka ndodhur ngjarja”, thotë babai i viktimës.

A ka ardhur policia në shtëpinë tuaj?
Po, erdhën rreth orës 11 paradite. Por unë nuk di shumë. Vajza është e rritur, ajo nuk na tregon shumë. Di vetëm që kishte shkuar për pushime. Ata kanë qenë edhe vjet bashkë për pushime. Është shumë e vështirë të them ndonjë gjë, sepse vërtet nuk di shumë.

Kur është hera e fundit që jeni takuar me vajzën?
Përpara se ajo të nisej. Të mërkurën.

Çfarë menduat kur e zbuluat. A mundët ta besoni që ka ndodhur një gjë e tillë kaq e tmerrshme?
Edhe ndodh. Këtu të vrasin për 20 koruna (monedha çeke), pse të mos ndodhë diku në Shqipëri. Kështu e ka jeta. S’kemi çfarë t’i bëjmë.

Jeni në kontakt me Ministrinë e Jashtme apo Policinë? A ju kanë njoftuar se çfarë po bëhet? Kam një numër telefoni të tyre dhe mund t’i kontaktoj nëse duhet. Por edhe ata do të bëjnë të njëjtën gjë.

A keni menduar për ceremoninë e varrimit dhe e dini se kur do ta sjellin trupin e vajzës?
Jo, s’kam informacion për këtë. Ata thjesht më thanë që do ta sjellin trupin. Por nuk e di se kur, sepse duhet bërë fillimisht autopsia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura