Azilkërkuesi i kthyer nga Gjermania: Rrrinim 3 orë në radhë për një pjatë supë

Dec 1, 2015 | 9:48
SHPËRNDAJE

Ëndrra gjermane është shuar edhe për 32- vjeçarin Durim Trumçi, banor i fshatit Komsi të Matit.

Ai u largua në muajin korrik mjaft i zhgënjyer, pasi si militant i PS-së dhe pjesëmarrës në çdo fushatë elektorale të saj, nuk arriti dot të gjente një punë.

Durim Trumçi pas kthimit nga Gjermania
Durim Trumçi pas kthimit nga Gjermania

Por u kthye akoma më shumë i zhgënjyer nga Gjermania, pasi, siç shprehet ai, atje nuk u ngop me bukë e as me ushqime. “Shpresat për të gjetur një punë në Gjermani u shuan dhe unë kërkova vetë që të rikthehesha në atdhe.

Nuk mund të jetoja atje ku më duhej të prisja tri orë në radhë për një pjatë bizele”, shprehet për gazetën “Panorama” 32-vjeçari.

Kur jeni nisur nga Shqipëria dhe cili ishte itinerari i udhëtimit tuaj drejt Gjermanisë?

Më 12 korrik të këtij viti jam nisur me një furgon pasagjerësh nga Burreli drejt fshatit Skuraj të Kurbinit. Më tej kam udhëtuar me një furgon tjetër drejt Prizrenit. Një mjet tjetër na transportoi drejt Prishtinës. Po atë ditë kam lëvizur me autobus në linjën Prishtinë- Kaçanik-Shkup. Na sistemuan atë natë në hotel. Të nesërmen, datë 13 korrik 2015, kemi udhëtuar me autobusët e një agjencie turistike nga Shkupi drejt Preshevës. Këtu na prisnin autobusë të tjerë që na dërguan në Dyseldorf. Së bashku me katër të rinj të tjerë nga Shqipëria morëm një taksi dhe udhëtuam drejt Dortmundit, pasi aty ku zbritëm ne nuk kishte kamp. Më datë 15 korrik kemi dorëzuar pasaportat dhe dokumentet që kishim me vete në kampin e parë që gjetëm.

Dhe çfarë gjetët në kamp?

Natën e parë fjetëm përtokë. Kishte shumë azilantë dhe ishte e pamundur të përballohej fluksi i sirianëve, pakistanezëve, kosovarëve, marokenëve e shqiptarëve. Atë natë nuk patëm mundësi as të hanim diçka. Sa zbardhi dita e re, na transferuan. Unë përfundova në Ham të Dortmundit. Aty kalova dy ditët më të mira të qëndrimit në Gjermani.

Pse, si ishte kampi aty?

Ushqimi dhe fjetja ishin normale. Përveç bukës e sallamit që ishte me racion, ushqime të tjera mund të konsumoje sa të të mbante stomaku. Por kishte një kusht. Nëse këto ushqime i hidhje përtokë apo në kazanët e mbetjeve, merrje si ndëshkim një vakt që nuk do të konsumoje në këtë kamp.

Po më tej çfarë shkoi keq? Ju transferuan përsëri?

Po. Pas dy ditësh më transferuan në Gizen. Aty u regjistruam përsëri. Kampi menaxhohej nga amerikanët. Dy ditë e dy net qëndrova në një çadër, bashkë me azilantë të tjerë. Sërish më transferuan në një kamp aty afër, në një kamp me shumë njerëz nga vende të ndryshme. Si e përjetuat qëndrimin në këtë kamp? Këtu fillon jeta më e vështirë e imja në Gjermani. Këtu kam qëndruar deri në tri orë në radhë për të marrë një pjatë me supë me bizele, të cilën ne shqiptarët nuk e hanim dot. Në mëngjes na jepnin një copë bukë dhe pak reçel, në drekë makarona ose pilaf dhe supë me bizele. Në darkë një mollë dhe një çokollatë. Makaronat dhe pilafi na kanë mbirë në bark.

Nuk punuat fare në Gjermani?

Pas dy javësh qëndrimi në këtë kamp të vështirë, një miku im më punësoi në kuzhinë. Punoja 6 orë në ditë dhe fitoja 6 euro. Pata mundësi të ushqehem disi më mirë. Punova në kuzhinë vetëm tri javë, pasi më erdhi tjetër transfertë. Prej këtu më dërguan në Belshe. Ky kamp menaxhohej nga “Kryqi i Kuq”. Kemi qenë 87 veta në një çadër. Kushte tejet të rënda. Ajo që nuk përtypnim dot ne shqiptarët ishin kushtet e paimagjinueshme të tualeteve. Ne shqiptarët shkulnim dorezat e dyerve dhe i mbanim të mbyllura tualetet tona. Gjermanët e kapën këtë rreng tonin, por ne nuk pranuam t’i dorëzojmë dorezat e disa tualeteve. Edhe në këtë kamp ushqimi nuk ishte për ne shqiptarët. Patate gjysmë të ziera, bizele, karota ishte ushqimi i përditshëm.

Po euro ju dhanë gjatë qëndrimit në Gjermani?

Unë kam marrë 140 euro në muaj. Kur kisha mundësi, blija bukë, djathë, sallam dhe rrallë konserva, për t’u ushqyer. Ishim të pajisur me “karta identiteti” nga autoritetet gjermane dhe lëviznim në fshatrat më të afërm ku qëndronim. Më larg nuk kishim buxhet për të udhëtuar.

Si e përjetuat rikthimin në atdhe?

Kur më erdhi negativi i parë, e refuzova. Pas pak ditësh u njoftova se kisha dy mundësi. Ose të largohesha nga Gjermania me vullnet të lirë, ose të penalizohesha për të mos hyrë në vendet e BE-së për 5 vjet. Bëra kërkesë dhe u riktheva në Shqipëri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura