Azili, një e drejtë pa kufi në Gjermani

Oct 8, 2015 | 10:11
SHPËRNDAJE

E drejta gjermane e azilit është një nga më të gjerat në botë – dhe pikërisht për këtë kritikohet sot. Si është zhvilluar ajo? Dhe a mund të mbetet si është? Për këtë ka mendime të ndryshme.

“Të përndjekurit politikë gëzojnë të drejtën e azilit”. Kaq shkurt dhe prerë shprehet Neni 16 a i Ligjit Themeltar të Gjermanisë.

Për kufij maksimalë dhe relativizime aty nuk bëhet fjalë.

azili-nj-euml-e-drejt-euml-pa-kufi-n-euml-gjermani_hd

Sipas fjalëve të filozofit hamburgas të së drejtës, Reinhard Merkel, Gjermania është “një prej shumë pak vendeve, të cilat ofrojnë një të drejtë të vërtetë, individuale për azil”.

Sipas kancelares Angela Merkel, e drejta ndërkombëtare nuk e njeh një të drejtë të tillë, po kaq pak e njohin atë shumica e shteteve të botës. Dhe për Gjermaninë u veprua me ndërgjegje kështu: nën presionin e lëvizjeve masive të refugjatëve gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, RFGJ përvetësoi ndoshta ligjin më bujar për azilin në botë.

Për aq kohë sa azil politik kërkonin pak njerëz, politika dhe shoqëria nuk shqetësoheshin nga një ligj i tillë. Por gjatë luftërave të Jugosllavisë në fillim të viteve ’90, papritur qindra mijëra vetë morën arratinë për në Gjermani. Pati atentate vdekjeprurëse ndaj strehimeve të azilkërkuesve. Gati dy të tretat e gjermanëve kërkuan në një sondazh në vitin 1992 që të ulet numri i azilkërkuesve.

Pas një debati të ashpër në politikën e brendshme, koalicioni i atëhershëm qeveritar CDU/CSU dhe FDP, me miratimin e SPD i kufizuan në të ashtuquajturin kompromis të azilit mundësinë për të marrë azil. Ndryshimi më i rëndësishëm: ai që hyn përmes një shteti të sigurtë të tretë në Gjermani – dhe shtete të tilla janë shtetet fqinje me Gjermaninë – që prej vitit 1993 nuk mund të kërkojë azil në Gjermani.

Dhe me të vërtetë, numri i kërkesave për azil prej vitit 1993 në Gjermani u pakësua, derisa arriti në më pak se 20.000 kërkesa në vitin 2007, për të gjithë vitin.

Tamponi nuk funksionon më

Sot ky numër njerëzish vjen brenda dy ose tri ditësh në Gjermani, në një masë të madhe pa u kontrolluar.

Instancat shtetërore prej kohësh nuk e dinë më se nga cilat vende vijnë migrantët. Shkaku se pse nuk funksionon më rregulli i vjetër është i thjeshtë: disa shtete fqinjë të BE thjesht i lënë të kalojnë migrantët, pa i shqyrtuar lutjet e azilit të tyre, siç janë të detyruara të bëjnë në bazë të së drejtës së BE për azilin. Dhe nga ana tjetër, Gjermania do të kishte të drejtën për t’i kthyer mbrapsht këta njerëz, por shumicën e herëve nuk e bën këtë për arsye politike-morale.

Në mes të shtatorit të këtij viti, nën presionin e një vale gjithnjë e më të madhe refugjatësh, qeveria futi përkohësisht sërish kontrolle në kufi me Austrinë. Por migrantët edhe më tej lejohen ta kalojnë kufirin. Edhe një reformë e së drejtës së azilit në fund të shtatorit, me të cilën u shpallën shtete të tjera ballkanike si “shtete të sigurta”, azilkërkuesit e të cilëve normalisht nuk kanë të drejtë të aplikojnë për azil, nuk e ka frenuar vërshimin.

Para së gjithash politikanë të CSU-së kërkojnë që e drejta e azilit të kufizohet tani edhe më tepër e të kufizohet e drejta e bashkimit familjar. Nga ana juridike kjo është e vështirë. Por edhe nëse përsa i përket azilit politik ose të refugjatët e luftës civile nuk ka kufi maksimal nga pikëpamja juridike, në praktikë ka kufi faktikë pranimi, kufi për strehimin dhe kufi financiarë.

Dikur një referendum?

Filozofi i drejtësisë, Reinhard Merkel mendon se ka kufi edhe në aspektin kulturor. Ai është i mendimit se duhet të ketë një “të drejtë fundamentale të komuniteteve politike”, “për të mbrojtur strukturën e tyre të brendshme, formën historike të jetesës së tyre dhe para së gjithash parimet, kur një vërshim shumë intensiv migrantësh kërcënon ta prekë këtë kulturë të brendshme dhe formë jetese”.

Reinhard Merkel mendon se së shpejti do të arrihet pika, ku “ose duhet të mbahen zgjedhje të reja të përgjithshme, ose një referendum për këtë temë”.

Ndryshe, druhet ai, “potenciali i pakënaqësisë do të shtohet për t’u shkarkuar në formë destruktive në zgjedhjet e ardhshme të radhës”. /DW/ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura