Azili i matjanëve, bileta drejt Gjermanisë 400 euro

Jul 14, 2015 | 12:57
SHPËRNDAJE

Mijëra matjanë kanë lënë vendlindjen dhe kanë udhëtuar drejt Gjermanisë për të kërkuar azil ekonomik. Çdo ditë largohen dhjetëra banorë të Burrelit dhe fshatrave të Matit. Kjo bie në sy kudo. Rrugët e Burrelit tani janë boshatisur. Mbrëmjeve nuk sheh në rrugë e sheshe qytetarët e mëparshëm.

Te interesuar per azil duke pergatitur dokumentet ne gjendjen civile, Burrel

Janë pakësuar tregtarët që, në pamundësi për të ndërtuar jetën këtu, kanë emigruar jashtë vendit. Dyqanet e lokalet nuk kanë xhiron e para pak ditëve. Sakaq fluksi i aplikantëve për pasaporta biometrike sa vjen e shtohet. Fermerët shesin ç’të mundin dhe largohen nga toka e tyre. Zgjedhjet e fundit vendore dhe amullia e krijuar në pushtetin lokal nuk të jep mundësi të bësh bilancin real të të larguarve.

Por për opinionin e gjerë ky fluks largimesh nuk mbahet mend gjatë. Deri para pak ditësh, të udhëtoje drejt Gjermanisë duhej të paguaje 300 euro. Kërkesat e shumta për emigrim e kanë rritur çmimin e udhëtimit. Tani personat që kërkojnë të largohen duhet të paguajnë 400 euro, madje tendenca është që “bileta” e udhëtimit të rritet përsëri.

Ish-kryetari i Këshillit Bashkiak Burrel, Lefter Ballabani, shkruan në rrjetin social “Facebook”: “Çdo ditë në mëngjes takoj të njohur të mi që me familjet e tyre nisen për në Gjermani. Bëra llogari dhe konstatova se në hyrjen time nga 20 familje kanë mbetur vetëm 7. Kjo gjë është shumë brengosëse. Eksod i heshtur dhe modern! M’u kujtuan eksodet e viteve ’90, kur i ndodhur rastësisht në tren, sapo mbërrita në Durrës, treni u zbraz pothuajse krejt dhe në një vagon mbetëm vetëm 7 veta, ndërsa sot në hyrje kanë mbetur vetëm 7 familje. Ç’po ndodh?”, shtron pyetjen Ballabani.

Më tej ish-drejtuesi vendor thotë se, siç raportojnë disa media, rreth 8000 matjanë, ose rreth 15% e popullsisë ka emigruar muajt e fundit, kryesisht drejt Gjermanisë. “Keqardhje për zbrazjen e vendit tim”, shprehet Lefter Ballabani.

Megjithëse askush nuk thotë një shifër të saktë, burime pranë Komisariatit të Policisë Mat konfirmojnë se për periudhën janar-korrik 2015 kanë aplikuar për pasaporta biometrike më shumë se shtatë mijë banorë të Matit, kryesisht nga qytetit i Burrelit dhe nga fshatrat e Lisit, Komsisë, Bazit etj. Mendohet se të paktën 1500 banorë të qytetit të Burrelit janë larguar vetëm gjatë qershorit e korrikut.

“Linja e udhëtimit me autobusë është bllokuar, ndërkohë emigrantët udhëtojnë kryesisht me makina të tipit ‘Sharon’”, thonë banorë që rrinë në radhë pranë gjendjes civile Burrel, për të aplikuar për pasaporta biometrike.

HASAN PASHA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura