Azem Hajdari ishte dhe mbeti NJERI!

Sep 11, 2018 | 11:37
SHPËRNDAJE

BISLIM AHMETAJbislim-ahmetaj

Cili prej nesh që jemi gjallë apo e konsiderojmë jetë dinjitoze këtë jetë që po bëjmë në këtë kohë të turbullt sociale, ekonomike dhe politikë nuk do t’ia kishte lakmi jetës së shkurtër, por të mbushur me ngjarje të Azem Hajdarit!? Ai pati një jetë të pasur, me maja dhe me humnera, me dritë dhe me hije, me lavdi dhe me thyerje dhe jeta e tij zgjati vetëm 35 vite, 6 muaj dhe 12 ditë?! Përgjigjet e kësaj pyetje (plot dilema për shumëkënd), për mua personalisht, janë krejt të thjeshta. Kjo edhe për faktin se e kam njohur nga afër në arritje dhe në “dështime” deri natën fatale kur plumbat e armëve të Policisë së Shtetit e ndanë fizikisht prej atyre, që e çmuan dhe e anatemuan për së gjalli dhe më pas për së vdekuri.

Unë në këto radhë s’kam ndërmend të shpalos gjithë bankën e vlerave që barti jeta e tij e shkurtër, por gjithsesi do të mundohem t’i jap një përgjigje sa më adekuate titullit të këtij shkrimi dhe për këtë do të më duhet të bëj një portret të shkurtër të veprimtarisë jetësore të Azem Hajdarit. Jetë dhe veprimtari që e diferencoi atë dukshëm dhe cilësisht nga brezi ynë, që solli ndryshimin e madh. Brez që bëri histori dhe i dha Shqipërisë ngjarjen më të çmuar pas shpalljes së Pavarësisë në 1912, Lëvizjen Studentore, lëvizje që shembi diktaturën komuniste dhe legalizoi pluralizmin politik, lëvizje së cilës i priu me dinjitet dhe vendosmëri Azem Hajdari.

Po pse ishte dhe mbeti “njeri” Azem Hajdari?!

Pikë së pari, sepse ai i besonte dashurisë dhe familjes.

Kur ne lexonim romanin e Hans Faladës “Po tani, o i shkretë” ai guxoi dhe u martua, krijoi familje, lindi fëmijë, punoi fort dhe i doli për zot familjes së tij si pakkush në ato kohë të trishta varfërie. Ai jo vetëm që ishte një prind i dashur dhe i mirë, por edhe dinjitoz. (Azemi u martua kur ishte vetëm 17 vjeç dhe u bë baba pak pa i mbushur 20 vite). Që ai i besonte dashurisë dhe familjes, e vërtetoi fakti se ai u nda nga kjo jetë me atë dashuri dhe me atë familje.

Sepse ai i besonte Zotit.

Kur besimi te Zoti ndalohej me ligj dhe Dervishi i Luzhës ishte identikiti i anatemimit të fesë në vendlindjen e Azem Hajdarit, ai e respektonte dhe e konsideronte atë si një vlerë të çmuar jo vetëm për vendlindjen e tij. Më vonë ai e demonstroi këtë besim sepse u bë iniciatori i ndërtimit të Tyrbes së Dervishit të Luzhës që në vendlindjen e tij e besojnë të gjithë besimtarët e Zotit pa dallim.

Sepse ai i besonte lirisë dhe vlerave të saj. Edhe pse personalisht ai nuk pati ndonjë “shtypje” të drejtpërdrejtë nga njollat në biografi prej regjimit komunist, ai e ndiente dhe e përjetonte njëlloj si ata që vuanin burgimet, internimet dhe përbuzjen që demonstronte diktatura komuniste ndaj një pjese të shoqërisë dhe këtë e tregoi më së miri kur u ngujua në grevë urie më ish-të përndjekurit politikë për të drejtat e tyre në kohën kur qeveriste partia, që ai kishte themeluar në dhjetor të ‘90-s.

Sepse ai e çmonte dhe ia dinte fuqinë lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë.

Azemi nuk njihet si ndonjë editorialist vijon nga faqja 1 apo gazetar i spikatur, por njihet prej gjithë bashkëkohësve të tij “pro dhe kundër” që sot janë “mbretërit” e medias së shkruar dhe elektronike si avokati dhe mbrojtësi i tyre më konsekuent në kohën kur rinisi “censura” ndaj shtypit. Besoj ju kujtohet kur Azem Hajdari bëhej kryetar i Këshillit Botues të gazetës “Koha Jonë” për t’u bërë mburojë e shtypit të lirë. Besoj ju kujtohet kur behej iniciator dhe mbështetës i themelimit të televizionit të parë privat në Shqipëri “SHIJAK TV”. Gjithkujt i kujtohet ngujimi i Azem Hajdarit në grevë urie në një furgon para Televizionit Shqiptar në ’98-n kur ky televizion publik ishte shndërruar në zëdhënës të krimit dhe të bandave që qeverisnin Shqipërinë.

Brenda vetës së tij kishte lindur dhe ishte rritur lideri i padiskutueshëm, këtë cilësi ai e shfaqi qysh ditën e parë që u ngjit mbi një gurë në Qytetin Studenti dhe i vuri gjoksin betejës për liri dhe demokraci. Guximi i logjikshëm dhe besnikëria ndaj së vërtetës e shndërruan Azem Hajdarin në burim shprese dhe besimi për çdo shqiptar pa dallim nga Konispoli në Koplik, nga Korabi në Kuç, nga Korça në Kurbin.

Sepse ai nuk bënte kompromise në kurriz të parimeve themelore të lirisë, demokracisë dhe çështjes tonë kombëtare.

Ai se njihte servilizmin, lëpirjen, intrigat, hakmarrjen, hajninë dhe zullumin, vese këto që i bartnin dhe i bartin me shumicë kolegët e tij deputetë majtas dhe djathtas. Mungesa e këtyre veseve në karakterin e tij ia pamundësoi përfshirjen nëpër kabinetet qeveritare, edhe pse ishte kryetari i parë i Partisë Demokratike, edhe pse ishte zgjedhur katër herë deputet në katër zona të ndryshme të vendit me numër rekord votash. Po të bënte qoftë edhe një kompromis me të keqen, Ai, Azem Hajdari do të ishte gjallë dhe ndoshta në krye të opozitës së sotme që na mungon të gjithëve.

Së fundi, kush e njohu Azem Hajdarin dhe nuk e bëri mik për kokë.

Në miqësi ai s’bënte dallime politike, s’njihte limite moshe, krahine, feje apo gjinie. Ai siç e kishte të lehtë të bisedonte me një ish-të burgosur politik, po aq natyrshëm gjente fjalët në bisedë më një veteran të Luftës së II. Biseda me një akademik për çështje filozofike ishte po aq e larmishme sa dreka me djemtë “e fortë” të lagjes. Po ta takoje njëherë, vështirë që të mos miqësoheshe me të, sepse ai do të gjente te secili bashkëbisedues i tij një cilësi të përbashkët që të kënaqte në dy kahe dëshirën për ta ngjizur takimin në miqësi të përhershme. Ai vlerësoi dhe u vlerësua prej të gjithë atyre që në tranzicionin e vështirë dhe shpeshherë të pamundur shqiptar, u përpoqën të bëjnë të mundurën e mirë.

Azem Hajdarin e ndanë nga jeta sepse nuk ishte buka e tyre, sepse i rrinte ngushtë kostumi i njerëzve që prodhuan këtë tranzicion pa fund të Shqipërisë, sepse liria dhe njeriu ishin dashuria dhe pasioni i tij përhershëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura