Axhenda ngjishet, ambasada “zhvishet”

May 6, 2016 | 13:15
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Kina, një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Organizatës  së Kombeve të Bashkuara, ky lojtar i madh në arenën politike globale, po luan gjithnjë e më shumë një rol të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare. Në përballimin e sfidave globale, vetëm në vitet e fundit, ky rol lidhet me situatën në Siri dhe Afganistan, me krizën bërthamore iraniane, luftën kundër terrorizmit, por edhe me probleme të tjera, si ato të ndryshimit të klimës, zhdukjes së varfërisë e të tjera.

Kina, e cila ka arritur të bëhet fuqia numër një në botë për sa i përket GDP-së, e shprehur kjo në paritetin e fuqisë blerëse, është shndërruar edhe në një fuqi të madhe globale ekonomike. Ekonomia e saj është integruar gjerësisht në atë botërore, sidomos në atë europiane. Niveli i investimeve kineze arriti vitin e kaluar të kapë në këto vende shifrën prej 120 miliardë dollarësh. Në këtë kuadër, gjatë kohëve të fundit bien në sy disa zhvillime të reja.

Së pari, ka një fokusim të ri, të veçantë të Kinës, në marrëdhëniet me Europën. Në fund të muajit shtator të vitit të kaluar, vit që shënoi 40-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis saj dhe Bashkimit Europian, për t’u dhënë hapësirë investimeve të mëtejshme kineze, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mbi “Platformën e ndërlidhjes për forcimin e sinergjisë mes nismës kineze ‘Një brez, një rrugë’ dhe rrjetit Trans-Europian të Transportit”.

U gjallëruan marrëveshje konkrete të përbashkëta në fushën teknikoshkencore, të infrastrukturës, të politikave rajonale, për përballjen e ndryshimeve klimatike, të pronësisë intelektuale etj. Së dyti, vihet re dinamizimi dhe konkretizimi që po i jepet axhendës 16+1, nisma e njohur kineze me 16 vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, qëllimi i së cilës lidhet me bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin e dialogut politik. Në këtë mënyrë, synohet dhënia më shumë frymëmarrje dhe qëndrueshmëri partneritetit midis tyre.

Këto flasin jo për një stad fjalësh, por për punë konkrete. Në këtë hapësirë, Shqipëria, aktualisht është nën një vëmendje të veçantë. Kjo e fundit dëshmohet në fushën ekonomike. Por, le të flasim më konkretisht: Përveç vazhdimit të negociatave mes palës sonë dhe asaj kineze për projektin e Rrugës së Arbrit dhe Autostradës Adriatiko-Joniane apo, siç thirret kjo, “Korridori i Kaltër”, të cilat, për shkak se janë propozuar nga pala shqiptare, paraqesin probleme lidhur me përshtatshmërinë e tyre me mekanizmat kineze, Kina, ndërkohë është treguar e shpejtë, e rrufeshme në zbatimin e dy projekteve të reja, të mëdha, të padiskutuara më parë.

Vetëm brenda dy muajve, ajo është shfaqur si blerësja e dy investimeve të mëdha: Bankers Petroleum dhe Aeroportit të Rinasit. Bankers Petroleum, kompani kanadeze, që shfrytëzonte vendburime të rëndësishme nafte në Shqipëri, u ble nga një prej kompanive më të mëdha kineze në fushën e eksplorimit dhe të naftës dhe gazit. Në këtë rrugë është dhe blerja gjithashtu e të drejtave koncesionare në Aeroportin e Rinasit.

Gjatë këtyre katër muajve ka një interes edhe më të madh nga kompanitë kineze për investime në energjetikë, por dhe në rrugë, porte etj. Dhe këto janë investime gjigante, të cilat mendojmë se nuk janë thjesht investime të shkëputura të kompanive të veçanta kineze, por, me siguri, kanë dorën, interesin e shtetit.

Gjiganti kinez, nga fazat formale të traktateve, po kalon në ato konkrete: në blerje, si në Shqipëri. Para një axhende të tillë të ngjeshur, nuk mund të mos ndalesh në një faktor tepër të rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me të, në atë të përfaqësive diplomatike të të dy vendeve, Republikës Popullore të Kinës dhe Shqipërisë dhe sidomos me atë të shefave të tyre.

Ambasada Kineze në Tiranë mbahet nga përfaqësitë e huaja diplomatike me staf jo të vogël. Kjo vëmendje për Shqipërinë, siç më tregonte një diplomat kinez, ka bërë që sektori ekonomik të shtohet këto ditë dhe me një diplomat tjetër, ekspert në ekonomi. Ndërkohë, kemi parë axhendën tepër të ngarkuar të ambasadores Jiang Yu, me kontaktet e shpeshta në nivele të larta për probleme të fushës ekonomike. Krejt e kundërta ndodh me kapacitetin njerëzor të ambasadës sonë në Pekin.

Pra, teksa axhenda e punëve ngjishet, ambasada jonë “zhvishet”. Pikërisht në këto muaj të një veprimtarie të intensifikuar, Ambasada e Shqipërisë në Pekin mbetet pa kreun e vet. Ambasadori i deritanishëm i saj, me dekret të Presidentit, numër 9388, qysh më datën 6 janar të këtij viti, është liruar nga kjo detyrë. Gjatë tërë kësaj periudhe Shqipëria është pa Ambasadorin e saj të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën Popullore të Kinës.

Dhe nëse ky emërim do të vonohet ende, një situatë e tillë do të shkojë më tej, pa folur pastaj për procedurat e nevojshme që zgjatin, nga pritja e agrementit dhe deri në pranimin e Letrave Kredenciale. E çuditshme, por është fakt, që deri më sot nuk ka një propozim për zëvendësimin e ambasadorit të mëparshëm. Sigurisht, që ky hezitim mund të lidhet me cilësitë që shtron momenti i tanishëm dhe që nuk mund të plotësohet me zgjedhje dokudo.

Por kjo nuk mund të bëhet qyrk për të mbuluar indiferencën e autoriteteve përkatëse, në mos nënvleftësimin, që do të ishte dhe më e keqja për rolin e ambasadorit. Ambasadorët janë përfaqësuesit më të lartë dhe veprojnë në emër të vendit të tyre në ato vende ku akreditohen. Ata, sikurse gjithë Shërbimi Diplomatik, janë pasuri kombëtare. Një pasuri reale kjo dhe jo për t’u përdorë ajo si shprehje parazitare në gojën e kujtdo qoftë. Nga ana tjetër, kërkesat e larta ndaj tyre, nuk mund të sfumojnë kurrsesi një kujdes dhe dashuri më të madhe për ta.

Roli i ambasadorit është i pazëvendësueshëm. Ai, siç është e njohur, pavarësisht transformimeve të ndryshme, mbetet koordinatori më i rëndësishëm i strategjisë së marrëdhënieve midis vendeve. Siç thuhet, ndër të tjera, në Ligjin e Shërbimit Diplomatik, “ai drejton, udhëzon, kontrollon, vlerëson gjithë veprimtarinë zyrtare të personelit të misionit diplomatik”.

Kush do t’i marrë në Kinë, përgjersa mungon shefi i këtij misioni, kontaktet e nevojshme në nivelet më të larta zyrtare, të zhvillojë negocimet dhe të bëjë nënshkrimin e instrumenteve diplomatike, në një kohë që Shqipërisë, sikurse folëm dhe në këtë shkrim, po i krijohen mundësi të mëdha bashkëpunimi?

Shpresojmë që Ministria e Punëve të Jashtme, Qeveria të kenë bërë vlerësimin e duhur të nivelit, volumit të ri të mësipërm të punës dhe bashkëpunimit dhe t’i përgjigjet kësaj situate me zgjedhjen e duhur të kandidatit për ambasador. Gjithsesi, personalitete me këto kualitete ka, madje, dhe brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Prandaj, çdo vonesë mbetet e pajustifikuar.

E rëndësishme është të kërkohet kualiteti, pavarësisht që dhe kjo kohë nuk mund të justifikojë mungesën për të cilën folëm. Emërimi i ambasadorit të duhur, me programin e duhur dhe pikërisht në këtë situatë, mendojmë se mund të prodhojë shumë në interes të vendit, duke thyer në të njëjtën kohë çdo përfytyrim jo të drejtë për rolin e ambasadorit. Koha, mendojmë se është për një prezencë të përfaqësimit tonë edhe në distrikte apo qendra të mëdha tregtare të Kinës, si Shangai, Suzhou etj.

Këto dhe të tjera e bëjnë më të domosdoshëm rolin e ambasadorit në qendër, në Pekin, duke mos e justifikuar vonesën e deritanishme. Ky rol i Kinës, ky intensifikim i marrëdhënieve dypalëshe në fushën ekonomike kërkon pra, jo vetëm zëvendë- simin imediat të ambasadorit, sigurisht, jo me një nëpunës të thjeshtë, por mbi të gjitha, me ngritjen e rolit të përfaqësimit të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura