Avokatja Alesia Balliu ‘skanon’ tranzicionin “Tabula Rasa”, si metodë e ligjvënësit shqiptar

Nov 17, 2021 | 17:00
SHPËRNDAJE

Merita e padiskutueshme e autores është që këtë fenomen nihilist, deri tani të aksesuar vetëm nëpërmjet përvojës dhe intuitës, e ka analizuar në mënyrë sistematike, e ka konceptualizuar dhe e ka lidhur me fenomene të tjera që rrjedhin prej tij, e mbi të gjitha me paqëndrueshmërinë e institucioneve shqiptare, pra me një dështim themelor për ngritjen e demokracisë funksionale në Shqipëri.

tabula raza11

“Tranzicioni politik shqiptar përkufizon tanimë një kalvar të lodhshëm për individin shqiptar dhe mjedisin e gjallnimit të tij në këtë vend, ndërsa në një rrafsh analitik mbetet një proces kompleks, i nevojshëm për t’u shestuar. Sepse, pa e zbardhur në themel, do të vijojmë të endemi verbtazi në një spirale pa gravitet dhe trajektore”, thotë avokatja Alesia Balliu, në hyrje të librit të saj të parë “Tabula Rasa, paqëndrueshmëria e institucioneve shqiptare”.

E re në moshë, por e angazhuar herët në zhvillimet politike në vend, Balliu vjen me këtë libër studimor, duke e parë si një kontribut modest të sajin për të ndërtuar një vetëdije publike mbi arsyet e tranzicionit të gjatë shqiptar.

Ajo beson se e shkuara dikatoriale, nuk është kthyer dot ende në një prag të kapërcyer për shtetin e ri demokratik shqiptar të së drejtës. Sipas autores Balliu, tranzicioni ynë i gjatë politik është konfiguruar jo vetëm prej periudhës së gjatë të izolimit të vendit, por më shumë prej një sërë pasojash të tjera që ky izolim shkaktoi në mendësinë e shqiptarëve; duke filluar që nga kuptimësia në lidhje me qeverinë dhe qeverisjen, deformimet në lidhje me atë çfarë mund të konsiderohet politikë aktuale dhe përparim në momente të caktuara kohe, deri tek shpërndarja e pushtetit dhe shfrytëzimi i tij për qëllime e interesa personale.

Për më tepër, mungonin instrumentet e domosdoshme për të prodhuar, interpretuar e zbatuar si duhet një kuadër ligjor dhe rregullator, në një shoqëri të sapodalë nga zinxhirët e autoritarizmit. Kështu, tranzicioni shqiptar u shoqërua me paqëndrueshmëri institucionale, me fjalë të tjera, me ndryshime kaotike të institucioneve dhe ligjeve, çorganizim hierarkik dhe emëror, brenda dhe ndërmjet institucioneve.

“Ky është një libër që konfirmon përvojën jetësore të qytetarëve shqiptarë, por edhe intuitën e intelektualëve në tranzicionin e tejzgjatur të vendit tonë. Si i tillë, ai nuk është thjesht i mirëpritur, por, prej shumë kohësh i pritur të vijë në terrenin studimor shqiptar. Përvoja dhe intuita na e kanë përvijuar fenomenin ‘tabula rasa’, çka znj. Balliu e pozicionon në politikë, e emërton ‘metodë të ligjvënësit shqiptar’ dhe me të i referohet një “cikli konstant që fillon vetëm nga zero dhe përfundon në zero, menjëherë pas marrjes së pushtetit.

Merita e padiskutueshme e autores është që këtë fenomen nihilist, deri tani të aksesuar vetëm nëpërmjet përvojës dhe intuitës, e ka analizuar në mënyrë sistematike, e ka konceptualizuar dhe e ka lidhur me fenomene të tjera që rrjedhin prej tij, e mbi të gjitha me paqëndrueshmërinë e institucioneve shqiptare, pra me një dështim themelor për ngritjen e demokracisë funksionale në Shqipëri”, thuhet në parathënien e këtij libri nga profesori i Filozofisë në Universitetin Europian të Tiranës, Klementin Mile.

Edhe pse fokusohet në dy regjime – regjimi komunist dhe ai demokratik – teza kryesore e tij që lidh fenomenin tabula rasa me paqëndrueshmërinë institucionale, në fakt, duket e vlefshme për të gjitha regjimet e përjetuara nga shqiptarët që prej shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Osmane. Kështu, tabula rasa, fshirja apo zhvlerësimi i çdo gjëje të bërë nga qeveria paraardhëse dhe rifillimi nga zero, ka qenë tipari esencial i qeverive shqiptare të të gjitha kohëve, duke prodhuar kështu situatën ku ndryshimi i qeverisë ka qenë, njëkohësisht, edhe ndryshim regjimi. Shqiptarët, pra, kanë përjetuar aq shumë regjime sa kanë përjetuar qeveri. Prandaj uniteti kombëtar dhe simbole historike të përbashkëta të respektuara nga të gjithë janë vështirë të arritshme në vendin tonë.

Në këtë libër trajtohen institucionet e qëndrueshme, si gur themeli i një sistemi demokratik, duke shqyrtuar si fillim vetë konceptin “institucion”, ndryshimin institucional dhe proceset në të cilat kalon, procesin e institucionalizimit, rolin e qytetarit dhe ndryshimet institucionale. Më pas, është trajtuar demokracia si një sistem kompleks adaptues, natyra e shtetit dhe marrëdhëniet e tij me institucionet dhe demokracinë. Më tej, zhvendoset në analizën e  regjimit totalitarist komunist në Shqipëri, si trashëgimia që jo vetëm lamë pas, por që vazhdon të na përndjekë me bindje edhe në vendimet që marrim sot. Analizohen karakteristikat dhe ndikimi i tij në praktikat e mëvonshme institucionale, krijimi dhe përmbajtja e Kushtetutës së Republikës Socialiste të Shqipërisë 1967 dhe strukturës institucionale të asaj kohe, si dhe ndikimi i regjimit komunist në ngritjen e institucioneve post-komuniste.

Më pas, janë trajtuar karakteristikat e tranzicionit politik shqiptar; krijimi i Partisë Demokratike si partia e parë opozitare ne vend, pas përmbysjes së regjimit monopartiak; fillesa e ngritjes së institucioneve demokratike; si dhe roli i zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri. Në këtë pjesë, trajtohet gjithashtu paqëndrueshmëria politike, institucionale dhe ligjore, në fazën e parë dhe të dytë të tranzicionit, respektivisht në periudhën 1990-1997 dhe pas vitit 1997; një vështrim krahasues i tranzicionit shqiptar dhe atij të vendeve të Evropës Lindore, si dhe nevoja për stabilitet demokratik, ligjor dhe institucional në Shqipëri.

Libri vijon me analizën e ndryshimeve kushtetuese sot. Fillimisht, paraqitet konteksti i krijimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në vitin 1998, si kushtetuta e parë demokratike në Shqipëri. Më pas, trajtohen ndryshimet kushtetuese në Shqipëri në periudhën 1998-2020, specifikisht ndërhyrjet e viteve 2008, 2012, 2016, 2020, dhe një refleksion i përgjithshëm rreth tyre. Pas një analize të thelluar të ndryshimeve kushtetuese, pasqyrohen ndryshimet e shpeshta ligjore dhe institucionale në Shqipëri, përmes paraqitjes së pushteteve kryesore në vend, atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor si dhe institucionet përkatëse. Në vijim, trajtohet procedura parë në optikën e efektivitetit dhe efikasitetit të ligjeve të reja dhe ndryshimeve ligjore, si dhe ndryshimet institucionale dhe stabiliteti institucional në vend.

Në këtë kuadër, trajtohet reformimi i administratës publike, e cila siguron urën lidhëse mes politikës dhe qytetarëve; tabula rasa e ndryshimeve ligjore dhe reformave në rastin shqiptar, duke u zgjeruar më tepër në reformat ekonomike, në të cilat mbështetet baza e mirëqenies së shtetit dhe qytetarëve. Gjithashtu, në këtë pjesë flitet edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar, si një faktor i rëndësishëm për fuqizimin e shtetit ligjor dhe atij të së drejtës në Shqipëri.  Për të ardhur në konkluzionin e përgjithshëm se, demokratizimi i shoqërisë dhe zbatimi i ligjeve të shëndosha, janë thelbësore në zhvillimin e institucioneve të qëndrueshme, të cilat formësojnë besueshmërinë e qytetarëve, aq e nevojshme në një shtet demokratik funksional.

“Autorja ka përdorur këndvështrime të ndryshme për ta analizuar sa më qartë dhe tërësisht fenomenin kompleks të tabula rasa-s. Këtu janë përdorur nocione dhe ide nga politologjia, shkenca juridike, filozofia, sociologjia, shkenca ekonomike dhe psikologjia. Kjo metodologji plurale e ka pasuruar librin, por nga ana tjetër, e ka bërë më të vështirë detyrën e studiueses. Zj. Balliu ka arritur ta kalojë këtë sfidë me sukses dhe i ka sintetizuar më së miri në funksion të qëllimit të studimit të gjitha këto perspektiva të ndryshme.

Autorja meriton përgëzime për zhvillimin sistematik dhe ndriçimin shumëplanësh të një ideje kaq komplekse sa kjo e tabula rasa-s. Në këtë kuptim, ky libër është gjithashtu një inkurajim i madh për studime të tilla ndërdisiplinare në të ardhmen”, ka vlerësuar kritka profesionale për këtë libër, i cili vjen për lexuesin shqiptar nën logon e botimeve Uetpress.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura