Avokati i Tom Doshit: Policia sekuestroi laptopin ku janë bisedat e deputetit me ne

Mar 27, 2015 | 8:30
SHPËRNDAJE

Avokati i deputetit Tom Doshi, Vladimir Meçi, pranoi se policia gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e klientit të tij, ka sekuestruar një laptop dhe një Usb. Në një intervistë telefonike të dhënë mbrëmjen e së enjtes për emisionin “Opinion” në “Tv Klan”, Meçi tha se në laptopin e sekuestruar nga policia, deputeti Doshi komunikonte me mbrojtësit e tij ligjor. “Një USB dhe një laptop për të cilin komunikonte me avokatin e tij. Aty janë të gjitha materialet e kohëve të fundit mes avokatëve dhe zotit Doshi”, deklaroi Vladimir Meçi.

Avokati, Vladimir Meci

Avokati tha se deputeti Tom Doshi pas ndalimit të tij nda policia pasditen e së enjtes, nuk është marrë në pyetje. Sipas avokatit Vladimir Meçi, prokuroria në vendimin e saj kaloi kompetencat. Pyetjes se si do të veprohet pas vendimit të Gjykatës, avokati tha se nëse vendimi i ndalimit do të shpallet i pavlefshëm, atëherë deputeti do të jetë i lirë, ndërsa prokurori mund të ketë penalitete deri në pezullim nga detyra.

 

Intervista e avokatit të Tom Doshit Vladimir Meçi në “Opinion”:

 Sot u kërkua leje për kontroll dhe arrestimin e Tom Doshit. A pati një procesverbal?

Në momentin kur Kuvendi sot dha lejen për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, qoftë për zotin Doshi dhe zoti Frroku… urdhri i nxjerrë për ndalimin e zotit Doshi është në tejkalim të kompetencave, është i kundra ligjshëm…

Nëse gjykata e quan ndalimin të paligjshëm çfarë ndodh?

Do të lirohet menjëherë. Nëse vendimi cilësohet i paligjshëm, prokurori përballet deri me pezullim nga detyra.

Kur pritet të jetë ky vendim i gjykatës?

Kështu siç e ka ndërtuar prokuroria, do ta paraqesë brenda 48 orësh.

Të hënën?

Si rregull prokuroria zgjedh të premten e zezë.

Ka pasur procesverbal në kontrollin e sotëm të banesës?

Kontrolli është bërë pa një urdhër të prokurorit dhe nuk duhej një urdhër i prokurorit, por një vendim gjykate.

Por këtë ia kishte kërkuar edhe Kuvendit?

Kuvendit i kishte kërkuar leje dhe nga ky moment duhet të kryente një procedurë të caktuar.

Çfarë ka ndodhur?

Punonjësit e policisë kanë zhvilluar një procedurë korrekte.

Çfarë kanë dorëzuar?

Një USB dhe një laptop për të cilin komunikonte me avokatin e tij. Aty janë të gjitha materialet e kohëve të fundit mes avokatëve dhe zotit Doshi.

Ku do të qëndrojë Doshi pas kësaj ngjarjeje?

Do të qëndrojë në ambientet e policisë.

Komunikon me zotin Frroku?

Besoj se janë në ambiente të ndara.

E kanë marrë në pyetje?

Deri më tani nuk është marrë në pyetje. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura