Avokat Ngjela sjell kujtimet nga Shqipëria e 1991-1996: “Njohja e hershme me Nanon e dënimi me 12 vjet burg”

Jun 13, 2013 | 14:40
SHPËRNDAJE

Spartak Ngjela, Henri Çili dhe Armand Shkullaku gjatë promovimit në UET
“Një kundërshtar që tallej dhe s’e pranonte regjimin e Tiranës ishte modern”

Paralelisht me Fatos Nanon zhvillohej gjyqi kundër ish-anëtarëve të Byrosë Politike

Akuza ndaj Alisë për abuzim fondesh, qesharake.

“Hekuran Isai, Simon Stefani, Pali Miska, Lenka Çuko etj., asnjë lidhje me krimet e komunizmit”

Kur doli nga burgu, teksa ecte rrugëve të Tiranës apo fliste me miqtë e dikurshëm, Spartak Ngjela kuptonte se asgjë s’kishte ndryshuar dhe se të gjithë shqiptarët kishin qenë në një burg të madh. Pasi ka sjellë përmes dy vëllimesh kujtimet e tij nga periudha nën diktaturë, avokat Ngjela sjell vëllimin e tretë të librit të tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Janë ngjarje që shtrihen nga viti 1991-1996. Gjithçka parë me syrin e një njeriu që ka qenë protagonist i zhvillimeve të mëdha që po ndodhnin në Shqipëri. Një nga protagonistët e këtyre viteve ka qenë edhe ish-lideri i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Në kujtim-reflektimet e tij, Ngjela sjell njohjen e hershme të tij me Nanon, prirjen e tij drejt Perëndimit, mospranimin e sistemit dhe talljen me të dhe nuk e fsheh habinë kur ai mori në dorë Partinë e Punës. Ngjela ndalet në një moment shumë vendimtar në jetën politike të Nanos, në arrestimin dhe burgun e tij. Përse e sulmoi atë Berisha, akuza “qesharake”, mbështetja e Partisë Socialiste. Në të njëjtën kohë zhvillohej edhe gjyqi i ish-anëtarëve të Byrosë Politike me një akuzë, që sipas Ngjelës ishte po aq habitëse sa dhe akuzat ndaj Nanos, për të cilat ai u dënua me 12 vjet burg.   al.mi

Fatos Nano ne sallen e gjyqit, 1994
“Monarkia absolute është tirani”, i thashë Pashkos në ato ditë, “por, demokracia absolute është tirani dhe anarki bashkë”. Ishte ky një përkufizim i qartë i Borlinbrokes, statistit dhe ish -kryeministrit të famshëm të Anglisë, të cilin e kam pasur si devizën time në të gjithë njohjen për shtetin; dhe prandaj e diskutuam gjatë me Pashkon në mënyrë që të niste të paktën një skemë për të pasur që tani disa forca administratorësh të cilët duheshin rekrutuar nga administrata e Ramiz Alisë, sidomos në policinë që duhej të funksiononte pas zgjedhjeve, gjithë duke menduar se zgjedhjet, që ishin caktuar për t’u mbajtur në 31 mars, do të fitoheshin nga opozita. Por ajo që më binte më shumë në sy te Pashkoja, nuk ishte presioni që mund të ndiente nga lufta që po i bënte në mënyrë permanente Sali Berisha brenda partisë së tij, por presioni që ndiente nga qenia e Fatos Nanos në eskalimin e tij drejt pushtetit. Nuk po e kuptoja se ç’i duhej ky preokupim për kundërshtarin, dhe shihja se e kishte tërësisht më shumë si një refleks të një konkurrence që kishin pasur që më parë nëpër qarqet akademike ku kishin bërë pjesë që të dy, sesa nga një ndarje politike. Ishte hera e parë që po dëgjoja për Nanon në rrethet e opozitës, por nuk e shihja këtë si një fenomen brenda Partisë së Punës, në qoftë se ndodhte, sepse Nanon e kisha njohur që para se të shkoja në burg; ishte një individ kundërshtar që tallej dhe nuk e pranonte regjimin e Tiranës; ishte modern dhe gjendej në rrethet që merreshin me muzikë amerikane dhe me koncepte moderne. I kishte njohur prej kohësh gjuhët e huaja dhe kishte njohje kundrejt Perëndimit. Kjo më habiste, sepse e shihja Nanon shumë më afër programit të Pashkos sesa Sali Berishën dhe Ramiz Alinë. Por natyrisht, po t’i qëndrosh mendimit politik, kjo është një gjë normale, sepse kështu ndodh dhe zhvillohen politikat në të gjithë botën perëndimore. Shpesh interesat individuale përcaktojnë prirjen politike të individit, si një e përgjithshme kjo që nuk kishte sesi të bënte përjashtim në shoqërinë shqiptare.
Në të vërtetë, që atëherë po kuptohej se Nanoja kishte vendosur që të merrte në dorë Partinë e Punës, gjë kjo që nuk pranohej atëherë nga liderët e Partisë Demokratike, sidomos nga Pashkoja dhe nga Imami. Me bënte habi ky fakt, por e shihja se këta njerëz më shumë kishin pasion sesa një reason politic në veprimtarinë e tyre politike.
* * *
Enver Hoxha me anëtarët e Byrosë
Viti 1993 në fakt u mbyll i gjithi i tensionuar sepse në mes të atij viti Berisha goditi shefin e opozitës, Fatos Nanon. Nano ishte i pari që e kuptoi se kredibiliteti i Berishës kishte rënë përfundimisht në opinionin publik shqiptar, dhe e analizoi i pari krizën që po kalonte Sali Berisha në pushtetin e tij. Me një iniciativë krejt individuale, Nanoja filloi betejën e mitingjeve, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Kapja e Nanos ishte vërtet politike, por Berisha e ndjeu shumë rëndë. Ai tani, pasi e dinte që ishte pa përkrahjen popullore të marsit të vitit 1992, sepse pas tre muajsh humbi zgjedhjet për pushtetin vendor, e mendoi me frikë një avancim të tillë të Fatos Nanos. Nanoja atëherë ishte shumë modern në krahasim me Berishën, dhe kishte sjellë në Parlament një grup elokuent intelektualësh të cilët, në një vit debat parlamentar, e kishin afektuar shumë opinionin publik. Fitorja që Nanoja arriti në zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri, menjëherë pas fitores së madhe të Partisë Demokratike, e bindën Nanon në atë kohë që Sali Berisha nuk mund të kishte të ardhme, sepse ai i shqetësoi shqiptarët që në tre muajt e parë të pushtetit të tij. Berisha, në anën tjetër, duke e ditur këtë, e humbi shumë shpejt ekuilibrin dhe arriti deri aty sa, të gjithë ata që e bënë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të pushtetit vendor, i përjashtoi nga partia, duke menduar si zgjidhje absolutizmin e tij. Por dalja në skenë si opozitë edhe e Aleancës Demokratike, e bënte opozicionin e majtë shumë më të besueshëm dhe shumë më të fortë. Berisha ndihej i goditur nga vetë elita formuese e Partisë Demokratike, por skeptrin për goditjen e një tipi pak a shumë populist po ia jepte Nanoja. Kjo po dukej se ishte arsyeja që ai e humbi ekuilibrin, dhe në pranverën e vitit 1993, e arrestoi Fatos Nanon për korrupsion, në lidhje me përvetësimin e ndihmave që, duke qenë kryeministër, i ishin mundësuar nga Italia si kontribut i qeverisë italiane për të ndihmuar në gjendjen e rëndë ekonomike të Shqipërisë.
Akuza e ngritur kundër Fatos Nanos ishte vërtet qesharake dhe të gjithë mbetën të shokuar kur e dëgjuan, por nuk kishin se çfarë të bënin sepse në të vërtetë ishte një përsëritje e makthit të kaluar bashkë me komunizmin e përmbysur…
* * *
Arrestimi i Fatos Nanos erdhi dhe u bë një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sidomos gjatë vitit 1994. Berisha kishte të dhëna nga brenda Partisë Socialiste se, arrestimi i Nanos, do ta reshtte Partinë Socialiste dhe do ta drejtonte në kufijtë e një partie opozitare josulmuese kundër qeverisë dhe Sali Berishës. Por i ndodhi e kundërta: Fatos Nano nuk u zëvendësua si kryetar i Partisë Socialiste, dhe kjo i dha menjëherë një tjetër trajtë luftës politike që socialistët filluan të bënin për lirimin e Fatos Nanos nga burgu….
Arrestimi i Fatos Nanos dhe procesi kundër tij në fakt e mobilizoi deri në fund Partinë Socialiste, e cila nuk pranoi që të shkarkonte Nanon nga posti i kryetarit. Ishte një ndodhi e rrallë që kryetari i opozitës dhe i partisë më të madhe opozitare të ishte në burg e të qe sërish kryetar partisë. Në të vërtetë ky ishte një prezumim për diktaturë: socialistët deklaruan indirekt se vendi ishte në diktaturë. Mënyra sesi u bë arrestimi, jepte shenjën reale për një totalitarizëm të ri. Kjo lloj loje nuk ishte e rezistueshme nga Berisha, dhe prandaj ai po kërkonte që ta neutralizonte; por nuk kishte sesi. Berisha nuk kishte gabuar, në fakt ai nxori në dritë sekretin e tij diktatorial, dhe që të gjithëve iu tha se vendi po shkonte ose drejt katastrofës ose drejt një diktature të re. Pas këtij akti ishin të shumtë ata që po e godisnin, dhe që në ditët e para të janarit, në gazetën “Koha Jonë” u botua me germa të mëdha intervista e Rexhep Qoses që thoshte me një retorikë disi dramatike: “Berisha mund të bëhet një prej atyre që harrohen shpejt”. Ishte një intervistë e goditur, por edhe e menduar mirë, sepse gjithkush në nivelin e Qoses e kuptonte se ai po ngjallte një neveri te shqiptarët. Gjithsesi, ky do të ishte më në fund viti që i vulosin të gjitha ato që ndodhën më pas; sepse arrestimi i Nanos e solli gjendjen në një tension shoqëror të cilin Berisha nuk e kishte pritur.
Pikërisht për këtë, për të shmangur mendjen shoqërore nga Fatos Nanoja dhe burgosja e tij, që në muajin janar të këtij viti Berisha filloi të flasë për kushtetutën e re. Në fakt e kishte kapur se, po të fillonte diskutimin për kushtetutën do ta bënte që të anashkalohej intencioni Nano, si qëllimi kryesor i politikës opozitare. Që në ditët e para që u hodh ideja e kushtetutës së re, u pa se e gjithë vëmendja po përqendrohej atje. Por nuk ishte vetëm kjo, sepse brenda saj qëndronte edhe synimi i Berishës për ta marrë përfundimisht pushtetin me anë të kushtetutës së re. Por diskutimet morën përmasa të gjera. Kjo ishte arsyeja që edhe unë, në datën 6 janar, botova në gazetën “Koha Jonë” artikullin me titull: “Pa një kushtetutë askush nuk mund të jetë i garantuar, që nga hamalli e deri te presidenti”. Në artikull propozova që kushtetuta të miratohej me anë të një asambleje kushtetuese.
* * *
Më datën 11 janar Servet Pëllumbi kryetari de facto i Partisë Socialiste kërkonte lirimin e Fatos Nanos nga burgu, dhe gazeta “Koha Jonë” e jepte që në faqen e parë me germa të mëdha si ngjarjen kryesore të ditës. Kurse në 16 janar, gazeta “Koha Jonë” e hapte gazetën me një thënie të Fatos Nanos nga burgu, ku ai shprehej: “Do të përballem me një gjyq të vërtetë politik”. Nano në këtë deklaratë e quante burgun e tij: “Një kafaz robërish”, shprehje kjo që më pëlqeu shumë që në ato momente dhe e mbaj në mendje edhe sot, sepse ishte shumë e gjetur. Dikur, gjatë diktaturës komuniste, në burgun e Burrelit, i burgosuri politik Raif Elezi i kishte thënë prokurorit të ardhur nga Tirana se “Ne, që të gjithë këtu, jemi robër politikë”. Ishte e njëjta gjë, dhe prandaj që duhej menduar se kishte ardhur sërish e njëjta kohë, që kapte robër në funksion të pushtetit. Shqiptarët kuptohej se nuk kishin bërë dot asnjë hap përpara, sepse që të gjithë ishin të rrezikuar nëse do të godisnin në mënyrë opozitare qeverinë. Kurse në datën 1 shkurt, sigurisht që po me shkronja shumë të mëdha jepet lajmi i arrestimit të Aleksandër Frangajt dhe Martin Lekës, akt që ishte kryer një natë më parë. E gjithë situata ishte në një luftë të hapur: kush do të fitonte? Askush nuk e dinte.
Ndërkohë në burg ishin edhe thuajse të gjithë anëtarët e Byrosë Politikë të Ramiz Alisë, por dhe vetë Ramiz Alia, të cilët ishin akuzuar për ca gjëra që iu vinte për të qeshur të gjithë shqiptarëve: për trajtimin që iu ishte bërë si liderë të Partisë së Punës, me anë privilegjesh. Ishte një kohë tallëse, komike, por që dukej se ishte përkohësia që paraprin në fakt tragjedinë. Nuk po kuptohej saktësisht se kush ishte fajtori dhe kush ishte akuzuesi, dhe, pse duhej të ishin në burg të gjithë bashkë: edhe reformatori i Partisë së Punës, Fatos Nano, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët viktima të Enver Hoxhës, të cilët ishin në pushtet po nuk kishin kryer asnjë krim, dhe që asnjëherë nuk e kuptuan se përse Enver Hoxha i kishte sjellë në rangjet e larta të pushtetit të tij: Hekuran Isai, Simon Stefani, Pali Miska, Lenka Çuko, dhe të tjerë si këta, të cilët s’kishin asnjë lidhje me krimet e komunizmit në Shqipëri. Të gjithë ata që ishin pjesëmarrës drejtpërdrejt në krimet e komunizmit, në rangjet e larta, nuk jetonin më, kurse me Sigurimin e Shtetit nuk merrej askush.
* * *
Nanoja u dënua në 11 maj me 12 vjet burg, dhe në 21 maj filloi gjyqi kundër Ramiz Alisë me një akuzë qesharake: abuzim me fondet për trajtimin e Byrosë Politike. Ishte një gjë e rëndë sidomos për persekucionin, por ishte edhe një akt që nuk kishte asnjë lidhje me historinë normale të një vendi. Ramiz Alia, pa dyshim një pasardhës i Enver Hoxhës dhe diktatori i fundit komunist në Shqipëri, bëri dy zgjedhje të lira, prandaj ishte një manovër antishtet nëse do ta dënoje për nonsenset që e akuzonte Berisha. Por koha e tregoi se gjyqi dhe akuza kundër tij ishte imponim frike që kërkohej t’i kallej atij nga Berisha në mënyrë që ai të mos fliste për marrëveshjen Alia–Berisha, e bërë në dhjetorin e vitit 1991. Ishte pikërisht ajo pikë e errët që në funksion të pushtetit kishte arrestuar tani Ramiz Alinë. Alia në vitin 1991 ishte pa pikë dyshimi një diktator në tërheqje për të gjitha arsyet që kemi analizuar: ishte mbarimi i Luftës së Ftohtë, falimentimi i komunizmit si doktrinë dhe si praktikë dhe gjendja e rëndë ekonomike që e kishin bërë Presidentin absolut shqiptar që të ndante pushtetin dhe të lejonte opozitën; madje që ta krijonte vetë atë sipas metodës së tij.

“Nexhmija, presion Enverit për eliminimin e Mehmetit”
Takimi me Gimin, djalin e Manush Myftiut, pas daljes nga burgu
Nexhmije Hoxha duke votuar në burg në vitin 1992
Në këto ditë takova edhe Agim Myftiun, mikun tim të vjetër, i cili më dha informacion të bollshëm në lidhje me gjendjen politike. Duke qenë se i ati i tij ishte ende anëtar i Byrosë Politike, ai sigurisht që dinte shumë gjëra, dhe ma dha të mjaftueshëm të gjithë informacionin. Më foli me njëfarë neverie për Ramiz Alinë, duke e konsideruar një gënjeshtar, ndoshta edhe më të madh se Enver Hoxha, dhe u zgjat shumë kur më dha që të gjitha faktet që kishte për eliminimin e Mehmet Shehut. “Hoxha ka qenë në dilemë deri në minutën e fundit kur ai u vetëvra”, po më thoshte ngadalë, gjithë duke më shpjeguar se, në këtë rast nuk i mungonte edhe presioni që i bënte vijimisht e shoqja e tij, Nexhmie Hoxha, e cila nuk ndihej e sigurt me Mehmet Shehun. “Gjithsesi kjo çështje duhet parë në kohë, se mund të këtë edhe një ndërhyrje të Moskës në këtë ngjarje”, më tha më vonë, si për ta lënë këtë temë që donte një analizë të veçantë mbi bazën e fakteve që do të rinin të mbyllura dhe për kushedi sesa vjet të tjerë akoma.
“Alia, Pashkon kërkon ta luftojë deri në fund”, më tha Myftiu me një farë mërzitjeje të brendshme, “dhe po e pret me ditë që të eliminohet nga Sali Berisha”. Berishën e kishte njohur pak kur ky pati shërbyer tek i ati i tij në ndonjë rast si mjek, por nuk u zgjat shumë, sepse qëndroi vetëm tek ajo që më tha në lidhje me afërsinë e atij me Ramiz Alinë në ato momente. Ai më bindi edhe më shumë për kolapsin ekonomik që kishte ndodhur. “E kanë pasur të pamundur që ta drejtonin ekonominë”, më tha Myftiu, “sidomos pas vdekjes së Mehmet Shehut”. Pastaj më bëri një analizë të gjatë sesi kishte gënjyer Ramiz Alia për reformat dhe sesi koha, befas, i kishte sjellë që të gjithë “përballë ajzbergut”. “Tani Titaniku është i mbytur”, më tha Myftiu, por Alia po luan një lojë të turpshme dhe që nuk do të ketë sens. Ai nuk e do demokracinë dhe po pret ndërrimin e situatës ndërkombëtare”. Agim Myftiu shumë qartë ma sqaroi edhe më mirë konfliktin Pashko – Berisha, por gjithmonë duke ngulur këmbë se, “Ramizi është një gënjeshtar shumë i madh, por kam përshtypjen që edhe ky Berisha i zgjedhur prej tij, një i tillë duhet të jetë.” Ndërkohë unë i kisha informacionet edhe nga burime të tjera pranë Bllokut, por nuk më dukej kjo si një gjëmë, sepse, për të gjitha ato që kam shprehur, e dija që demokracia nuk do të kishte të ardhme të afërt në Shqipëri. Megjithatë Myftiu që dinte gjithçka, nuk kishte shumë besim se do të bëhej ndonjë gjë e madhe në Shqipëri. Gjithmonë Myftiu nuk kishte pasur ndonjë prirje për politikë, por kur i analizonte fenomenet, ndihej se kishte një arsye të historiografisë perëndimore për të. Para sesa të ndaheshim, ma karakterizoi pesëmbëdhjetëvjetëshin e fundit si një marrëzi makabre të Enver Hoxhës, kurse për gjendjen e krijuar mu shpreh disa herë se nuk mund të ishte ndryshe dhe në fund më citoi Aldo Moron kur më tha se “e ardhmja është jashtë kontrollit tonë”. Dhe unë i dhashë të drejtë, sepse kështu do të ishte gjithmonë, dhe, prandaj, çdo çast mund të ishte çasti i fundit për ty. Pastaj Myftiu më azhornoi me letërsinë e re, njohës i së cilës ishte deri në ekstrem, dhe më dha edhe dy libra në frëngjisht: Arqipelagu GULAG, të Sollzhinicinit dhe Le zero et l’infini, romanin e Arthur Koestler-it. Por, kur po ndaheshim, i thashë me një qëllim të veçantë: “Gimi, kjo paskësh qenë koha jonë, me terror dhe persekucion, dhe kam përshtypjen se ne kështu do ta lëmë edhe kur të ikim prej këndej”. Më pa me shumë vëmendje pasi dëgjoi këto, dhe, me një ton shumë miqësor shtoi: “Fillo e shkruaj për Ferrin, sepse do të na duhet të gjithëve”.
Ashtu siç e kam shprehur edhe më sipër, kishim qenë shumë miq me njëri-tjetrin dhe jeta na kishte ndarë. Kujtuam ndërkaq edhe Lad Shehun e vetëvrarë, por që e kuptonim ndërkaq se diçka ishte këputur në fillin e optimizmit tonë. Kishim punuar të tre bashkë për ta gjetur regjimin e Tiranës në kolapsin e tij, dhe për të bërë reformën që duhej, por tani dukej se pas kolapsit, këtu kishte filluar shkatërrimi dhe përplasja patologjike e një kohe që mund të kalonte nga persekucioni në barbari.

SPARTAK NGJELA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura