Autoritarizmi elektoral, rrugë drejt vetëshkatërrimit

Mar 10, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

   Pas revolucionit të karafilave në Portugali në vitin 1974, por sidomos pas rënies së komunizmit në vitin 1990, një valë entuziazmi përfshiu studiuesit e shkencave sociale mbi përhapjen masive të demokracisë kudo në botë. Në fakt, të dhënat empirike (raporti i Freedom House) tregonin se nga viti 1974 numri i vendeve në të cilat mbaheshin zgjedhje shumë partiake ishte rritur nga 42 në 118. Megjithatë, mbi shumëkënd kishte mjaft dyshime mbi ecurinë e demokracisë në këto vende. Rajone të tëra si ish-republikat sovjetike, Europa Lindore, Afrika subhariane, Amerika Latine, Afrika Perëndimore, vende të Azisë së Mesme dhe të Largët etj., vazhdonin me këmbëngulje të shfaqnin forma nga më të ndryshmet të autoritarizmit, despotizmit dhe fasadës demokratike. Duke huazuar një metaforë të Marksit (që shkroi te manifesti se mbi Europë po endet fantazma e komunizmit), Andreas Schedler, një politolog shumë i rëndësishëm austriak, thotë se  në vendet në zhvillim po endet fantazma e autoritarizmit elektoral. Schedler është i pari që përdor termin autoritarizëm elektoral për të përshkruar një lloj autoritarizmi të ri, që po lind në shumë vende. Për të thënë të drejtën, dhjetëra sociologë dhe politologë kanë shkruar gjatë mbi autoritarizmin, duke veçuar tek ai nuanca të ndryshme nga një vend në tjetrin. Problemi me autoritarizmin elektoral është se ai po shihet si fenomen në vende që dikur kanë qenë demokraci elektorale, domethënë vende në të cilat mbaheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme, por shteti i të drejtës kishte shumë probleme, korrupsioni ishte i zhvilluar, nuk funksionon mirë parimi i kontrollit dhe drejtpeshimit (check and balance) për ndarjen e pushteteve etj. Autoritarizmi elektoral zhvillon zgjedhje shumë partiake, ndjek procedura ligjore të mira, lejon konkurrencën, por zgjedhjet janë instrument i autoritarizmit dhe jo instrument i demokracisë. G. Bingam Powell, një profesor në Yale, thotë se zgjedhjet janë dhe duhet të jenë instrument demokracie, ato pritet ta përmirësojnë funksionimin e saj dhe të shtetit të së drejtës. Zgjedhjet në një autoritarizëm elektoral jo vetëm që nuk prodhojnë më shumë demokraci, por ato prodhojnë më shumë autoritarizëm. Hija e fantazmës që endet në vendet në zhvillim duhet të merret seriozisht, thotë Schedler, edhe nga ata që nuk besojnë në krijesa të tilla. Shqipëria do të mbajë zgjedhje për pushtetin vendor në qershor të këtij viti. Shqipëria mund të konsiderohet një vend që ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme të paktën në dy-tri raste 2005, 2007 dhe ndoshta 2009. Në këtë kuptim, ajo ka qenë demokraci elektorale. Shqipëria me zgjedhjet e para dy viteve nuk u tregua një demokraci elektorale, pavarësisht se të gjitha palët, edhe monitoruesit e ODIHR-it, folën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të paktën në një rast pati falsifikim të dokumenteve dhe të një mandati deputeti në qarkun e Lezhës, gjë që u vërtetua edhe nga gjykata. Në një qendër votimi pati shkëmbim zjarri mes zyrtarësh zgjedhorë dhe veprimtarësh partiakë, ku u vra një aktivist politik. Pati shumë figura jo politike, njerëz të pasur të botës së biznesit që u emëruan kandidatë dhe patën një rol të rëndësishëm në zgjedhje.  Zgjedhjet, ndonëse prodhuan formalisht një Parlament përfaqësues, ato nuk prodhuan qeveri përfaqësuese. Rreth 150 vjet më parë, John Stuart Mill pa si shqetësimin më të madh që mund të prodhonin zgjedhjet pikërisht qeverinë jo përfaqësuese dhe kjo për shkak të autoritarizmit. Disa nga njerëzit kryesorë të shumicës parlamentare, si Majko, Blushi, Dade, Leskaj etj., mbetën jashtë qeverisë. Figura të tjera si Arben Malaj u nxorën jashtë edhe nga Parlamenti. Tonet autoritare, ndonëse shumë të forta, mund të duken asgjë para sjelljes autoritare, e cila i ka dhënë ligjshmërisë një kuptim mjaft të mjegullt. Charles Montesqieu në veprën e tij monumentale “Fryma e Ligjeve” thotë se çdo formë qeverisjeje ka shpirtin e saj. Për të format e qeverisjes janë tri: aristokracia, despotizmi dhe republika. Shpirti i ligjit në aristokraci është nderi, në despotizëm është frika dhe te republika është virtyti. Shqipëria ka zgjedhur të jetë një republikë parlamentare dhe shpirti i saj dhe i ligjeve të saj duhet të jetë virtyti. Në fakt, Kryeministri dhe ministrat në gjithë ligjërimin e tyre duan të ngjallin frikë, kërcënojnë pa ndalur me këtë e atë dhe sigurisht me burg. Kjo dëshmohet përditë teksa në qeli kanë përfunduar edhe fëmijë e pleq. Shpirti i republikës sonë nuk është virtyti, por frika. Është e qartë se zgjedhjet nuk shërbyen si instrument demokracie, por theksuan autoritarizmin. Dhe të mendosh se kjo ndodh kur zgjedhjet i fitoi opozita. Zgjedhjet vendore duket se do ta zhvendosin edhe më vendin nga demokracia elektorale drejt autoritarizmit elektoral, teksa harta e bashkive është miratuar në mënyrë të njëanshme.  Disa kryetarë bashkish po largohen dhe disa po dërgohen në Prokurori si zyrtarë të korruptuar, duke forcuar shpirtin e frikës në republikë dhe duke bërë më të qarta konturet e autoritarizmit (elektoral), i cili do të emërojë kandidatët e rinj. Nuk ka ndonjë të dhënë deri më tani në asnjë vend që e ka luftuar me sukses korrupsionin në botë, se lufta ndaj tij është më efikase para zgjedhjeve. Këtu jemi edhe përpara një tipari tjetër të autoritarizmit elektoral: zhvendosja e fokusit nga ushtrimi jo demokratik i pushtetit tek aksesi jo demokratik te pushteti. Kësisoj nuk ka shumë rëndësi se si, rëndësi ka që duhet përcaktuar doemos njeriu që do të marrë pushtet. Praktikisht arrijmë në situatën kur vendi shkon në votime, por jo zgjedhje. Tre autorë të njohur (Guy Hermet, Richard Rose, Alain Rouquie) që studiuan zgjedhjet në dhjetëra vende në vitet ’70, shkruajnë në librin e famshëm “Votime pa zgjedhje” se autoritarizmi apo despotizmi gjenden kudo ku fituesit përcaktohen nga shkathtësia apo manovrat e qeverisë dhe jo nga preferenca e publikut. Më pas, ashtu siç autoritarizmi ushqen këto lloj zgjedhjesh, po ashtu këto zgjedhje ushqejnë autoritarizmin. Ky është si ato dënimet në Romën e vjetër, ku një trup i vdekur lidhej në kurrizin e një të dënuari, prej të cilit ai nuk mund të çlirohej, megjithëse luftonte shumë. Me kalimin e kohës, kalbëzimi i trupit përhapej dhe hante indet duke e vrarë atë ngadalë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura