Autori i profecive në shqip, Açka: S’është Antiislam

Oct 2, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

Ka kaluar qetësisht dalja në libraritë shqiptare e veprës më të fundit të Michel Houellebecq, shkrimtarit të cilësuar si “profeti ogurzi” i letërsisë franceze. “Nënshtrimi”, romani që do të dilte në Francë ditën e atentatit ndaj gazetarëve të “Charlie Hebdo”, duke gdhendur edhe më tej profilin profetik të shkrimtarit, tashmë është edhe në shqip, nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, nën përkthimin e Edit Dibrës.

Shkrimtari Michel Houellebecq
Shkrimtari Michel Houellebecq

E bashkë me të edhe “Thërrmijat elementare”. Michel Houellebecq botohet ekskluzivisht nga “Skanderbeg Books” qysh prej vitit 2007, kur u prezantua së pari në shqip romani “Platforma”, një roman satirik mbi seksturizmin dhe etjen e papërmbajtshme për dominimin që paraja i bën kësaj bote. Por pas ngjarjeve në Francë, portreti i tij do të merrte një tjetër dimension edhe në Shqipëri. Një autor që nuk resht së provokuari, që me veprat e tij ka nxitur zemërimin e myslimanëve, sidomos pasi deklaroi se islami është “feja më budallaqe në botë”, që ka paralajmëruar ankthin e një sulmi terrorist, që do të ndodhte në 11 shtator të vitit 2001, vjen me një roman që sheh tek e ardhmja. Franca e vitit 2022 ndodhet nën një regjim islamik dhe besimtarëve të feve të tjera apo ateistëve u duhet të përshtaten në këtë kontekst të ri.

2

Kudo ku ky libër është botuar ka ngjallur debat. Në libraritë e Tiranës ai gjendet qysh prej ditës së hënë. Kanë qenë të shumtë ata që me zor e kanë pritur botimin e tij në shqip. Në Shqipëri, ku njerëzit zihen për një pllakë të Sulejmanit të Madhërishëm, dalja e librave, qofshin edhe ata provokativë (përveçse kur cenohet Skënderbeu), nuk është se bën ndonjë bujë të madhe. Kjo ngase shumë nuk i lexojnë ata. Madje kjo ndodh edhe kur lind ndonjë debat. Debatuesit nuk e kanë lexuar librin. Por kur botuesja Flutura Açka vendosi të botojë Houellebecq, nuk e bëri këtë për të ngjallur debate (nëse ai vjen, mirë se të vijë).

1

“Kur e kam blerë veprën, ajo nuk ka qenë qëllim më vete. Unë e kam botuar me vite Houellebecq, kështu që ‘Nënshtrimi’ vjen natyrshëm në shqip, pa asnjë lloj sforcimi, dhe as ndonjë qëllim për të cenuar njëri apo besime. Po të mos e botoja, atëherë po, do të censuroja veten dhe bindjet e mia për të drejtën e fjalës, të mendimit dhe besimit. Houellebecq, me gjithë sensin e tij ‘islamofobik’ nuk ka shkruar një libër antiislam. Kurrsesi! Ai shpjegon një realitet, të cilit, siç thotë edhe vetë, i trembet, pasi ndihet i papranueshëm në të, një realitet me rregulla, zakone dhe norma, me të cilat nuk ndihet komod.

Botuesja Flutura Açka
Botuesja Flutura Açka

Romani shpjegon thelbin e shtrëngesës mes besimtarëve dhe jobesimtarëve, dhe ky konflikt është frika që Houellebecq ngre”, thotë Açka, teksa shton se gjithsesi bëhet fjalë për një realitet francez. Në Shqipëri ndodh tjetër gjë. “Myslimanët (ata që besojnë, mendoj se duhet të quhen të tillë), janë në ujërat e tyre dhe askush nuk ua kërcënon identitetin, dhe afetarët që e dominojnë shoqërinë tonë, bashkë me ateistët, thjesht janë indiferentë ndaj tyre”, thotë botuesja. Sipas saj, edhe pse viteve të fundit i jepet më shumë rëndësi dukjes nga ana e besimtarëve të çdo feje, pikërisht kjo e fundit, feja, është shqetësimi i tyre më i fundit. “Asnjë botues në Europë nuk është kërcënuar pasi Houellebecq është treguar xhentil me islamin në libër. Ata që flasin pa e lexuar librin, ndoshta do të thërrasin për herezira. Fundja, a nuk jemi ne në vorbullën e një kërcënimi të madh nga ISIS në emër të doktrinës së islamit?”, thekson Açka.

PËRKIM APO SHKAK
7 janari i këtij viti do të ishte ditë zie për Francën, fjalën e lirë dhe vetë Houellebecq. Atë ditë ai publikonte “Nënshtrimin”. Atë mëngjes, gjatë një interviste në radion franceze për romanin e tij “Nënshtrimi”, u pyet me insistim për të ashtuquajturën “islamofobi” të tij.

“Michel, a jeni ju një islamofob?” Përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e paqartë: “Mbase, po”. Por mbase. Atë ditë, revista “Charlie Hebdo” njoftonte në faqen e parë botimin e romanit “Nënshtrimi”, duke e shoqëruar me portretin e Michel Houellebecq të shfaqur si Nostradamusi që agjëronte. Pak orë më vonë, në mëngjesin e po asaj dite, dy vëllezër sulmuan redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe vrasin 12 veta, mes të cilëve edhe redaktorë dhe karikaturistë të njohur francezë, e mes tyre edhe një mikun e ngushtë të autorit.

Tashmë profecia e tij godiste për herë të dytë. I dëshpëruar nga humbja gjatë sulmit terrorist të mikut të tij, Bernard Marris, mes lotëve që nuk i përmbante dot para kamerave, Michel Houellebecq tha: “Është hera e parë që më vritet një njeri që e dua kaq shumë”.

Sakaq ai mbylli turin e tij të promovimit të romanit të ri, dhe i ruajtur nga forca policore, nisi një tërheqje të re nga jeta publike. Intelektualëve francezë që i kërkuan publikisht të kërkonte ndjesë dhe se duhej të ndihej i përgjegjshëm për shënjimin e datës 7 janar 2015 si ditë e zezë për Francën, ai do t’u përgjigjej: “Nuk kam për detyrë të jem i përgjegjshëm. Nuk ndiej përgjegjësi. Detyra e një romani është ta argëtojë lexuesin, dhe Frika është njëra nga gjërat që argëton”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura