Automjetet ndotësit më të mëdhenj në Tiranë, autobusët qarkullojnë dhe pa kaluar kolaudimin

Jun 25, 2018 | 20:48
SHPËRNDAJE

Një nga shkaqet e ndotjes së ajrit në Tiranë janë shkarkimet nga automjetet. Makina të vjetra që qarkullojnë në të gjitha rrugët e vendit janë të shumta. Në një vëzhgim disaditor, u verifikuan disa nga mjetet që shkarkojnë tymra në nivele të larta.

U vu re që shumica prej tyre e kanë kaluar kolaudimin, por u mësua se shumë autobusë që nuk e kanë kaluar kontrollin teknik lëvizin ende në rrugë.

250618_EKSPERTI-PER-NDOTJEN_15_13

Në të gjithë Shqipërinë qarkullojnë rreth 694 mijë automjete, nga të cilat 35 mijë nuk e kanë kryer kontrollin teknik për shkarkimin e gazrave.

Ligji “për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis” synon të sigurojë pakësimin e shkarkimeve të automjeteve në ajër. Me ligj, këto mjete nuk duhet të lëvizin nëpër qytete, por ato sërish lëvizin dhe helmojnë ajrin.

“Grimcat, të cilat dalin nga gazrat, bashkohen me grimcat e pluhurit që janë në asfaltet e rrugëve, të cilat lahen shumë rrallë, si dhe me grimca metalike e qëndrojnë pezull në një lartësi deri në gjatësinë e një njeriu. Kjo do të thotë që të gjitha ndotjet kalojnë në organet e frymëmarrjes të qytetarëve që lëvizin”, thotë eksperti rrugor Artur Sulçe.

Por cili është problemi thelbësor që sjell shkarkime të shumta të automjeteve?

“Cilësia e karburantit ndoshta le shumë për të dëshiruar dhe nuk është brenda atyre parametrave që kërkohen nga Bashkimi Europian dhe atij çmimi për të cilin shitet këtu në vendin tonë”, thotë më tej Artur Sulçe.

Sipas ekspertit rrugor Sulçe, edhe serviset duhet të mbajnë më shumë përgjegjësi, njëjtë si në vendet e Bashkimit Europian.

“Është duke u implementuar që çdo servis të ketë drejtuesin e vet teknik, që të jetë inxhinier. Këto do të jenë edhe serviset që mund të bëjnë edhe koalidimin. Në këtë këndvështrim ai është i interesuar që të bëjë shërbimin më dinjitoz dhe më cilësor, në mënyrë që të mos përgjigjet nesër për probleme që mund të sjellë një defekt teknik”, deklaroi Artur Sulçe./ Top Channel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura