Aurela Kullolli, një në pesë maturantet më të mira në Shqipëri: “Do studioj për Mjekësi, të kujdesem për tim atë”

Aug 19, 2013 | 15:38
SHPËRNDAJE

Ndërsa moshataret e saj vrasin kohën nëpër bare, të qeshura si diell, ajo ka një shqetësim që vetëm ajo nuk duhet ta kishte: i duhet një medalje, i duhet një bursë, sepse, ndonëse është një ndër 5 nxënëset më të mira në Republikë, nuk e ka të thjeshtë të vazhdojë studimet e larta. Prindërit e saj janë ushtarakë me profesion, por vetë Aurela Kullolli ka zgjedhur një tjetër “uniformë”. I pëlqen të studiojë për Mjekësi, pasi, siç thotë ajo, “kështu do të kem mundësi të realizoj ëndrrën time që në fëmijëri, atë të mjekoj dhe të kujdesem vetë për babain tim, i cili ka vite që vuan nga një sëmundje dhe tashmë është në Kemp”. 18-vjeçarja është një nga maturantet më të mira në rang vendi, kryesisht në lëndët Matematikë e Kimi, lëndë që Aurela i pëlqen më shumë, dhe për të cilat do të vazhdojë të studiojë më tej. Ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme “Dhaskal Todri” me mesatare bonus 10.32, ndërsa gjatë të gjithë viteve të arsimit të saj ka marrë pjesë në shumë olimpiada duke arritur rezultate të larta, si edhe duke marrë çmime, saqë mësuesit e saj thonë se “është e rrallë të gjesh një nxënëse të tillë si Aurela”. Ka nisur të dashurohet mbas lëndëve të kimisë dhe matematikës që në fillore. Në klasë të pestë ka marrë pjesë në olimpiadën e matematikës, për të vijuar më pas në vitin e parë dhe të dytë në gjimnaz, sërish në lëndën e matematikës. “Gjatë dy viteve të para të shkollës së mesme kam marrë çmim të parë në Olimpiadën e Matematikës në rang qarku, dhe çmim të parë në rang kombëtar në vitin e tretë”, thotë Aurela Kullolli. Gjithashtu ka marrë pjesë edhe në olimpiada fizike e kimie në shkollë, ku edhe këtu ka arritur në rezultate të larta. “Në olimpiadën e parë botërore kam marrë pjesë në lëndën e matematikës, ku në fund jam pajisur edhe me certifikatë”, thotë Aurela. Ajo, në pamundësi për të përballuar të gjithë shkollën e lartë për Mjekësi, ku edhe kërkon të konkurrojë, ka shpresa se të gjitha këto certifikata dhe njohuri që ka në Matematikë dhe Kimi do të mund të përfitojë një bursë, me qëllim që prindërit e saj të mos mundohen për t’ia paguar arsimin. “Nuk mund ta harroj babain që më thotë gjithnjë: asnjëherë mos u dorëzo, sepse bëhesh dezertor, më mirë të dështosh sesa të dezertosh”, thotë Aurela. Një nga qëllimet e Aurelës, por më së shumti një nga ëndrrat e saj, është të fitojë medaljen e artë për arritjet e saj në shkollë. “Unë jam një nga pesë maturantet në vend që pretendoj të marr medaljen e artë dhe këtë e shpresoj dhe e dëshiroj shumë që t’ia arrij, me qëllimin e vetëm sepse kjo medalje do të më japë një stimul për të ardhmen, por nga ana tjetër do të kem mundësi që bursën ta fitoj nga shteti dhe jo të mundoj sërish prindërit e mi, të cilët jetojnë bashkë me mua dhe motrën time, vetëm me rrogat e ushtarakut”, thotë Aurela.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura