Aurela Gaçe: Po mendoj për fëmijën e dytë

Jul 22, 2015 | 13:34
SHPËRNDAJE


Energjike sikur të ishte 20 vjeçe. Akoma nuk ka të ndalur në skenë dhe gjithmonë e gjen me materiale të reja. Për momentin po bën pushimet me vajzën dhe bashkëshortin, ndërsa ka zgjedhur që të rrëfejë detajet rreth realizimit të projektit që i mbeti në gjysmë me Dr. Florin: ‘’Kënga lindi vjet, pothuajse në këtë kohë. Më thotë hajde se kam një këngë të bukur, e dëgjuam dhe më tha te refreni dua të futesh lart. Mua më pëlqeu shumë, por kisha plan tjetër, të dal me diçka tjetër dhe nuk dola as me atë, i thashë qenka shumë ritmike dhe e bukur’’, thekson Aurela, e cila së bashku me disa miq artistë do të realizojë albumin dhe disa koncerte për të kujtuar njëvjetorin e ndarjes nga jeta të Florit. ‘’Vëllai i vet Albani kishte punuar në demot e studios së tij dhe do të nxjerrë një album, e për njëvjetorin e tij dëshiron të bëjmë bashkë disa materiale e koncerte me këngëtarë që vërtet e kanë pasur mik’’.

Sa u përket projekteve të reja, këngëtarja tregon se është duke punuar shumë në këtë drejtim. ‘’Kam projekte të tjera që kanë një vit që presin. Një këngë në rrymën popullore që e dua shumë, e punuar nga Adrian Hila, madje dhe një baladë tjetër po ashtu dhe kam projekte të tjera që janë akoma demo’’, shton më tej Aurela, e ndërsa e pyetur nëse është e gatshme të bëhet nënë për herë të dytë, ajo thotë: ‘’Unë dua shumë po të kisha kohë.  Të kisha njohur njeriun e shpirtit tim më herët, besoj që do bëja shumë, jam rritur me familje të mëdha, do doja më shumë fëmijë, në qoftë se e ka shkruar Zoti po, nëse jo shëndosh ne. Por ne po  punojmë në atë drejtim (qesh)’’.

Tmerri që përjetova te Festivali i 2001
E irrituar tej mase nga ajo që i ndodhi para shumë vitesh, këngëtarja e njohur edhe një herë i është rikthyer historisë së vjetër, që shumë njerëz nuk e kanë ditur. Në këtë rrëfim të saj ajo thumbon edhe kolegët këngëtarë, që vetëm sillen si artistë e nuk kanë asnjë pikë arti në shpirt. ‘’10 ditë para se të këndoja në këtë festival, mua më ndodhi një incident, një 17-18 vjeçar më shikon që flas në telefon dhe më sulmon që të më rrëmbejë telefonin, çantën e çfarë t’i dalë përpara. Kjo gjë më ndodhi atëherë, në dhjetor të 2001-shit. Ai më sulmoi nga pas, më goditi në nofull, mori celularin dhe iku. Nga goditja mua më ra të fikët, atëherë nuk kishte rrjete sociale, e as shtypi rozë pothuajse nuk figuronte, prandaj dhe shumë njerëz nuk e dinë këtë përveç familjes, policisë ku bëra denoncimin dhe sigurisht bashkëpunëtorët e këngës ‘Jetoj’.

Kjo u bë që unë të mos merrja pjesë në festival, mbasi isha me shenja të zeza rreth syve nga rrëzimi në fytyrë…nofulla më kërciste. Nuk mund të hapja gojën për të kënduar dhe e dini çfarë? Artistët kolegë fërkuan duart. Nuk më pyesnin si ndihesha, megjithëse shkoja në prova me shenja, por duke besuar se nuk do të arrija të bëhesha mirë thoshin: ’Ah iku dhe një pretendente’, rrëfen më tej ankthin e sulmit këngëtarja Gaçe. ‘’Si me magji, shenjat u zbutën, ngeli pak enjtje rreth syve, nofullës i bëja ushtrime që  ta mbaja në gjendje, dola në skenë por këndoja keq, e ndieja se isha e mpirë, emocionet më kishin bërë akull, zërin nuk e përdorja siç doja dhe sytë i mbaja mbyllur pothuajse gjatë gjithë këngës si ai struci që fsheh kokën në rërë.

Mua më dukej se po të hapja sytë, njerëzit do ta kuptonin çfarë po kaloja në ato minuta. Shkoj mbas skene, artistët kolegë më rrahën krahët, më thanë shumë bukur, bravo’’, shtoi më tej ajo. ‘’E ndërkohë unë e dija shumë mirë se si dola, prita për finale. Dola, kisha një tjetër emocion, isha gati të shqyeja këngën, sytë hapur drejt kamerës e në publik: sa kam dëshirë të pres kur ke se kë të presësh, ke një ëndërr, ke një shpresë… Publiku reagoi, duartrokitjet më bënë të kthesha në skenë, shkova pas skene, kolegët u zhdukën, nuk i kisha rrotull të më rrihnin krahët prapë. Nuk kuptoja, aq keq isha? Në fakt publiku më dha përgjigjen, duartrokitjet e tyre, edhe sot e duartrokasin atë këngë dhe juria i dha vendin e parë, ndërsa kolegët më bënë të kuptoj kaq shumë mbi racën që quhet artist. Përpara kjo lloj race luftonte për ndonjë finale, çmim, sot lufton për pak më shumë se kaq, për ndonjë koncert e pak më shumë zhurmë.

Por, nëse atëherë mua më dhanë një mesazh dashurie artistët kolegë, sot më besoni që nëse ndahesh nga kjo jetë ata, në të vërtetë, thellë, pa e kuptuar as vetë, kanë një gëzim sepse mendojnë se do kenë më shumë punë me largimin e dikujt. Artistët pretendojnë se duhet të jenë të mirë me shpirt të madh, por janë të paktë e me gishta i numërojmë’’, shprehet në fund Aurela.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura