Aurel Plasari  “ecce homo”

Jun 29, 2022 | 11:29
SHPËRNDAJE

Agron Gjekmarkaj ne Parlament

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Nuk më befasoi lajmi se të premten në ora 12, Aurel Plasari dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhërin e lartë “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” por më shtyu drejt këtij shënimi të sotëm. Lumi i dekoratave ka vërshuar rrëmbyeshëm nga të gjithë Presidentët shqiptarë të tranzicionit.

Jo gjithmonë ato janë shpërndare sipas meritës e sëres. Ndonjeherë shkelqimi i tyre në gjokse që se mbanin dot atë peshë i ka veshur me komizem dhënesit e marresit.  Një spikamë madhështie për luftrat e pa bëra, për trimëritë e pa kryera, për kontributin e pa dhënë, per veprat pa vepër brenda duket mbi ballin e disa elementëve të shoqërisë sonë tanimë faktor ekonomik e politik të cilët lobojnë për të shpërblyer protagonizmin e tyre me medalje të ndryshme.  Presidentet tanë, produkte të këtij ambiente nuk i kanë shpëtuar kësaj ngasjeje e tundimi celebrues.

Por rasti i sqimatarit më të madh të kultures shqiptare, dendit të saj mbi fronin e sulmuar, Profesor Aurel Plasarit është ndryshe, krejt i pakrahasim. Plasari na ka kujtuar shpesh se druri prej të cilit është latuar Pinoku është natyra njerëzorë. Punëtori i fjalës që gjithë mëngjesin mund ta kalojë për të vënë një presje dhe gjithë pasditen për ta hequr duke i dhënë sharm të bukures stilistike.  Burri që dyshon gjithmonë e per gjithçka si kerkues i epërm i gjenezës së fenomeneve atij që latinet do ta thërrisnin ” de omnibus dubitandum” në kërkim të vertetash formidabile.

Atij asnjë dekoratë nuk ja bën më të madhe dukjen e peshen, asnjë sosh nuk i shton gjë, e as nevoje per to nuk besoj se ndjen, por është rasti me thënë qe prej tij marrin seriozitet, stabilizojnë autoritetin e lenduar, urdherat, stemat vete dekoratat.

Kur një si Plasari e pranon atë, ajo krijon një kanon , një standart, një lakmi civile legjitime e të shtuar. Askujt më shumë se atij , a thua si e bërë enkas për të, nuk i rri mirë , begenisja shteterore që mban emrin e Mbretit Gjergj -shqiptarit më themelues e më akumulues me identitet , emocione, lavdi e kumt. Pse më shumë se askujt?! Pothuaj 20 vjet nga jeta e tij krijuese i ka kushtuar kërkimeve mbi heroin tonë kombëtar , Arberisë së tij, familjeve arberore, rrëzëllimit të arbërit në histori, kohëve të më pasme pask ikjes së Gjergjit , “gjakut të shprishur”, jehut të atyre moteve të papërsëritshme mbi të cilen shqiptaret dolen komb e shtet me vete!  Një sërë veprash grishese , imponuese plot thagmë e thelb, asht i pathyeshem ku historia e albanologjia ngjisin mishin e vet.

Por mbi të gjitha si per të kulmuar rreth 600 vjet histori nga viti 1405 e ketej ” Skenderbeu -një histori politike” si veper e kryer a kryeveper do të ndihmojë në jetë të jeteve shqiptaret për të kuptuar e lexuar vetveten sa herë që nevoja për vetëkonservim e transformim do të shfaqet.

Një moment si ky, kur ndien nevojen për të thënë diçka është e pamundur ti shpëtosh retrospektives. Unë kam qene një student i Aurel Plasarit në vitet 94-96 dhe kam qene me shumë fat të ndjek leksionet e tij mbresëlënese, të ndryshme, oh sa të ndryshme nga të tjerve, por edhe të kem miqesinë e tij.

Në kohen kur një shkollë kulturore siç ishte ” realizmi socialist” po shëmbej me tam tamet, folklorin patetik, dëmet e veta teksa etërit e saj tentonin të dominonin lirinë, në mes të asaj rrëmujë kundërthënese shfaqej Profesori bir i kultures pa izma. Të shumta kanë qënë netët ku pothuaj e gdhinim së bashku me Mark Markun, Gezim Gurgen e Prof Aurelin kafeneve të Tiranes. Të pafundme kërsheritë, të pafundme bisedat per të fshehtat e tekstit, për letërsinë e krahasuar, përkthimet, Fishtën, Konicën, Harapin, Merxhanin, Mit’hat Frashërin e shumë e shumë të tjerë dhe për mua shkolla e vertetë apo kujtimi më i madh i saj ishin ato biseda.

Çfarë nuk mbyllej aty vazhdonte në redaksinë e “Hyllit të Drites” me At Zef Pllumin drejtorin e saj dhe kryeredaktorin Aurel Plasari që per një student 20 vjeçar, i etur per të nxënë ishte maksimumi që me shenjoj jetën dhe zgjidhjet e mevonshme.

“Frati i kujtimeve” dhe Plasari ishin dyshja më antikonformiste e Kryeqytetit. Për mbi 10 vjet ata ndërtuan një shkollë mendimi e kulture, luftuan mentalitetin ideologjik të sundimit mbi kulturen duke i kundërvënë sistemin e hapur. Botuan, promovuan folën për të ndaluarit e mëdhenj duke tentuar që pas “rishfaqjes së vijes së Teodosit” përmes shembullit të tyre shqiptarët t’ja mbanin kah oksidenti. Personalisht pa pretenduar se ja kam arritur jam munduar të mesoj nga të menduarit, të shprehurit dhe të shkruarit e Aurel Plasarit ! Mbase na magjepsi jo vetem për volumin e dijeve por edhe se ai e shkruan shqipen me bukur se kushdo t’jeter.

Përkthyes i shumë kryeveprave botërore, autor i shumë librave dhe eseve, me të cilat ka ndarë e bashkuar me shizma ndërgjegjeje, mendimtar e profesor Aurel Plasarin shpesh e kanë dashur në krah. Janë gezuar kur e kanë patur e sulmuar kur kjo ska ndodhur! E kanë gjykuar sa herë ka bërë një zgjedhje apo ka marrë një vendim, sa herë ka shfaqur anësi e pa anësi por të gjithë kanë rëndur me atë kenaqesi që jep leximi pas çdo libri apo shkrimi të tij duke ja njohur statusin e epërm të njeriut “homo meditans” që bashkohësinë tonë ënde e humanizon, ënde i jep shpresë dhe i përkufizon horizontin e pritjes.

Nuk e di kush do jetë në ceremoninë e nesërme! Nuk e di kë ka ftuar Profesori të cilin e falenderoj per shenjimin personal që më ka bërë, por do ishte në nderin e burrave të shtetit shqiptar nëse ka ënde të tillë të jenë neser aty duke respektuar kësisoj veten raportin me vlerat , kulturen dhe historinë me personalitetet qe kalojnë kithtas si dhuratë e Zotit në këtë vënd, që askush si Aurel Plasari nuk i misheron!

Ecce Homo u tha Ponc Pilati hebrejve duke drejtuar gishtin mbi Krishtin e kamxhikosur e të pergjakur.

© Panorama.al

Te lidhura