MEDISON, Uiskonsin – Një regjistrim i ri audiofonik ofron një pamje të brendshme të faktit se zyrtarët e ekipit elektoral të ish-Presidentit Donald Trump, në një shtet të rëndësishëm për betejën elektorale, e dinin se ishin mundur nga demokratët në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Por edhe kur e pranonin humbjen, ata anonin nga aludimet për manipulim të gjerë që u hodhën poshtë në mënyrë të përsëritur nga zyrtarët zgjedhorë dhe gjykatat.
Regjistrimi zanor i datës 5 nëntor 2020, dy ditë pas zgjedhjeve, po bëhet publik ndërkohë që ish-Presidenti Trump kërkon sërish kandidimin për president, ndërsa vazhdon të gënjejë për legjitimitetin e rezultateve dhe për fitoren e demokratit Joe Biden.
Gjatë një takimi për strategjinë, zyrtarët politikë në Uiskonsin madje lavdëruan përpjekjet e demokratëve për pjesëmarrje në zgjedhje në qarqet më të mëdha të këtij shteti dhe duket se bënë shaka me përpjekjet e tyre për të angazhuar votuesit afrikano-amerikanë, sipas regjistrimit të siguruar të enjten nga agjencia e lajmeve Associated Press. Regjistrimi përqëndrohet tek Andrew Iverson, i cili ishte drejtues për fushatën Trump në këtë shtet.
“Ja si do të veprohet: sektori i komunikimeve do të vazhdojë të mbajë ndezur flakën dhe të shpërndajë lajmin se demokratët po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Ne do të ndihmojmë me çfarë kanë nevojë. Vetëm qëndroni gati në pritje, në rast se do na duhet të bëjmë ndonjë manovër”, tha zoti Iverson.
Zoti Iverson është tashmë drejtor rajonal në Komitetin Kombëtar Republikan. Ai sugjeroi që pyetjet për këtë takim t’i dërgoheshin komitetit, zëdhënësi i të cilit, Keith Schipper, refuzoi të komentojë pasi nuk e kishte dëgjuar regjistrimin.
Kopja e regjistrimit iu dha agjencisë Associated Press nga një ish-zyrtar i ekipit elektoral dhe ish-zyrtar republikan, që ishte i pranishëm në atë takim.
Në përgjigje të pyetjeve për regjistrimin zanor, zëdhënësi i fushatës Trump tha: “Fushata elektorale 2024 është e përqëndruar tek konkurimi në secilin shtet dhe tek fitorja në një mënyrë dominuese. Kjo është arsyeja përse Presidenti Trump udhëheq me diferencë të madhe në anketim pas anketimi”.
Uiskonsini ishte një pjesë e rëndësishme e fitores së zotit Trump në vitin 2016, kur arriti të thyejë të ashtuquajturin “murin blu” të demokratëve në atë rajon, dhe fushata e tij elektorale u përpoq shumë ta ruante këtë shtet në favor edhe katër vite më vonë kur ai humbi përballë zotit Biden.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al