Audiopërgjimi/ Flet Bamir Topi: Xhafaj ta maste mirë kur u bë ministër

May 23, 2018 | 8:29
SHPËRNDAJE

Ish-Presidenti i Republikës dhe kreu i FRD-së, Bamir Topi, beson se audio-përgjimi i publikuar për vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është vepër e politikës dhe një histori pa vlerë.

topi rama

Në një intervistë për emisionin “Studio e Hapur” në News 24 të gazetares Eni Vasili, ish-Presidenti thekson se Xhafaj nuk duhet të kishte pranuar detyrën e ministrit të Brendshëm, kur ishte në dijeni për historinë me të vëllain.

Topi ka folur edhe për ish-forcën e tij politike dhe largimin që Basha u bëri ish-deputetëve të PD-së. Sipas Topit, të gjitha janë vendimmarrje të Sali Berishës, i cili synon ta lërë PD-në pa memorie politike.

Audio-përgjimi në këndvështrimin tuaj është një lojë politike e organizuar dhe orkestruar brenda maxhorancës dhe opozitës apo është realisht një investigim gazetaresk?

Fakti që ka shumë kontradiktë brenda, kam frikë se është sërish politika që mundohet ta shfrytëzojë këtë situatë. Kjo historia e përgjimit më ka krijuar gjithmonë një gjendje të keqe. S’e kam pëlqyer asnjëherë. Historia e përgjimit, e vendosjes së kopsave, çimkave, intimidimit, shantazhit është histori e njerëzve pa vlerë. Unë vlerësoj fjalën e thënë drejtpërdrejt.

Besoni se duhet të jepte dorëheqjen ministri i Brendshëm?

Unë kam një mendim tjetër për këtë histori. Unë z.Xhafaj e njoh prej vitesh sepse ka qenë pjesë e Parlamentit. Ai vjen patjetër me një format nga e kaluara komuniste, por kjo nuk na ka penguar që të jemi korrekt në komunikim. Problemi këtu nuk është te z.Xhafaj në mendimin tim, por te Kryeministri. Sepse z.Xhafaj kishte të gjithë delegimin politik që PS i kishte dhënë për të drejtuar tavolinën e Reformës në Drejtësi, për të cilën besoj i njihen meritat. Pastaj del një moment kur ai vjen dhe bëhet ministër i Brendshëm. Çdo njeri e mat fare mirë, për më tepër që e di që je në një terren në politikën shqiptare, që nuk ka fare luajalitet në komunikim. Xhafaj duhet ta kishte vlerësuar vetë këtë. Ka një kontradiktë shumë të fortë, në krye të Komisionit të Ligjeve me të drejtë ka qenë një frymë politike që vetingu të përfshijë prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës të Policisë. Edhe shoferit më të thjeshtë të Policisë i është kërkuar të informojë për rrethin e tij. Edhe z.Xhafaj duhet ta kishte marrë parasysh këtë. Sepse është më mirë ta parandalosh diçka se sa ta mjekosh atë. Jemi në momentin që të gjithë ia kanë shfrytëzuar këtë. Nuk themi që ai të marrë mbi vete gjynahet e të vëllait sepse ai si politikan është votuar, por kur shkon në një dikaster specifik si ai i ministrit të Brendshëm, ka një konotacion ku njeriu duhet të jetë i kujdesshëm kur vendos të shkojë.

Si ju duket opozita e sotme?

Opozita akoma nuk ka kërkuar ndjesë për gabimet e veta. Akoma nuk ka deklaruar publikisht që ka shumë mëkate për ngjarje, që kanë tronditur opinionin publik. Për mënyrën e sjelljes së institucioneve. Jo vetëm për institucionin që kam drejtuar unë, por edhe për institucione të tjera me radhë. Janë bërë debate të mëdha për këtë punë. Vite më parë kishe 2-3 individë të vetmuar në betejë me PS-PD. Kur unë shkova të jem president i të gjithëve, sepse unë dola nga PD-ja si nënkryetar i saj, atëherë u tradhtova edhe nga opozita e djeshme. U sulmova nga ish-kolegët e mi.

Ka një kryetar të ri në krye të PD-së?

Unë kam qenë koherent në qëndrime e mia. Unë nuk e kam vetëm me z.Basha, por me institucionin e kryetarit. Unë kam pasur pakënaqësitë e mia me disa nga ata që janë larguar padrejtësisht, sipas meje, nga PD-ja. Ata janë pjesë e memories së politikës së Shqipërisë. Unë nuk kam pasur marrëdhënie normale gjatë ushtrimit të detyrës sime me zonjën Topalli. Sepse ajo ishte pjesë e mendimit politik të Sali Berishës. Por kjo nuk më heq asnjë lloj të drejte për të thënë që është bërë një gabim i madh që hiqet memoria nga PD-ja, bashkë edhe me të tjerë. Marr si shembull zonjën Topalli, pasi bashkë me të kemi bashkudhëtuar në momente shumë të vështira. Është shumë e rëndë kur kalon situata shumë të vështira të ’96,’97,’98 kur secili nga ne ka momente ku mund të humbiste jetën në aktivitet politike, sot vjen një njeri dhe e heq. Zgjedhje e cila sipas meje nuk është një vendimmarrje e tij. Nuk ka gjë në atë parti politike sipas mendimit tim, që nuk bëhet pa ideimin e mjeshtrit të madh Sali Berishës.

Pse do i interesonte Berishës të humbte ish-bashkëpunëtorët e tij?

Historia është që në përfundim ai kërkon t’u lërë një PD pa memorie bashkëkohësve të tij. Do ia lërë një personi, i cili tek e fundit drejton një parti politike zyrtarisht, por praktikisht unë jam i bindur që drejtohet nga tjetërkush. Kjo është arsyeja që kjo opozitë të kthehet në maxhorancë janë jo vetëm minimaliste, por edhe inekzistente. Kjo është arsyeja që Kryeministri aktual, duke parë se nuk ka kundërshtar, nuk rrit moderacionin për t’u bërë më i butë, por bëhet më arrogant.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura