Audio-përgjimi i Bibës/ PD reagon sërish: Bianku është ankuar në Strasburg, Rama ideator i kërcënimit

SHPËRNDAJE

Partia Demokratike me anë të Këshilltarit Ligjor, Gazmend Bardhit, ka reaguar sërish për audio-përgjimin e nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba.

Bardhi ne deklaratën e tij tha se heshtja e Ramës tregon se ai është ideatori i kërcënimit të gjykatësit të Stasburgut.

“Edi Rama, Sekretari i tij i Përgjithshëm Engjëll Agaçi, nënkryetari i KQZ, Denar Biba mund të përdorin të gjithë pushtetin për të mbyllur çështjen, por ata nuk mund të ndryshojnë dot një fakt: se gjyqtari Ledi Bianku e ka raportuar shantazhin tek eprorët në Gjykatën e Strasburgut:, tha Bardhi.

cb3585cf-73de-4fb3-b241-1bb482d95d22

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, KËSHILLTARI LIGJOR GAZMENT BARDHI

Audio regjistrimi i publikuar dje në media, ku, në emër të Edi Ramës, nënkryetari i KQZ Denar Biba, shantazhon anëtarin e Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, u provoi shqiptarëve se qeverisen nga një kryeministër armik i të drejtave themelore të njeriut dhe që e drejton vendin si një organizatë mafioze.

Në materialin audio kërcënimi është i qartë: “Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës, pas përfundimit të mandatit do të mbetesh pa punë. Sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do të shërbejë për asgjë. Ky tren- pra mundësia e për të bërë pazar me Qeverinë-nuk do të vijë më në jetë”.- është thelbi i kërcënimeve mafioze të të dërguarit të Edi Ramës për gjyqtarin e Strasburgut.

Edi Rama, Sekretari i tij i Përgjithshëm Engjëll Agaçi, nënkryetari i KQZ, Denar Biba mund të përdorin të gjithë pushtetin për të mbyllur çështjen, por ata nuk mund të ndryshojnë dot një fakt: se gjyqtari Ledi Bianku e ka raportuar shantazhin tek eprorët në Gjykatën e Strasburgut.

Media që zbuloi skandalin ka kontaktuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg Ledi Bianku dhe ai ka konfirmuar jo vetëm takimin me Denar Bibën, por edhe përmbajtjen e bisedës në regjistrimin audio.

Gjithashtu, gjyqtari shqiptar në Strasburg ka konfirmuar se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Denar Bibën, ka informuar kryetarin e atëhershëm të Gjykatës së Strasburgut, duke e cilësuar mesazhin e të dërguarit të qeverisë si ndikim të papërshtatshëm.

Mjafton ky pohim për të kuptuar përpjekjen qesharake të sekserit të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit për t’u thonë shqiptarëve se nuk është ashtu siç duket, se shantazhi nuk është shantazh, por miqësi e vjetër.

Çfarëdo të bëjë Edi Rama me Engjëll Agaçin, është fakt i pandryshueshëm se të ashtuquajturën “bisedë miqësore” të Denar Bibës, gjyqtari shqiptar në Strasburg e raportoi pranë Kryetarit të Gjykatës së Strasburgut si ndërhyrje të paligjshme në punën e tij. Një ndërhyrje e tillë synonte ndihmë për qeverinë kundër interesave të pronarëve shqiptarë.

Audio regjistrimi është prova më diskredituese për Edi Ramën se, pasi u hoqi shqiptarëve të drejtën për t’u ankuar me nxjerrjen jashtë funksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, me mënyra mafioze, po u heq të drejtën pronarëve për t’u gjykuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe për të rifituar pronën e grabitur nga qeveria.

Heshtja e Edi Ramës ndaj këtij akti kriminal është pohim i asaj që beson sot shumica e shqiptarëve se ai është urdhëruesi i aktit mafioz për shantazhimin e gjyqtarit në Strasburg dhe se kërcënimi, kapja politike, blerja e korruptimi është modeli i drejtësisë së re që po instalon Edi Rama.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.