Atmosferë korçare natën finale të “Miss Shqipëria”

Jul 2, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE


Vetëm një javë ka ngelur nga nata e madhe e “Miss Shqipëria 2015”. Prej ditësh tashmë, 30 vajzat konkurrente të këtij viti kanë nisur turin e zakonshëm në trevat turistike dhe historike të Shqipërisë. Udhëtimi ka nisur nga Tirana, pas tri ditësh të kaluara nëpër vizita në zonat përreth, përfshirë edhe Kodrën e Kuajve në Durrës, ku fotografi Pirro Kasemi ka realizuar edhe setin fotografik të revistës së “Miss Shqipëria”. Është prekur bregdeti në plazhin e Lalëzit dhe kompleksin Lura. Më pas, grupi i është drejtuar Kepit të Rodonit duke bërë një vizitë që u ka lënë mbresa në Kalanë e Skënderbeut. Turi ka vazhduar më pas me një eksperiencë të re për “Miss Shqipërinë”.  Ndërkohë, është mbyllur edhe pjesa më e madhe e numrave artistikë që parashikohen për mbrëmjen finale të 5 korrikut në Voskopojë. 30 vajza do të garojnë sivjet për kurorën e më të bukurës shqiptare në një spektakël që do të mbahet mbi një skenë gjigante në natyrë dhe të prezantuar nga Zamira Kita dhe Enkel Demi. Këngëtarja Eli Fara gjithashtu do të prezantojë këngën e saj të re me një klip të realizuar pikërisht me vajzat konkurrente të këtij viti. Një bashkëpunim i veçantë do të jetë ai me kompozitorin Shpëtim Saraçi, i cili ka shkruar për natën finale të miss-it një musical, në të cilin do të interpretojë aktori Herion Mustafaraj bashkë me vajzat, me motivet e këngës “Luleborë”. Gjithashtu këngëtarja Manjola Nallbani do të interpretojë në skenën e bukurosheve shqiptare këngën e saj të re, siç do të jenë të ftuar edhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi dhe Devis Xherahu. Veshjet për sfilatat e vajzave këtë vit janë mundësuar nga Elisabeth, ndërsa skenari i spektaklit do të jetë një bashkëpunim mes Alda Bidës dhe Kozeta Kurtit.     

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura