Atletja rekordmene Luiza Gega: Jam me medalje ari, por stërvitem me bursë shteti

Jul 1, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Luiza Gega tashme ka skalitur emrin në historinë e sportit shqiptar, pasi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Europiane Baku 2015. Atletja durrsake, e cila mori edhe medaljen e argjendtë të dielën e kaluar në garën e 800 metrave, një ditë më pas, të hënën, bëri një paraqitje spektakolare në disiplinën e 1500 metrave. Luiza dominoi ndaj kundërshtareve dhe arriti të marrë medaljen e parë të artë për Shqipërinë në një aktivitet të këtyre përmasave, ku përveç atletikës, përfaqësuesit kuqezinj në sportet e tjera lanë shumë për të dëshiruar…

Luiza Gega

Megjithatë, pavarësisht medaljes së argjendtë dhe të artë që fitoi, Luiza rrezikon të mbetet pa shpërblim financiar. “Hilja” qëndron te mënyra e organizimit të Lojërave Europiane, pasi i jepet prioritet renditjes si ekip dhe jo individualisht. Por grupi i sportistëve kuqezi, përveç Luiza Gegës dhe deri diku Izmir Smajlajt e Islam Islamajt, zhgënjeu në të gjitha disiplinat. Ndërkaq, Luiza Gega ka thyer dy vite më parë rekordin e vendosur që para 28 vitesh nga atletja legjendare Pavlina Evro. Dhe pavarë- sisht çdo fitoreje të saj, atletja që cilësohet shpesh edhe si “mbretëresha e sportit shqiptar” trajtohet vetëm me një bursë modeste shteti…

Arritët që të merrnit në Baku dy medalje, të argjendtë dhe të artë. Si u ndjetë?
Kam kohë që përgatitem për aktivitetin dhe sigurisht që u ndjeva shumë mirë. Lojërat Europiane Baku 2015 ishin të përmasave të mëdha dhe ne ishim të parët që bënim garë në atë stadium gjigant dhe të një cilësie tejet të lartë. Te të dy ditët, publiku në stadium ishte më shumë se 50 mijë vetë dhe kjo e bënte garën edhe më emocionuese.

Kujt ia dedikoni fitoren?
Trajneri luan rolin kryesor në gjithë arritjet e mia dhe e falënderoj shumë për besimin që ka pasur dhe ka tek unë.

Megjithatë, sërish rezulton që Shqipëria vazhdon të ketë zero medalje të fituara në Lojërat Europiane. Pse nuk u llogaritën dy medaljet e tua?
Organizatorët kishin vendosur kështu. Ne atje e morëm vesh këtë që aktiviteti ishte me grumbullim pikësh si ekip (jo individualisht), ku tre ekipet e para merrnin medalje.


A do të shpërbleheni financiarisht nga shteti për këto dy medalje të fituara?

Në fakt akoma nuk e di, por shpresoj shumë që shteti të kthejë kokën nga cilësia e sportit dhe të investojë për rezultate më të mëdha. Është shumë është vështirë të arrihen medalje pa ndihmë, pasi rezultate të tilla kërkojnë të merresh me shumë detaje që kushtojnë (fizioterapi, infrastrukturë, në dimër duhet të shkosh të stërvitesh në vende të ngrohta etj.).

Po ndër vite, a jeni ndier e shpërblyer financiarisht për sa po i jepni atletikës shqiptare?
Për fat të keq jo. Përkundrazi! Sidomos nga Ministria e Kulturës e Sporteve, ku unë kërkova një shpërblim për vendin e 6-të në botë (pasi deri në vend të 5-të merrje shpërblim me vendim të Këshillit të Ministrave). Edhe pse asnjë atlete nuk e ka arritur një rezultat të tillë, më thanë që nuk të takon shpërblim. Shpresoj që tani gjërat të ndryshojnë.

A mund të jetohet vetëm me të ardhurat sportive? 
Me të ardhurat sportive në Shqipëri është shumë vështirë. Sporti, sidomos rezultatet e larta, kërkojnë shumë investim siç e thashë më lart. Pa llogaritur këtu që të mendosh për të ndarë diçka mënjanë, pasi sporti një ditë do përfundojë dhe s’kemi asgjë financiare të përfituar, pasi të ardhurat janë vërtet të vogla.

Në rast se një shtet tjetër do t’ju ftonte të garonit në emër të tij kundrejt ndonjë shifre të madhe, do të pranonit? Për çfarë shifre do ta braktisnit Shqipërinë?
Nuk është aspak e vështirë të shkosh të garosh për ndonjë shtet tjetër. Por kënaqësinë dhe emocionin që merr kur përfaqëson denjësisht shtetin tënd, nuk e ndien për asnjë shtet tjetër. Çdo sportist i mirë rri me shpresën që do të vijë një ditë që gjërat do të ndryshojnë, ku për fat të keq, akoma nuk ka ndodhur. Për shifër, në fakt, nuk e kam menduar një shifër ekzakte…

Kemi plot raste kur sportistët shqiptarë e kanë lënë Shqipërinë për të konkurruar për shtete të tjera. Shpesh, këta cilësohen si “tradhtarë”. Ju si do të cilësonit?
Në fakt, po të mendosh si patriote, ashtu do ta cilësoja. Edhe unë nuk ndihem mirë kur shoh dikë që garon për flamur tjetër. Por kur mendon që këtu nuk ke të ardhme, jam e sigurt që çdo njeri do mendojë ndryshe.

Është shkruar se keni thyer rekordin e Pavlina Evros, pas 28 vitesh. A është e vërtetë?
Po, është e vërtetë. Rekordi kishte 28 vite që nuk thyhej dhe cilësohej si rekordi më i vështirë. Në fakt, për herë të parë e kam thyer para dy vitesh. Rekordi ishte 4.06.40 dhe rezultati im sot është 4.02.63.

Dihet që sportistët kanë ekipet e tyre. I juaji, cili ishte? Kush po ju mbështet?
Unë kam 7 vite që jam me ekipin e Tiranës. Kemi rreth tre vite që marrim trajtim ushqimor nga klubi. Përveç kësaj, kam përfituar një bursë nga Komiteti Olimpik Shqiptar që më ndihmon për stërvitjen. Ndihmesë e madhe, qoftë edhe financiare ka qenë trajneri im. Ai është kujdesur për mua dhe për shokët e mi të ekipit, pasi është shumë i apasionuar pas sportit. Dhe mendoj që kjo është arsyeja e suksesit të tij, pasioni që ai ka për sportin, ku për fat të keq në Shqipëri, mungon.

Prej sa vitesh po ushtroheni në atletikë dhe a kufizoheni në stilin e jetesës, të të ushqyerit etj.?
D.m.th a detyroheni të mbani një regjim të ashpër ushqimi dhe oraresh për të dalë (p.sh. natën)? Kam rreth 14 vite që merrem me këtë sport. Sigurisht që të kufizon sepse e gjithë dita jote rrotullohet rreth stërvitjes. Ke orë të munguara gjumi, ngrënia e ushqimit duhet shumë e shëndetshme, duhen orare vaktesh të sakta në mënyrë që mos kesh shqetësime gjatë stërvitjes etj. Ndërsa jeta e natës pothuajse është inekzistente për një atlet, ndodh shumë rrallë, pasi mosplotësimi i duhur i orëve të gjumit të çorienton gjatë gjithë ditës.

Angazhimi në atletikë, sidomos kur flitet për stërvitje kampionatesh, a ju mban shumë larg familjes? Çfarë mendojnë ata, duhet të vazhdosh me atletikën?
Sa më i lartë të jetë rezultati në sport, aq më shumë sakrifica duhet të bësh. Pasi kur rezultati bëhet më i fortë, përmirësimi i mëtejshëm bëhet akoma më i vështirë. Dy vitet e fundit, për fat të keq, familjen nuk e takoj dot mjaftueshëm, pasi pjesën kryesore nuk rri as në Tiranë, për shkak të infrastrukturës së keqe që ma vështirëson stërvitjen. Ndërkohë, familja ime ndodhet në Durrës, edhe arrij ta takoj, nuk rri dot mjaftueshëm me ta, pasi më duhet të stërvitem 2 herë në ditë.

A ia vlen kjo sakrificë?
Sporti elitar është vërtet sakrificë, por dhe emocionet që të jep janë të papërshkrueshme.

A duhet të vazhdosh me atletikën, duke pasur parasysh që ky lloj sporti “të nxjerr para kohe në pension”? E keni menduar se çfarë do të bëni në jetë, çfarë profesioni, pasi të mos mundeni më në atletikë?
Për momentin nuk dua ta ngarkoj kokën me shumë gjëra, pasi dua të jem e përqendruar te stërvitja. Sigurisht që jam e vetëdijshme për “pensionin para kohe”, pasi sporti nuk është i përjetshëm. Të vetmen gjë që di, është se do bëj diçka që të ketë lidhje me sportin, pasi nuk e mendoj dot veten me diçka tjetër. Të paktën për momentin, jo.

ELISABETA ILNICA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura