ATLETIKË/ Kampionati dimëror, triumfojnë Burraj dhe Joana Hazisllari

Jan 28, 2022 | 17:12
SHPËRNDAJE

Janë mbajtur ditën e djeshme në pistën e stadiumit “Elbasan Arena” garat e Kampionatit Individual Dimëror të Atletikës, duke hapur kështu zyrtarisht edhe kalendarin e garave për këtë vit.

burraj

Në këtë aktivitet marrin pjesë nëntë skuadra nga Shqipëria, ashtu si edhe nga Kosova, me një total sportistësh prej 137. Në fund të aktivitetit u shpallën edhe dy sportistët më të mirë, Franko Burraj i Vllaznisë me 154 pikë dhe Joana Hazisllari e Teutës me 961 pikë, duke marrë në fund edhe trofeun individual.

Në tërësi këto gara u zhvilluan të qeta, me sportistët që u munduan të jepnin maksimumin e tyre në pistë. Për t’u veçuar ishin edhe temperaturat e ulëta, në të cilat u zhvilluan garat. Siç dihet, në të gjithë botën eventet dimërore zhvillohen në salla të mbyllura, por në mungesë të infrastrukturës në vendin tonë këto gara vijojnë të zhvillohen në qiell të hapur.

272119362_449765420153866_8268396620157418623_n

272032929_333240412033741_6150183507816923140_n

GARAT – Në disiplinën e 60 metrave vendet e para i takuan Leandro Çardakut të Vllaznisë dhe Elisa Myrtollarit të Skënderbeut, të cilët e përshkuan këtë gjatësi më shpejt sesa kolegët e tyre. Në 60 metra me pengesa vendet e para i takuan Durjon Idrizajt të Vllaznisë dhe Melisa Sinës të Partizanit.

Sakaq, sa u përket 400 metrave, vendi i parë i takoi sportistit më të mirë të aktivitetit, Franko Burrajt të Vllaznisë, ndërsa për femra, e para doli Zhuljeta Çesku e Tiranës.

Në garat e mesme, atë të 800 dhe 1500 metrave për meshkuj dolën të parët dy sportistët e Elbasanit, Enea Zdrava dhe Tirron Mamusha, ndërsa për femra vendet e para u takuan sportistëve të Tiranës, Relaksa Dauti dhe Redia Dauti.

Milen Caco i Skënderbeut dhe Mei Sokoli e Tiranës dolën të parët në kërcimin së larti. Në atë së gjati, vendi i parë i takoi Muhamet Çengelit të Vllaznisë dhe Joana Hazisllarit të Teutës.

Atletja më e mirë e aktivitetit doli e para edhe në kërcimin trehapësh, ndërsa për meshkuj i pari doli Kolindo Kiri. Adriatik Hoxha i Teutës dhe Asia Sina e Tiranës zunë vendin e parë në hedhjen e gjyles, ndërsa në garën e 3 mijë metrave vendi i parë i takoi Tirron Mamushës së Elbasanit dhe Martina Jakut të Mjeshtërisë Sportive.

atletike

Fotot: F. Hazisllari

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura