Atjon Zhiti, rikthim në 20-vjetor për ata që e deshën

Aug 28, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

“Jeta nuk duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, nuk kemi kohë për gjithçka, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thënë se është e kotë, e shkurtër dhe e pavlefshme, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë.

atjonTë bësh mirë ti e di ça d.m.th, nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori”. Ishte vetëm 19 vjeç, këtë 30 gusht do të bënte 20. Ai nuk kishte moshë të mendonte kaq thellë… Atjoni nuk ia kishte jetën hua askujt, ishte e tija, duhej ta gëzonte… Thua ai e ndiente?! Mos edhe fati është i verbër si dashuria?! Për dhimbjen dhe gëzimet që u dhuroi më të dashurve, ka dalë këto ditë në qarkullim libri i Atjon Zhitit, “Për atë që dua(m)”. Ishin dëshirat e tij dhe tonat.

Kopertina e librit
Kopertina e librit
Libri, një botim i “UETPRESS”, redaktuar nga Alfred Lela dhe Valbona Nathanaili, është një përmbledhje prej 229 faqesh me ese dhe statuse në “Facebook”, recensa, poezi e përkthime etj., të botuara më parë në gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporës, në SHBA, apo të pabotuara më parë.

Si çdo gjë të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshme që i la i biri në 19 vitet e jetës së tij, këto materiale i ka mbledhur e ëma e Atjonit, Eda, ndërsa i ati, shkrimtari e poeti Visar Zhiti, e shoqëron librin me një parathënie të gjatë.

Nuk mungon një album fotografik dhe shënime nga shoqet dhe shokët e tij, studentë e qytetarë, të njohur e të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar etj., etj., jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi, Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja etj., që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria.

Një foto fëmijërie e Atjon Zhitit
Një foto fëmijërie e Atjon Zhitit
Përmes faqeve të librit vijnë shqetësimet e Atjonit, mençuria e një të riu, ëndrra për një të ardhme më të mirë, “duke e pritur nga vetja, nga askush tjetër, madje me porosinë që jo të presësh, por të veprosh, gjithsecili me përkushtimin e tij, me aftësitë e veta, me mirësinë e bashkërisht me përvojën kolektive dhe vegimet, sa kombëtare, po aq dhe europiane, për një Shqipëri normale, të bukur sa dhe ata që e duan, lashtësia e së cilës është rrënjë e sigurt e së ardhmes…”.

Në këtë libër ishte gjithçka që donte të bënte e nuk mundi t’i bënte. “Është testamenti i Atjonit për Shqipërinë, Ungjilli për të rinjtë, fari ndriçues i brezit të tij”, thotë studiuesi dhe eseisti Eugjen Merlika. Atjon Zhiti, djali i shkrimtarit dhe poetit Visar Zhiti, u nda nga jeta 8 muaj më parë nga shkaku i një aksidenti rrugor. Motori, që e ngiste një moshatari i tij me shpejtësi të çmendur, u përplas tragjikisht me blloqet e betonit që bënin ndarjen e autostradës, në kohën kur ajo riparohej.

Dhe ende drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj, nuk ka nxjerrë përgjegjësitë e duhura, teksa shkaktari i tragjedisë i shmanget përballjes, me justifikimin se “nuk mban mend asgjë”. E nëse ai “ka harruar” ngjarjen, e pamundur ta harrojnë atë të gjithë ata që e deshën, që e duan dhe që do ta kujtojnë sërish çdo 30 gusht, ditën e lindjes së tij. Kësaj here, duke promovuar librin e tij të parë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura