Atentati/E dashura e Kevinit: Përshëndetja e fundit para ekzekutimit

Oct 10, 2015 | 10:10
SHPËRNDAJE

E dashura e Kevin Rugovës, njërit prej viktimave të atentatit te Lulishte 1 Maj, Kristjana Ibra, e njohur si Kristjana Saxobeat, rrëfen në këtë intervistë për “Shekullin” raportin që kishte me te, që nga momenti i njohjes së tyre e deri tek mësimi i lajmit të vdekjes së tij.

Ajo e konsideron viktimën si mashkullin perfekt dhe deklaron që Kevini nuk kishte armiq. Përpos dhimbjes, Kristjana shprehet se do të ruaj nga Kevini vetëm çastet e lumtura që ai i ka dhuruar.

kristina

Si je njohur me Kevin Rugovën?

Është për të qeshur në fakt. Ne jemi njohur në ashensor, tek pallati i shoqes time. Na ka tërhequr pamja fizike tek njëri-tjetri, ai momenti kur jemi parë. Prej asaj kohe kemi filluar të dalim me njëri-tjetrin, më pas vendosëm të bashkëjetonim pas një muaj njohjeje dhe lidhje. Kevini ka qenë mashkull perfekt, nuk kishte asnjë defekt. Me mua sillej shumë mirë, sikur të më kishte fëmijë. Kemi kaluar shumë çaste të bukura dhe të këqija bashkë, kemi qenë në shumë vende. Kam kujtime shumë të bukura nga ai.

Prej sa kohësh bashkëjetonit?

Bashkëjetonim prej 7 muajsh në një shtëpi me qira dhe për të gjitha shpenzimet e shtëpisë kujdesej Kevini.

A ishte në dijeni familja juaj për lidhjen me Kevinin?

kristjana

Po, mami e ka dashur shumë Kevinin. Por edhe Kevini e ka dashur shumë mamin. Ai na ka ndihmuar për çdo gjë, çdo gjë që na duhej ai mundohej të na e plotësonte. Ne nuk e kemi mentalitetin që një çift duhet të martohet për të bashkëjetuar. Ai më donte e më respektonte  shumë dhe mami ndjehej rehat dhe kishte siguri për mua.

Si e morët vesh lajmin për humbjen tragjike të të dashurit tuaj?

Unë kam qenë në shtëpi, te shtëpia jonë, duke e pritur. Më kishte zënë gjumi dhe vetëm kur më vjen shteti në shtëpi. Trokasin në derë. Dera ishte e mbyllur. Pasi hapën derën, më morën në komisariat dhe aty më thanë që Kevini ka ndërruar jetë. Ma thanë troç!

Po Kevini, kur po dilte nga shtëpia të tha ku do të shkonte?

fotoPara se Kevini të dilte, i thashë që të shkoja edhe unë me të. Më ka dashur Zoti, më tha s’ke për të ardhur, se do isha unë në makinë me të. Kur iku, dola në ballkon dhe më përshëndeti me dorë, sikur t’ia ndjente shpirti. Më tha mirupafshim. Në momentin që ishin nisur për të ardhur, ishin vrarë.

Po vajzat me të cilat ishte shoqëruar Kevini, i njihje?

Jo, nuk i njihja. Di vetëm që i dashuri im nuk kishte punë me asnjërën nga ato. Gocën që mbijetoi, e takova në komisariat. Ajo kishte gjakun e Kevinit tek tutat e saj. E pyeta dhe më tha që nuk kishte asnjë lidhje me Kevinin, thjesht po hanin një darkë. Kevini i kishte thënë që po nxitonte se do ikte tek “Miza”, kështu më thërriste, se e kam lënë në shtëpi vetëm. Unë vetëm një shok të tij njihja, Albin, që e kishte si vëlla dhe me të dashurën e tij, dhe më këta dilnim, me asnjë person tjetër. Kelvini i kishte shokët “shokë për kokë”.

Sa pranë të janë gjendur miqtë në këtë situatë që ndodhesh?

Jo vetëm miqtë, por edhe njerëz të tjerë që unë nuk i njoh më kanë ngushëlluar dhe inkurajuar shumë. Kam një shoqe shumë të ngushtë, e cila ka qenë edhe mikesha e Kevinit. Ajo më ka qëndruar shumë pranë, si dhe familja ime.

Për çfarë studion?

Këtë vit duhet të isha viti i tretë në gjimnaz, por nuk jam në shkollë për arsye se kemi shkuar në Itali me mamin për të operuar vëllain, dhe m’u desh ta lija këtë vit. Por që do vazhdoj vitin tjetër për të përfunduar gjimnazin. I jam rikthyer karrierës time dhe aktualisht po merrem me videoklipe dhe do kërcej sërish.

Mendon se merrej Kevini me shpërndarjen e drogës?

Më përpara, ai merrej me agjenci udhëtimesh. Ishte djalë i urtë dhe absolutisht nuk merrej me gjëra të tilla. Edhe shoqërinë nuk e kishte të tillë. Dhe unë nuk do të rrija me një person të tillë, që të rrezikoja jetën time. Edhe mami normalisht nuk do më linte.

Pas gjithë këtyre çfarë kanë ndodhur, a ndihesh e kërcënuar?

Nga këto që janë publikuar në media, që unë kam “fundosur” një person, unë s’kam bërë asgjë. Shteti nëse do të fundosë një person le ta bëjë vetë, pa përdorur emrin tim. Sepse unë nuk kam lidhje fare. Është e vërtetë që më gjetën mua në shtëpi, por unë s’kam lidhje fare. Përveç dhimbjes së madhe që më iku i dashuri që kishim 8 muaj bashkë, tani duhet të duroj edhe fjalët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura