Atentati në Vlorë, ja pistat ku po heton policia si shkak i ekzekutimit

Jul 25, 2016 | 21:36
SHPËRNDAJE

Ekzekutim i dyfishtë në Vlorë për vrasjen e ’97-s. Dy persona humbën jetën nga breshëritë me kallashnikov, ndërsa një tjetër ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Policia zyrtarisht ka njoftuar se shënjestra e ekzekutimit të mbrëmshëm në Vlorë ka qenë Ilir Deromemaj.

vrasja vlore

Kjo pistë është ngritur për shkak të një ngjarjeje të vitit 1997, kur është përfshirë 53-vjeçari.

Në tetor të vitit 1997, Ilir Deromemaj u arrestua nga Policia e Vlorës, pasi u akuzua se qëlloi për vdekje Lame Gockajn, atëherë 32 vjeç.

Viktima u qëllua nga Deromemaj me 7 plumba pistolete, pranë një lokali në qendër të qytetit të Vlorës.

Në atë kohë u tha se krimi ndodhi për shkak të një hakmarrjeje personale të Deromemajt. Prej asaj kohe, nuk ka pasur asnjë problem me Policinë.

Nuk dihet më tej se sa u dënua Deromemaj për këtë ngjarje. Ai prej vitesh mësohet se kishte hapur pikën e basteve në lagjen “Partizani” dhe nuk kishte pasur ndonjë paralajmërim që të ruhej nga atentatorët.

Sipas burimeve të Policisë së Vlorës, po verifikohen dhe konfliktet që Deromemaj mund të ketë pasur me persona të tjerë, për çështje të ndryshme, madje edhe probleme me klientë në pikën e basteve që menaxhonte.

Për momentin, përjashtohet që objektiv të ketë qenë viktima tjetër, Dhimitër Çani, apo i plagosuri Krenar Runaj, ndonëse po verifikohet edhe e kaluara e tyre. Për ngjarjen janë marrë në pyetje klientët që ndodheshin në lokalin e basteve, por edhe dëshmitarë të rastësishëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura