Atentati në Vjenë dhe lidhja e fshehtë intime/ Kush ishte artistja 25-vjeçare që marrosi Ahmet Zogun! Shpenzime të mëdha në stoli e gëzofë për baroneshën Janko

Sep 6, 2021 | 12:00
SHPËRNDAJE

E dashura mberti Zog-Franziska JankoAtentati i 20 shkurtit 1931 mbi Mbretin Zog në të dalë të Operës së Vjenës, ku ai kishte shkuar të ndiqte operën “Pagliacci”, zbuloi edhe shumë aspekte të tjera të jetës së Mbretit shqiptar.

Mediat vjeneze i mbushën faqet e tyre, jo vetëm me ngjarjen e ndodhur në qendër të Vjenës, ku mbeti i vrarë adjutanti i Zogut dhe u plagos një tjetër shoqërues i tij, por edhe me jetën dashurore të Mbretit Zog. Gazeta vjeneze “Die Stunde” ka investiguar hollësisht mbi të. Sipas kësaj gazete, artikujt e së cilës janë publikuar nga përkthyesi dhe albanologu Robert Elsie, Mbreti Zog asokohe ishte i dashuruar marrëzisht me një 25-vjeçare vjeneze, nga një familje e sërës së ulët, por së cilës ai i plotësonte çdo dëshirë… Quhej Franziska Janko, e vetëpagëzuar baroneshë dhe, ndërsa në hyrje të Teatrit të Operës qëllohej mi Mbretin Zog, ajo, së bashku me të motrën e prisnin në restorant, ku do të darkonin së bashku.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR

TË DY VRASËSIT DUKET SE I PËRKISNIN NJË ORGANIZATE SEKRETE

Të dy deklaruan gjatë marrjes fillestare në pyetje, në stacionin policor, se ata kishin për qëllim të vrisnin Mbretin Ahmet Zog, sepse e konsideronin atë një tradhtar të kombit shqiptar. Ata besonin se ai e kishte çuar drejt shkatërrimit vendin e tyre. Gjeloshi deklaroi se ai kishte qenë pranë operës krejtësisht në mënyrë rastësore natën e kaluar dhe me një shikim të shpejtë kishte fiksuar automobilat që Mbreti po përdorte në Vjenë.

Kështu ai arriti në përfundimin se Mbreti ishte në opera. Më tej, ai pohoi se qëndroi në stacionin e tramvajit në udhëkryq dhe priti Mbretin. Pas performancës, kur mbreti u largua nga teatri i Operës, ai nxitoi drejt tij dhe qëlloi disa herë. Ai u përpoq të merrte gjithë përgjegjësinë mbi vete, duke pohuar se ai kishte kryer sulmin, pa kurrfarë marrëveshjeje të fshehtë me askënd tjetër. Gjeloshi insistoi se ai kishte vepruar si rezultat i një impulsi të çastit dhe nuk kishte komplotuar me Aziz Camin. Pas marrjes në pyetje më gjatë, Aziz Cami nga ana e tij ka pranuar se vendimi për vrasjen e Mbretit Ahmet Zog ishte marrë dy ditë më parë, pasdite. Ai kishte takuar Gjeloshin dhe kishte folur me të për këtë çështje. Natën e kaluar, të dy u takuan rastësisht, panë makinën e Mbretit dhe, duke përfituar nga rasti që u kishte lindur, vendosën të kryenin sulmin.

Pasi Aziz Cami nuk mbante armë, ai u kthye në shtëpinë e tij në Hegergasse me sugjerimin e Gjeloshit dhe u kthye me shpejtësi me revolen e tij. Ishte kjo armë me të cilën u krye sulmi. Aziz Cami, të cilit iu gjet në posedim një revolver 8 milimetër, tha që është me origjinë ruse. Ai përdori gjithë karikatorin. U zbulua se Aziz Cami kishte qëlluar shtatë të shtëna. Gjeloshi kishte një pistoletë dhjetëshe, nga e cila mungonin vetëm dy fishekë.

PIKËPAMJET POLITIKE TË VRASËSVE

Aziz Cami i përkiste partisë së ish-kryeministrit Fan Noli dhe, sipas fjalëve të tij, është mbështetur financiarisht nga anëtarët e partisë në vendin e tij. Ndok Gjeloshi është një anëtar i grupit të emigrantëve shqiptarë Bashkimi Kombëtar dhe ka mohuar se po mbështetej nga bashkatdhetarët e tij në vendlindje me fonde të cilat i janë dhënë nga shoku i tij, anëtari i partisë Angjelin Suma, gjithashtu me banim në Vjenë.
Policia po heton nëse një vrasës i tretë është përfshirë direkt në përpjekjen për të vrarë Mbretin. U pëshpërit se një njeri i tretë kishte qëlluar mbi makinën e mbretit. Dëshmitë nga dëshmitarët rreth këtij personi të tretë janë kontradiktore. Meqenëse u qëllua nga makina, është e mundur që dëshmitarët okularë kanë ngatërruar Major Libohovën me një vrasës.

NJË PËRSHKRIM DRAMATIK I ATENTATIT – RAPORTI I DËSHMITARËVE OKULARË

Inxhinieri Adolf Alfred Liewers, menaxher i kompanisë së automobilave Mercedes, i cili dëshmoi sulmin ndaj Mbretit Zog dhe, pas ngjarjes, shoqëroi Mbretin nga automobili i tij në Operë, i dha gazetarit tonë detajet e mëposhtme dramatike: “Kompania jonë i kishte dhënë Mbretit shqiptar një automobil dhe një shofer gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Vjenë. Për këtë arsye, unë e njihja Mbretin e Shqipërisë dhe njerëzit që e rrethonin. Unë kam qenë në Operë natën e fundit që u ndoq nga Mbreti Zog dhe isha ulur në radhën e parë të lozhës I.

Vetëm pak para përfundimit lashë vendin tim, kur vura re se Mbreti dhe shoqëruesit po largoheshin, dhe dola jashtë ndërtesës nëpërmjet daljes Ring për të takuar Mbretin Zog në dalje të Operngasse. Kur arrita daljen nga salla e Operngasse, pashë që Mbreti sapo kishte hyrë në automobil. Pranë tij ishte administratori i tij Libohova dhe Major Topallaj ishte gati të hipte në makinë. Askush nuk ishte pranë automobilave në atë moment dhe rrugët ishin pothuajse bosh.

Ishte vetëm një polic në mes të rrugës dhe pak këmbësorë që po kalonin aty pari. Papritmas një njeri vrapoi në drejtim të automjetit nga drejtimi i restorantit të operës. Unë mendova se donte t’i hidhte një sy Mbretit. Një e shtënë u dëgjua më pas. Njeriu kishte nxjerrë një revolver dhe qëlloi të shtënën e parë mbi automjet nga një distancë prej gjashtë metrash. E shtëna e fundit u qëllua nga një distancë prej dy metrash. Major Topallaj, i cili po hipte në makinë, u godit nga të gjitha të shtënat. Ai i kishte të dyja këmbët mbi mbajtësen e këmbëve kur u qëllua dhe ra prapa, jashtë nga mjeti. Një oficer i policisë që ishte aty pranë, dy kalimtarët dhe unë, kapëm vrasësin”.

“Ndërsa kalimtarët dhe oficeri i policisë ishin duke u përpjekur për të mposhtur vrasësin, me të cilin po përlesheshin, një person i dytë nxitoi në drejtim të automjetit nga i njëjti drejtim. Ai qëlloi të shtënën e tij të parë rreth dy hapa larg nga automobili dhe pastaj qëlloi edhe tri herë të tjera. Në këtë moment, unë nxitova drejt automjetit dhe i thashë Mbretit se duhet të dilte menjëherë nga makina dhe të kthehej përsëri në Operë. Mbreti po mbante një revole në dorë dhe isha me fat që ai më njohu. E ndihmova të dilte nga automjeti dhe e lashë të sigurt në hyrje të sallës. Më pas ula qepenat dhe mbylla dritat.

Mbreti Zog u shoqërua në dhomën e zjarrfikësve dhe drejtuesit e Operës dhanë urdhër që asnjë person i panjohur të mos lejohej të hynte e të dilte. Mbreti pastaj u shoqërua në zyrën e drejtorit të përgjithshëm, Shnajderhan. Njëzet minuta më vonë, ai u largua nga opera nga një tjetër dalje”. Inspektimi i automjetit të Mbretit Zog që do të kryhet sot pasdite, do të përcaktojë nëse të shtënat janë qëlluar nga më shumë se dy vrasës. Thuhet se të shtëna u dëgjuan në distancë, nga drejtimi i monumentit të Mozartit.

MAJORI LIBOHOVA I PLAGOSUR NË SANATORIUM

I plagosuri, major Libohova, i cili kishte një plagë në këmbë, është duke u trajtuar në sallën 32 të Löw Sanatorium. Fashimi iu ribë këtë mëngjes. Majori ndihet më mirë dhe mund të shërohet për rreth 3 javë. Profesor dr.Seindl, i cili po trajton major Libohovën, ishte habitur se si majori përballoi një plagë në këmbë, jashtëzakonisht të dhimbshme, njëzet minuta pa ndihmë mjekësore. Duke dhënë provat e një njeriu gjakftohtë, majori i përshkroi se çfarë kishte parë skuadrës së policëve, që ishte dërguar për ta pyetur. Ai deklaroi se sapo kishte vendosur këmbën në mbajtëse, kur ishte goditur në këmbë. Më vonë u zbulua se një tjetër plumb kaloi nëpër kapelën e tij dhe do t’i kishte shpuar kafkën, nëse do të kishte qenë vetëm një centimetër më poshtë. Duke kuptuar se çfarë po ndodhte, major Libohova nxori revolen e tij dhe qëlloi disa herë, edhe pse pa ndonjë drejtim të caktuar.

Ahmet Zogu-Atentati

VRASËSI AZIZ CAMI, KOHË MË PARË ISHTE MIK I MBRETIT ZOG

Ne ishim në gjendje të mblidhnim disa detaje të panjohura më parë në lidhje me personalitetin e vrasësve. Të dy vrasësit i përkasin një grupi nacionalist. Vetë Ahmet Zogu kishte lidhje me grupin vite më parë. Dhjetë vjet më parë, kapiteni Aziz Cami, një nga vrasësit, ishte mik i Ahmet Zogut. Dallimet politike u vendosën mes Aziz Camit dhe Mbretit Zog në vitet e mëvonshme. Kapiteni Aziz Cami ishte një armik i madh i Mbretit dhe ishte i detyruar të largohej nga Shqipëria.

VRASËSIT ISHIN NË BUDAPEST PAK DITË MË PARË
Është bërë e ditur se vrasësit në tentativë të Mbretit shqiptar, Ghjeloshi dhe Cami, ishin kohët e fundit në Budapest, ku kanë qëndruar nën pseudonime, në një hotel me udhëheqësin e mirënjohur të emigruar shqiptar, Hasan bej Prishtina. Thuhet se përgatitjet përfundimtare për vrasjen në Vjenë janë bërë këtu.

DARKA E MBRETIT
Sipas informacioneve tona, tavolinat ishin rezervuar dy ditë më parë për Mbretin Zog dhe shoqëruesit i tij në bar “Westminster” për mbrëmjen e shkuar. Mbreti shqiptar synonte të darkonte në bar me shokët e tij. Menjëherë pas sulmit, menaxheri i barit është informuar nga hoteli mbi atë çka kishte ndodhur dhe tha se grupi nuk do të vinte.

HETIMI I KOLONISË SHQIPTARE NË VJENË
Natën e kaluar dhe këtë mëngjes, policia kriminale e Departamentit të Policisë së Vjenës bëri një kontroll të plotë të të gjithë anëtarëve të kolonisë shqiptare në Vjenë. Të gjithë shqiptarët, madje edhe ata që nuk janë të dyshuar, janë marrë në pyetje. Këto masa kanë për qëllim të zbulojnë ndonjë lidhje të mundshme në komplotin kundër Mbretit Zog. Të dy vrasësit nën arrest e mohuan të kishin bashkëpunëtorë të tjerë dhe deri në orët e para të pasdites nuk është bërë asnjë arrestim tjetër.

JETA  DASHURORE E MBRETIT AHMET ZOG. DY BARONESHAT DE JANKO NË HOTEL “REGINA”. PSE ISHTE KAQ E VËSHTIRË TË RUAJE MBRETIN.

Edhe pse përgjithësisht është e vështirë të pengosh vrasjet apo tentativat për vrasje, në rastin e Mbretit Zog autoritetet bënë më të mirën e tyre për të parandaluar një incident të tillë të përgjakshëm, gjatë vizitës së tij në Vjenë për arsye shëndetësore. Është bërë tashmë e njohur se Mbreti ishte duke e vështirësuar punën e Policisë së Vjenës me qejfet dhe sjelljet e tij të shpenguara. Vëzhguesit e qëndrimit të tij në Vjenë kanë vënë në dukje se ai tashmë, krejt rastësisht, kishte arritur të shmangte një përpjekje të mirëplanifikuar për vrasjen e tij.

Nuk ka dyshim se të njëjtët persona dhe qarqe që tashmë janë demaskuar, ishin të përfshirë në këtë tentativë krimi. Atentati i parë do të ishte kryer në sheshin “Votivkirche”, tamam përpara hotel “Regina”. Pse ishte zgjedhur ky vend me një park të braktisur, i mbuluar me dëborë dhe në distancë të konsiderueshme nga Hotel Imperial? Përgjigjja për këtë pyetje të çon në urën e emocioneve që bashkojnë politikën dhe dashurinë.

DY BARONESHAT VJENEZE

Deri më 14 janar, Mbreti Zog kaloi një jetë shumë të tërhequr. Ai rrallë largohej nga hotel “Imperial”, dhe kur e bënte, tregonte kujdes të madh. Më 14 janar, stili i tij i jetesës ndryshoi papritmas, – siç kemi mësuar një tërheqje fatale në hotel “Regina”. Më 14 janar, dy zonja u vendosën atje. Ato u regjistruan si baronesha Franziska dhe baronesha Marie de Janko, të dyja nga Vjena, por vinin nga Tirana. Mes tyre kishte një ndryshim të dukshëm moshe. Njëra ishte rreth njëzet e pesë dhe tjera rreth dyzet, por ishte e thjeshtë të dalloje se ato ishin motra.

ATO U TAKUAN ME MBRETIN AHMET ZOG NË DITËN QË MBËRRITËN

Nuk ishte më gjatë sekret për zyrtarët e sigurisë. Më e reja nga dy zonjat, baronesha Franziska de Janko, ishte e dashura e Mbretit, dhe motra më e vjetër me sa duket ishte kujdestarja e saj. Fillimisht u përfol se dy zonjat ishin të lidhura me baron De Janko, përfaqësuesi austro-hungarez në komitetin otoman të borxhit dhe konsull i Përgjithshëm në Smirna. Baroni, i cili jeton në Vjenë, dhe aktualisht është sëmurë në Löw Sanatorium, nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, gruaja e tij Aleksandra ka deklaruar se ai dhe ajo ishin pasardhësit e fundit të kësaj familjeje. Meqë me sa duket mes tyre nuk ka ndonjë lidhje familjare, do të ishte me vend të supozonim se dy zonjat ishin duke përdorur titullin baronesha De Janko si pseudonim.

EGERIA NGA GERSTHOFERSTRASSE
Gazetarët investigues ishin befasuar kur zbuluan se dy zonjat quheshin me të vërtetë Janko, dhe kishin stolisur veten me titullin “Baronesha”, si një vello dantelle e shtrenjtë. Në fakt, ato kishin lindur në një shtëpi të vjetër vjeneze në Gersthoferstrasse 140, si bijat e një kopshtari të thjeshtë. Çifti kishte pesë vajza, prej të cilëve vetëm tre mbijetuan. Vajza e tretë quhet Katharina dhe është gruaja e zjarrfikësit Karl Stoll.

Ky person, i cili jeton në një banesë me strehim të subvencionuar dhe me gjasë është socialdemokrat, mund të konsiderohet si kunati i Mbretit shqiptar. Franziska Janko është një grua jo vetëm me një bukuri të dukshme, por edhe me talent të madh artistik. Motra e saj më e madhe ka sakrifikuar të gjitha paratë e saj për të mundësuar trajnimin e Franziskës si artiste. Thuhet se ajo është angazhuar në disa aktivitete të rëndësishme, sidomos në qytete italiane.

Ajo u takua me Ahmet bej Zogun disa vjet më parë, para se ai të merrte pushtetin, dhe ra në dashuri me të. Prej asaj kohe, ata ishin të përkushtuar pazgjidhshmërisht ndaj njëri tjetrit. Franziska dhe motra e saj ishin vazhdimisht me të. Asnjë detyrim zyrtar, asnjë vështirësi nuk ka penguar dashurinë e Mbretit shqiptar.

Është i njohur fakti se ç’ndikim të fortë ka Italia në Shqipëri, por nuk ishte i mjaftueshëm për të ndarë Ahmet Zogun nga objekti i dashurisë së tij. Prej vitesh tashmë, qarqet diplomatike italiane po shpresonin që Zogu të ndryshojë sjelljen e tij dhe të bëjë një martesë me dikë të statusit të tij, por kjo kërkesë politike u hodh poshtë nga Mbreti. Ai ka mbrojtur të drejtën e tij për të dashuruar kundër të gjitha ndërhyrjeve.

Fransizka Janko-E dashura_Zogu

NJË PELIÇE VIZONI
Mbreti Zog i plotësonte çdo dëshirë të dashurës së tij. Në një dyqan vjenez gëzofësh, ajo bleu një gëzof nuse lale dhe një pallto vizoni. Faturat për fotografinë e saj thuhet se kanë arritur në jo më pak se 7.000 shilinga. Mbreti i kushton rëndësi të veçantë faktit që dy zonjat, shoqëria e të cilave është bërë thelbësore për të, të bëjnë përshtypjen e duhur në publik. Ato janë pothuajse gjith monë me të.

Ai del me to dhe kur ai shkon në teatër, lozha pranë tij është e zënë gjithmonë nga dy zonjat e bukura vjeneze. Në mbrëmjen e atentatit, tavolinat në bar “Westminster” ishin rezervuar për të, dy zonjat dhe pjesën tjetër të shoqëruesve të tij. Të dy zonjat sapo kishin dalë nga automjeti i tyre dhe po linin gëzofët e tyre në gardërobën e barit, kur u dëgjuan krismat. Ato pritën për rreth gjysmë ore për Mbretin dhe, kur ai nuk arriti në kohë, siç ishte zakoni i tij, ato u kthyen në hotelin e tyre, ku u kontaktuan me telefon nga hotel “Imperial”. Nuk ka dyshim, Mbreti donte për t’u jepte atyre lajmin e parë mbi sulmin e dështuar kundër tij.

BISEDA E FUNDIT ME ADJUTANTIN

Dy orë para sulmit, gazetari i gazetës tjetër foli së fundi me adjutant Topallaj për jetën dashurore të Mbretit shqiptar. Gjatë intervistës adjutanti as pohoi, por as i mohoi thashethemet. Vetëm një herë ai foli në mënyrë të qartë, kur gazetari hoqi një paralele me rastin e Madame Lupescu. “Nuk ka asnjë krahasim mes tyre”, u përgjigj adjutanti. “Në fund të fundit, Mbreti është beqar dhe i lirë të bëjë si të dojë”. Është e vërtetë se Mbreti ishte në Vjenë për arsye shëndetësore.

Ai e zgjati qëndrimin e tij thjesht për të kënaqur të dashurën e tij, që e donte Vjenën, vendin e lindjes së saj, më shumë se çdo gjë tjetër. Ndërsa motra e saj kishte jetuar në shtëpinë e prindërve deri në vitin 1928, ajo do të qëndrojë me të, pavarësisht vëmendjes së fqinjëve mbi pamjen e saj gjithë klas, gjesteve bujare dhe numrit të madh të valixheve që e shoqëronin.

Kur motra e saj u zhvendos në strehimin e subvencionuar, dy zonjat vendosën të qëndronin në një hotel. Ata e bënë këtë nga 10 qershori deri më 1 korrik dhe nga 2 gushti në 24 gusht të vitit të kaluar. Për qëndrimin e tyre në Vjenë kësaj here, motra e tretë me sa duket nuk dinte asgjë. Jeta dashurore e Mbretit Ahmet Zog, që ka krijuar një lidhje të tillë me Vjenën, e bëri atë një figurë popullore. Tashmë është e kuptueshme vështirësia për ta mbrojtur atë. Ai përpiqet, natyrisht, për të mbajtur një profil të ulët dhe të mos shoqërohet nga një turmë oficerësh sigurie çdo herë që shkon për të parë dy zonjat, me të cilat ai është lidhur shumë. Me siguri atij i është bërë i qartë rreziku me të cilin mund të përballet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura