Atentati në Tiranë, merret në pyetje edhe vëllai i Durim Bamit

Oct 3, 2015 | 10:15
SHPËRNDAJE

Deri mesditën e djeshme, Policia e Tiranës mbante të shoqëruar 10 persona si të dyshuar për vrasjen e dyfishtë që ndodhi te lulishte “1 Maji”.

Vendi i atentatit
Vendi i atentatit

Mes të shoqëruarve ishte edhe vëllai i Durim Bamit, personazhi që u supozua se do t’i bënte atentat deputetit Tom Doshi dhe që sot mbahet në arrest shtëpie.

Valter Bami u shoqërua nga forcat e Policisë së Tiranës mëngjesin e djeshëm, teksa po parkonte makinën pranë Spitalit të Traumës. Ai ishte i shoqëruar edhe nga Lutfi e Marklen Haka, persona këta të arrestuar për vrasjen e biznesmenit Nadien Zeneli, në vitin 2011, në Tiranë, por që u lanë të lirë për mungesë provash.

Policia kishte të dhëna për një njohje mes Durim Bamit e vëllait të tij me Elvis Gaçajn, por pa specifikuar nëse ishin miq apo armiq. Përveç kësaj, fakti që Bami ndodhej pranë spitalit ku po ndodhej i shtruar pas atentatit 40-vjeçari Gaçaj, bënë që Policia t’i shoqëronte ata si të dyshuar të mundshëm për ngjarjen.

Megjithatë, pas disa orësh, aq sa zgjati dëshmia e tyre në Polici, Valter Bami, Lutfi e Marklen Haka u lanë të lirë. Burimet thanë se vëllai i Durim Bamit ka thënë se thjesht po i shkonte për vizitë në spital Gaçajt, meqenëse ai para disa ditësh kishte qenë në shtëpinë e tij në Fushë–Krujë.

“Meqenëse erdhi të vizitonte Durimin, menduam t’ia kthenim vizitën kur morëm vesh që ishte plagosur”, mësohet të ketë thënë Valter Bami.

Etleva Delia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura