Atentati në Tiranë/ Dëshmitarët tregojnë për Landin: Ishte rregulluar mirë, se kur doli nga burgu…

Jan 16, 2018 | 14:52
SHPËRNDAJE

Vendi ku iu bë atentat 32-vjeçarit Emiljano Boçi, ndodhet në mes të një blloku banimi, në rrugën “Shefqet Musaraj”, në krah të Policisë Bashkiake. Zona nuk ka shumë ndriçim dhe në kohën që ka ndodhur ngjarja aty ka pasur shumë pak lëvizje, shkruan “Panorama”. 

fcf5153b-0916-435a-adc7-daa6842b276f

Megjithëse ka qenë herët dhe bizneset ndodheshin të hapura, askush nuk ka dëgjuar e as mësuar se çfarë kishte ndodhur, derisa në vendngjarje ka mbërritur Policia. Dëshmitarët tregojnë se nuk kanë dëgjuar krisma, ndërsa më vonë kanë marrë vesh që ishte plagosur Emiljano Boçi, që ata e njohin me emrin Landi.

“Ne nuk dinim se çfarë kishte ndodhur, deri kur erdhi Policia dhe filloi të na pyeste nëse kishim parë apo dëgjuar gjë. Më pas, morëm vesh që ishte qëlluar Landi. Ne e njohim të gjithë, banon këtu prej shumë e shumë vitesh. Tani sa kishte filluar të sistemohej, se kur doli nga burgu ishte shumë keq. Kishte rregulluar shtëpinë, kishte blerë makinë të mirë. Por nuk jetonte këtu. Më shumë jetonte në Gjermani. Madje, ka pak ditë, rreth 2-3 javë që ishte kthyer nga atje dhe me aq sa kishim biseduar me të, na tha se do të ikte prapë”, tregojnë disa banorë të pallatit ku banon familja Boçi.

Ndërsa në lidhje me plagosjen, për të cilën ai ishte dënuar para 8 vitesh, ata shprehen se janë në dijeni, por me sa kishin dëgjuar ishte mbyllur konflikti mes tij dhe personit që kishte plagosur.

“Ne e dimë që ai kishte plagosur njërin para disa vitesh, por ajo ngjarje ishte mbyllur mes dy familjeve dhe nuk besojmë se kjo që ndodhi sot ka lidhje me atë që ka ndodhur në atë kohë”, tregojnë ata. Por në lidhje me atentatin, banorët nuk janë në gjendje të japin detaje, pasi, sipas tyre, nuk kanë dëgjuar dhe nuk kanë parë asgjë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura